Amerikania Selvi nga Greshica

redaktor

Nga Sefer Pasha

 

Para se të nisja të shkruaja këtë letër iu referova shkrimtarit amerikan Heminguej, i cili thotë: “Gjëja më e vështirë në botë është të shkruash një prozë të sinqertë e të ndershme për qeniet njerëzore”. Edhe një letër është prozë. Po ndryshe nga një gjini në prozë letra kërkon të shkruash shumë e më shumë sinqerisht. Po ndjek mundimet tuaja për Reformën që na është kthyer në fantazmë e përrallë dimri. Sfilitje, takime, konferenca shtypi, kundërshtime e lëmshit të gjalmit nuk po i gjendet filli. Ju bëni detyrën zoti Ambasador. Por mua si qytetar i këtij vendi më dhimbsesh e më dukesh se po vuan si Hamleti. Nuk e vë në dyshim se je në dramë, por ashtu jemi dhe ne.

 

Në këto kohë të trazuara shqiptarët po të peshojnë. Dhe është absolute. Janë me ty zoti Lu e me Amerikën (megjithëse nuk ka pyll pa derra). Po ta shkruaj këtë letër nga Mallakastra që si në balada njihet si “derë e mik”! Po ju përcjell në këtë letër historinë e një gruaje nga Amerika. Quhej Silvi, por vendasit në Mallakastër e thirrën Selvi. Silvia kishte lindur nga prindër amerikanë në Denver – Kolorado SHBA në vitin 1895. Kishte mbaruar shkollën për infermiere dhe qe emëruar në ambasadën e SHBA në Turqi. Në të njëjtën kohë vëllai i asaj ishte ambasador i SHBA në Turqi. Aty Silva njihet me një djalë nga Greshica e Mallakastrës që quhej Ali Beqir Brehami, i cili gjithashtu qe i punësuar në ambasadën e SHBA në Turqi. Silvi dhe Aliu u dashuruan dhe u martuan. Në vitin 1932 kthehen në Greshicë. Dashuria e Silvës për Aliun ka qenë aq e madhe sa asaj në Mallakastër, i thirrën gjersa vdiq, Selvia e Ali Beqirit. Edhe tani tregimet kështu fillojnë: “Selvia e Ali Beqirit shpëtoi nga vdekja një djalë të ri në Hekal”, Selvia e Aliut kështu e ashtu e të tjera.

Selvia ka bërë shumë mrekullira si infermiere në Mallakastër. Por unë po rrëfej një ngjarje me të cilën janë rritur shumë breza në fshatin tim, Kremenar. Nëna ime, Dekua, dhe Tajane Muçaj, e cila ende rron, tregonin nëpër oda një vepër të Selvies. Ishte kohë lufte. Në mëhallën time kishte vdekur një djalë i ri. Për ta varrosur kishte ardhur dhe Selvia e hipur në mushkë që nga Greshica. Bashkëshorti i saj Ali Beqiri ishte mik në familjen e kushëririt tonë, të cilit i kishte vdekur djali. Në çastet kur i gjithë fshati dhe miqësia e vendosën arkivolin mbi dheun e butë, ku ishte hapur varri, në Udhë të Madhe të fshatit Kremenar u shfaqën gjermanët. Kur ata panë kaq shumë burra, i menduan si forca partizane. Forcat gjermane menjëherë hapën zjarr. Një burrë nga mëhalla jonë u plagos rëndë. Të gjithë që ishin pranë djalit të vdekur e lanë atë brenda në arkivolin me dru ulliri dhe u fshehën në pyll. Gjermanët mbërritën në fshat në mes të mëhallës, ku me dhjetëra gara të veshura me të zeza qanin të tmerruara. Në këto momente tragjike tek trupat gjermane afrohet Selvia (nëna ime e përshkruante pamjen e takimit të Selvisë me komandantin gjerman tek Mani i Zenelit të cilit i kishte vdekur djali. Selvia ishte e bukur dhe e gjatë si selvitë e Greshicës. Qe veshur me të zeza si gratë e Mallakastrës). Selvia me t’ju afruar komandantit gjerman i flet atij anglisht dhe gjermanisht (nëna e vazhdonte rrëfimin se Selvia ishte po aq e gjatë sa komandanti i trupave gjermane. Ajo e ka parë të gjithë shfaqjen me komandantin gjerman dhe me oficerët që gjithashtu vështronin të mahnitur).

Komandanti gjerman magjepset nga kjo grua që i foli anglisht dhe gjermanisht. Selvia i tregon se çfarë kishte ngjarë. I shpjegon se kishte vdekur një djalë i ri. Arkivoli me trupin e tij ishte buzë varrit. I gjithë fshati është fshehur dhe i vdekuri ishte i pavarrosur. Komandantin gjerman ajo e çon tek kazanët me gjellë dhe tek oda e mbushur me gra që qanin. Komandanti gjerman i tërheq trupat, por ai donte të dinte se nga ishte kjo grua që e befasoi. Selvia i thotë se ishte shtetase amerikane. Këtu mbaron tregimi i nënës time dhe i Tajanes, që është ende gjallë. Por sipas dokumentave Selvi Brehami ka shpëtuar në shkurt të vitit 1944, 75 burra nga Greshica, të cilët i zunë rob forcat gjermane. Por veprat e saj gjatë luftës janë të shumta. Nuk i mban dot kali i kësaj letre.

 

2 Po shtoj dhe diçka. Selvia jetoi në Greshicë të Mallakastrës në një periudhe të vështirë. Ajo me të shoqin, Aliun, jetonin në fshat me kandil. Mësoi dhe poqi bukë në saç, shtypte ullinj me këmbë dhe bënte vaj, tollte me pec dhe e u bë esnafe e byrekut me lakror. Petanikun e piqte në çerep. U bë një amvisë e mirë në gatimin e qumështorit, të japrakëve me fleta hardhie, të revanisë, pekmezit, rehanisë, glikosë me arra e të bajameve me mjaltë. Nderte në gardh palzat e fikut dhe të mollës, mbushte vedrat me turshi, zinte brumët në magje, trazonte dybekun me bulmet, ziente rakinë e rrushit, shtronte dreka e darka dhe ngrinte dollinë në odën e burrave. Shkonte dhe falej në vendin e shenjtë të mali të Shëndëllisë ballë për ballë me shtëpitë e Ali Beqirit.

Edhe një detaj që tregohet nëpër oda. Silva amerikane mësoi në Greshicë të këndojë labçe, të heqë valle e të qajë me ligje si gratë e Mallakastrës. Ajo punoj si drejtuese e spitalit të Ballshit dhe si infermiere gjersa mbylli sytë në vitin 1962. Për të janë shkruar libra, ese, publicistikë, tregime të jetuara, këngë popullore. Kompozitori Edmond Zhulali ka kompozuar këngën, “Moj hëna me dy Greshica”, diskun e së cilës ja kemi dërguar Ambasadës Amerikane. Gjithashtu është realizuar dhe një film i shkurtër. Është qytetare nderi në vendlindjen e burrit, Ali Beqirit. Pas Reformës në Drejtësi do të doja që Ju zoti Lu t’i thoni një fjalë në vesh Kryetarit të Bashkisë së Ballshit dhe për Selvi Brehamin të ketë përpara spitalit të Ballshit një shtatore. Ajo ishte vitë e zanë Amerike që Zoti e solli në Shqipëri.

 

Në Mallakastër nuk dinë shumë hollësira për fisin e Silvës në Denver – Kolorado. Përpjekjet kanë dështuar megjithëse dy kushërinj të saj kanë ardhur në Greshicë, ku ajo qe martuar me Ali Beqirin. Greshiciotët kanë dëshirë që në vendlindjen e Silvës të mbjellin një ulli, lis, qershi ose… selvi si të Greshicës. Kurse nga vendi i shenjtë Shëndëlliu të dërgohet një gur i bardhë.

Shqiptarët shpresojnë se më 21 korrik do të dalë nga oxhaku tymi i bardhë i Reformës. Ende nuk e dimë. Por ta përshkrova në letër portretin e zonjës nga Amerika Selvi Brehami, ndoshta si inkurajim duke ndjekur përpjekjet tuaja për të kapërcyer një moment krize të shkaktuar, si gjithnjë, nga politikanë që nuk i meritojmë.

Share This Article
4 Comments
  • I dashur Sefer Pasha, me pelqeu shkrimi por jo kerkesa qe i beni ambasadotir amerikan per t’i ngritur nje bust kesaj zonje te nderuar ne Greshice apo ne Ballsh. Nuk e nderon popullin e Mallakastres nje nderhyrje e tille. Nderi , ne se realizohet kjo ide i takon Amerikes dhe jo Mallkastres. Kaq posht kemi rene sa nuk mund te merremi vesh edhe per nje gje aq te thjeshte???!!!

  • Dakort me ty Llazar. Ai busti duhej te qe ngritur, titujt e nderit tashme duhej te ishin dhene, nje spitali duhej ti qe vene emri i saj, etj, po nejse, shpresoj qe kjo leter edhe pse rreh me larg, te kete zgjuar vemendjen e pushtetit vendor e qendror, si edhe te presidentit (shpresoj ta lexojne shtypin) per ti dhene vendin qe meriton punes se kesaj heroine.

  • Shkrimi e zoterise ne fjale eshte 100%i vertete,edhe kerkesa qe i ben ambasadorit amerikan eshte e drejte.Ka 25 vjete qe kjo figure e nderuar e greshices , por edhe e Mallakastres nuk po merr vleresimin qe i takon.GJithe mallakastra eshte deshmitare e kontributit te kesaj zonje te nderuar si ne aspektin human ashtu edhe ne ate te fushes se mjekesise ne krahinen e Mallakastres Ishte kjo zonje qe ngriti spitalin e pare ne qytetin e Ballshit .Me e pakta qe munde te bej pushteti vendor ne Ballsh ,eshte venia e emrit te saj spitalit te Ballshit

  • Te pershendes, i nderuar Sefer Pasha!
    Letra, pershkrimet e gjalla per ngjarjet e treguara nga nene Dekua dhe Tajane Mucaj per humanizmin e pashoq te Silvias amerikano-shqiptare, sikur t’i kesh jetuar vete, mesazhi drejtuar ambasadoriut te nderuar (por edhe kryetarit te djathte dhe keshilltareve te majte te Bashkise se Ballshit) e bejne mjaft terheqes dhe domethenes te gjithe shkrimin…
    Nje falenderim per kete shkrim eshte shume pak…
    Le te shpresojme se edhe politikanet tane te nderuar (dhe te panderuar) do te arrijne te kuptojne humanizmin qe po tregojne miqte dhe aleatet tane ndaj popullit tone ne keto situata aspak te kendshme, dhe te bejne te mundur, qe…”më 21 korrik do të dalë nga oxhaku tymi i bardhë i Reformës”
    Nderim per Ju dhe per kete grua madheshtore!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *