Nga Moikom Zeqo
Në 1 korrik 2016 mbylli sytë përjetësisht në Paris poeti më i madh francez i fundshekullit të XX dhe dy dekadave të shekullit të XXI Yves Bonnefoy. Vdiq në moshën e një patriarku, 93 vjeç. Jehona për vdekjen e këtij personaliteti të jashtëzakonshëm qe e madhe në mediat e botës, kuptohet përveç Francës, emri i tij u artikulua me vlerësime të larta edhe në Angli dhe në SHBA (ku Yves ka studiuar dhe jetuar për një kohë të gjatë duke u bërë një njohës i shkëlqyer i gjuhës angleze). Vetëm në mediat e Shqipërisë nuk pati asnjë lajm mortor për të. Asnjë fjalë. Asnjë jehonë honori dhe përkujtimi. Yves Bonnefoy lindi në vitin 1923, në rininë e hershme u ndikua nga rryma e surrealizmit dhe bëri përshtypje si një poet me fuqi të madhe dhe të brendshme krijuese. Më pas pati kontradikta me Andrea Bretonin, prijësin e surrealizmit francez dhe botëror, por konceptualiteti surrealist nuk u nda asnjëherë nga vepra e Bonnefoy. Më pas ai u njoh si një përkthyes i shkëlqyer i veprave të Shakespeare-it. Ka qenë profesor në College de France në vitet 1981-1993. Në veprat e tij ai lëvron eseistikën dhe historinë e artit. Janë të famshme studimet e tij si “Peintures murales de la france gothique” (1954), “Theatre et poezie (Shakespeare et Yeats)” (1998).Ai ka shkruajtur ese të famshme për andre Bretonin, Goya-n, Baudelaire, Jean Starabinssein, Alexandre Holan, Alberto Giacomettit, dhe sidomos për poetin e famshëm Paul Celan. Unë e kam takuar Yves Bonnefoy në qershor të vitit 1999 në qytetin e Strugës në një festival ndërkombëtar të poezisë. Kisha lexuar vite më parë poezitë e tij. Në mënyrë të veçantë librin e shkruar për Arthur Rimbaud-in botuar në vitin 1961. Jetuam disa ditë bashkë në mjediset e hotelit rezidencial për poetët e botës së festivalit. Takoheshim shpesh gjatë ditëve dhe netëve të festivalit dhe bisedonim. Më kujtohet që e pyeta se kush është poeti më i madh i Francës. Yves Bonnefoy u mendua. U përgjigj shumë shkurt: Arthur Rimbaud, që ka shkruar më pak nga të gjithë! Dhe mua m’u kujtua Migjeni. Ndërkohë dija që Yves Bonnefoy në një redaksi të shtëpisë botuese Flamarion, Paris 1981 botoi dhe dy vëllime “Dictionnaire des Mythologies”. Në vëllimin e dytë me nismat dhe konceptin organizues të Bonnefoy është botuar për herë të parë dhe një studim për mitologjinë shqiptare. Ky studim është shkruar nga Arshi Pipa. Duke e rilexuar mbas shumë kohësh këtë studim mund të kuptosh se kemi të bëjmë me një vështrim të kufizuar, por gjithsesi jo pa një konceptim të mprehtë. Arshi Pipa për mitologjinë shqiptare e quan mitologji të tipit pagan ballkanik. Fetë monoteiste që janë mbivendosur – katolike në Veri, ortodokse në Jug, islamike në mbarë vendin – pak e kanë prekur natyrën e kësaj mitologjie. Historia e shqiptarëve, origjina e të cilëve fillon që nga migrimet e para indoevropiane në Ballkan, është një vazhdimësi pushtimesh nga ana e popujve që e rrethojnë: romakë gjatë Lashtësisë, sllav, normanë, italianë dhe në Mesjetë osmanët. Për këtë arsye, nënvizon Pipa “mitologjia shqiptare është mjaft sinkretike. Mund të flitet për shtresa alogjene përgjatë boshtit të një konstanteje lehtësisht të identifikueshme që është: kulti i karakterit (genit) të rracës. Hyjnitë e kësaj mitologjie janë thuajse të gjithë paganë.”
Po risjell në vëmendjen e lexuesit të sotëm në shkrimin tim In Memoriam një pjesë të intervistës që kam botuar që në vitin 1999 me Yves Bonnefoy, me titullin “Takim me Yves Bonnefoy”:
“Veprimtaria ndërkombëtare, “Mbrëmjet poetike të Strugës”, e ka nismën që nga viti 1962.
Për mua ishte hera e parë që merrja pjesë në këtë veprimtari. Kisha qenë edhe më parë në Strugë. Madje në një intervistë në Televizionin e Shkupit isha shprehur gjysmë me shaka dhe thellësisht serioz me një parabolë sipas së cilës Zoti e krijoi botën në 6 ditë, ditën e shtatë duhej të pushonte, po s’di pse iu ndodh në duar një copë Parajsë dhe e hodhi atë në brigjet e liqenit duke e quajtur strugë.
Ndoshta është më tepër një subjekt poezie sesa një parabolë biblike ose postbiblike. E vërteta flet nëpërmjet qindra mënyrash. Mbrëmjen e parë të përurimit të veprimtarisë në Pallatin e Kulturës së Strugës mua më vendosën midis poetëve Hans Raimund nga Austria, Tomas Dafern nga Britania, Ronny Someck nga Izraeli, Drazen Katunaric nga Kroacia si dhe në krahun tim të djathtë kisha fituesin e “Kurorës së Artë” të Netëve poetike të Strugës për vitin 1999, poetin e madh francez Yves Bonnefoy dhe një poet tjetër të shquar amerikan Richard Harteis.
Mbrëmja quhej me titullin joshës dhe simbolik “Meridianët”. Të gjithë recituam nga një poezi. Falë mrekullisë së germës A, që është germa e parë e alfabeteve, më qëlloi të recitoj i pari, por duke më ndodhur një paradoks: Më dhanë të recitoj një poezi të shkruar nga unë kur isha 20 vjeç, të quajtur “Kostum flake” që ndodhej e përmbledhur dhe e përkthyer në maqedonisht në “Antologjinë e poezisë shqiptare”, të botuar para 3 vjetësh në Maqedoni. Qe një poezi e një kohe të shkuar, ku unë shprehesha se gërshëra e akrepave të orës më ka prerë një kostum prej flake, brenda të cilit unë digjesha derisa bëhesha shkrumb… për dashurinë.
Sot në moshë, tepër skeptik, më dukej se nuk isha unë që e kisha bërë këtë poezi. Në të vërtetë, autori që pretendonte se do të recitonte poezinë ekuivalente në maqedonisht, recitoi një tjetër poezi, që unë ia kisha kushtuar Pol Gogenit. Publiku duartrokiti. Vetëm banorë shqiptarë të Strugës e kuptuan ngatërresën që mua gjithsesi më solli njëfarë humori, pa dyshim habitje me vetveten, një rivlerësim të gjërave nga pikëpamja e moshës dhe e përvojës dhe ndryshe nga pjesëmarrësit e tjerë, për mua nga një u bënë 2 poezi atë mbrëmje.
Duke qenë krah për krah me Yves Bonnefoy e preka lehtas në krah dhe i thashë në frëngjisht:
– Mjeshtër, jeni i njohur edhe në Shqipëri!
Yves, një burrë tashmë krejtësisht i thinjur, tamam një lloj patriarku i fantazisë më tepër sesa i realitetit, sikur u zgjua nga një ëndërrim i largët:
– Si thatë? Në Shqipëri? Po pse ju nga Shqipëria jeni?
– Nga Shqipëria.
– Nuk kam qenë asnjëherë në Shqipëri.
– Edhe pa ardhur ju jeni në Shqipëri. Shpresoj që të vini sa më shpejt.
– Pas ceremonisë në Strugë kam disa detyrime të tjera. s’ka gjë më të lodhshme se ceremonitë.
– Është pesha e lavdisë.
– Ndoshta është pesha e moshës.
– Pesha e dyfishtë, edhe e lavdisë, edhe e moshës. Në këtë mënyrë pesha nuk dyfishohet si rëndesë, por dyfishohet si mungesë e rëndesës, diçka si qiell, diçka si shpirt.
– Dhe Ju jeni poet?
– Rastësisht jam poet. Më tepër jam arkeolog dhe historian i artit. Shumë rrallë merrem me poezinë. Ndoshta ndonjë tjetër duhej të ishte sot këtu në vendin tim.
– E besoj, kështu ndodh në shumicën e rasteve. A thua jam dhe unë rastësisht këtu?
– Oh, jo Mjeshtër. Të gjithë pjesëmarrësit këtu mund të jenë të rastësishëm, përveç jush. Ju jeni laureati, jeni princi i “Kurorës së Artë” të poezisë.
Një princ i plakur…
Poezia s’plaket asnjëherë. Mosha i takon njeriut. Poezia nuk ka moshë.
Miku im, edhe poeti plaket. Ndoshta edhe diçka e rëndësishme brenda poezisë plaket.
Dialogu i mësipërm u zhvillua pa njohjen paraprake. Yves Bonnefoy bënte gjeste të ngadalta, lëkura e duarve të tij që e rrudhur. Sytë i kishte gati të kaltër. Mbrapa bebëzave unë rishikoja një djalosh të dikurshëm. mbase një krijesë të ëndrrës që unë vetë nuk e ëndërrova kurrë. Sidoqoftë, një paraardhës të largët.
Më vonë u takova disa herë me Yves Bonnefoy: gjatë ngrënies së mëngjesit në hotelin e quajtur “Drin” në manastirin e Shën Naumit si dhe në Tetovë. Isha i pranishëm edhe një një konferencë shtypi të Yves Bonnefoy.
Në katedralen e Shën Sofisë, në Ohër, u bë dorëzimi i “Kurorës së Artë” Yves Bonnefoy-it. Ishte edhe presidenti i Republikës së Maqedonisë, Kiro Gligorov.
Poeti maqedonas Jordan Plevnesh mbajti fjalën përshëndetëse. Yves Bonnefoy falënderoi për “Kurorën e Artë” dhe u shpreh se poezia është një subjekt fondamental i ekzistencës së jetës dhe i mbijetesës.
Pas mbarimit të ritit ceremonial bëra fotografi me Yves Bonnefoy dhe shkëmbeva me të dialogë të shkurtër telefonikë.
Kisha qenë edhe më parë brenda Katedrales së Shën Sofisë në Ohër. Gjithmonë më kishin mahnitur afresket e mrekullueshme të saj. Kjo katedrale ka qenë rezidenca e Patriarkanës së Ohrit’ në shekullin XVI ka punuar dhe shërbyer me titullin e lartë intelektual dhe kishtar të Protopapës edhe vetë artisti gjenial Onufri i Nekastrës. Pra këto afreske i ka parë dhe admiruar edhe vetë Onufri.
Unë i dhurova Yves Bennefoy-it librin tim të porsabotuar për Onufrin në dy gjuhë: në shqip dhe në frëngjisht. Më premtoi se do ta lexonte. I fola për Onufrin dhe poezinë e Shqipërisë pikërisht këtu në këtë katedrale.
– Kam takuar në Paris dhe kam vizituar në shtëpi një poet të madh francez, Alain Bosquet. Ju e keni njohur?
– Pa dyshin e kam njohur. Ka disa kohë që ka vdekur…
– Po, ka vdekur. Në Shqipëri janë përkthyer dhe botuar disa libra të tij poetikë. Madje me tirazhe të larta.
– E besoj, në Francë librat poetikë nuk e kapërcejnë tirazhin e 1000 kopjeve. Ja, libri im i botuar me rastin e “Kurorës së Artë” në dy gjuhë, në frëngjisht dhe maqedonisht, është një mrekulli për mua. Është gati si një album i shtrenjtë. Dhe 100 vjet të tjerë po të rroja nuk do ta shihja në botim të tillë.
– Shpresoj që së shpejti të botohet një libër i tillë i veçantë për Ju në Shqipëri.
– A është qetësuar situata në Shqipëri?
– Diçka.
– Besoj se tashmë me ngjarjet në Kosovë juve ju shtohet më shumë historia.
– Patjetër, e keni lexuar Kadarenë?
– E kam lexuar, por jo shumë. E çmoj si shkrimtar. Kam idenë se letërsia shqipe fsheh të papritura të mëdha. Ndoshta ju jeni një vend epik në Europë. Epika është gjenezë e gjithçkaje. Epika e ka lindur dhe poezinë më lirike në botë. Meqë ra fjala, ç’mendoni për poezinë që shkruaj unë?
– Sinqerisht, më duket një poezi intelektualësh e lartë. por është një poezi tipike franceze. Vetëkuptohet e thellë për tema të tilla të përjetshme si vetmia, vdekja, ankthi, lufta me absoluten. Sado të ndryshëm janë poetët francezë, sado të përjetshëm, janë përherë francezë.
-Mendoj se arketipi antropologjik i poezisë po mbizotëron botën. Origjinat etnike kanë rëndësinë e tyre. Do ta kenë këtë rëndësi përderisa të jenë gjuhët amtare. Por poezia është një gjuhë e përbotshme për të gjithë si gjuhë konceptuale e shpirtit, pavarësisht nga lëvozhgat e shpirtit, pavarësisht nga paraqitjet. Të veçantat janë një pasuri, por asgjë nuk duhet mbivlerësuar. Poezia është një nga format dhe përjetësia është pavetore.
Poezia edhe mund të përkthehet në mënyrë konvencionale. Nuk di se si përkthehet poezia ime në gjhët e të tjerëve. Më kanë thënë se në maqedonisht është përkthyer shumë mirë. Po në shqip?
– Përkthimet në shqip tingëllojnë në mënyrë të shkëlqyer Mjeshtër. Ju siguroj për këtë.
– Mbase, sidoqoftë, përkthimi është përpjekje antibabilonike, është ndërtimi i vërtetë i Kullës së Babilonisë, është një kryengritje ndaj gjestit të Zotit. Në çdo përkthim humbet diçka.
– Kjo është e vërtetë, poeti më i madh i të gjitha kohërave i liqenit të Ohrit është një shqiptar i quajtur Lasgush Poradeci. Ai kurrë s’ka për ta marrë “Kurorën e Artë”. Por ai e meriton atë po aq sa të tjerët. Për fat të keq, ndoshta s’do të përkthehet kurrë ashtu siç duhet në gjuhë të tjera. Është fataliteti i tij i përjetshëm. S’varet prej tij kjo gjë. Por ndoshta s’varet dhe nga të tjerët.
Yves Bonnefoy ka lindur më 1923. Është një nga poetët që ka gërshetuar surrealizmin me rebelizmin shoqëror. Njohës i mirë i gjuhës angleze, ka qenë profesor në disa universitete të botës dhe ka studiuar edhe në Amerikë. Yves Bonnefoy shquhet si një nga përkthyesit më të mëdhenj të Shekspirit në frëngjisht. Përveç përkthimeve të Shekspirit dhe poetit gjenial irlandez William B. Yeats, ai ka shkruar studime estetike të shkëlqyera për Stefan Malarmenë si dhe ka drejtuar ekipin e studiuesve për të botuar një diksioner të madh të mitologjive të botës antike.
Bisedat e mia me Yves Bonnefoy kanë mbetur të shënuara diku me shënime të shkurtra në bllokun që kisha me vete. Dialogët që riprodhova më sipër janë gati të përafërt, thelbi është i pandryshueshëm.
Më bëri përshtypje fakti se poeti i madh francez kishte etje të mësonte më shumë për Shqipërinë. Gjithsesi, ai premtoi se patjetër do të vinte në Shqipëri. Duke rikujtuar një varg të Viktor Hygoit se “I riu është i bukur, por plaku madhështor”, mund të them se poeti plak qe me të vërtetë madhështor. Përmes moshës së tij, pikërisht në vitin e fundit të shekullit XX, ai shikon jo më një popull, por të gjithë popujt.
Një nga momentet që unë bisedova me të ishte edhe për poetin dhe profetin mesjetar të Francës, Nostradamin. Doja t’ia thosha, por në të vërtetë nuk ia thashë se kisha shkruar një libër poetik duke përdorur si metaforë çelës emrin e Nostradamit. Në të vërtetë, të gjithë poetët janë profetë.
Dhe unë që jam më pak poet sesa arkeolog e kuptova fare mirë se duke u takuar me Yves Bonnefoy isha takuar me një profet të vërtetë.
Mirë u takofshim mjeshtër në Shqipëri!”
Por ne nuk u takuam asnjëherë bashkë në Shqipëri. Ai nuk mundi të vinte në Shqipëri, ku vepra e tij poetike është pak e njohur. Unë kam shkëmbyer disa letra me Yves Bonnefoy të cilat mund t’i botoj në një kohë tjetër më të përshtatshme. Po kështu kam patur letërkëmbim edhe me mesjetarologun më të madh francez Jacques Le Goff, i cili vdiq në 1 prill të vitit 2015 dhe që ka shkruar disa studime edhe për shqiptarët, për kultin e relikeve të Shën Nikollës tek shqiptarët e mesjetës dhe për figurën mitologjike të Melusinës së Shqipërisë. Edhe për vdekjen e Jacques Le Goff nuk pati asnjë jehonë në mediat shqiptare.
…
Duke patur në duar këtë shkrim mësoj nga mediat se ka vdekur një tjetër figurë e madhe botërore, Elie Wiesel. I lindur në vitin 1928, Wiesel ka qenë një nga të mbijetuarit të kampeve të Aushvicit dhe të Bukenvaldit në 1945. Në kampet e perqëndrimit të nazistëve Elie Wiesel i shpëtoi vdekjes por në krahun e majtë të tij mbeti tatuazhi i numrit të të burgosurit A – 7713. Wiesel emigroi në Amerikë. Ai qe një shkrimtar i shkëlqyer, eseist dhe luftëtar i paepur për të drejtat e Njeriut. Në 1986 atij iu dha çmimi Nobel për paqen. Elie Wiesel e kam takuar në Stockholm të Suedisë në një takim ndërkombëtar për holokaustin. Më pas kam shkëmbyer disa letra me të, sidomos kur ndodhi Lufta e Kosovës, kur forcat e NATO-s dhe UÇK-së bënë mrekullinë e madhe për lirinë e munguar të Kosovës në 1999.
Shqiptarët nuk mund ta harrojnë kurrë emrin e këtij burri të madh i cili shkroi artikuj dhe qe ndër kryesorët në opinionin publik botëror që dënoi gjenocidin serb mbi shqiptarët e Kosovës duke u afirmuar kështu si një mik i madh i kombit shqiptar. I paharruar qoftë gjithashtu edhe kujtimi i jashtëzakonshëm dhe i ndritur i Elie Wiesel. Amen!
