I nderuar Zoti Ambasador,
asnjëherë në jetën time s’më shkuar nëpër mend që do marr penën e t’i shkruaj ndonjë ambasadori, aq më tepër atij amerikan.
Kur isha i ri (sot jam 75 vjeç), kemi mësuar se ajo (Amerika), ishte zbuluar veçse 24 vjet pas vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit, i cili e pat nxjerr turkun prej atdheut tonë. Në fantazinë time prej adoleshenti, shtroja edhe pyetjen: a do të ishte e mundur ndonjë aleancë në atë kohë?! Vonë e kemi mësuar se Traktati i Fshehtë i Londrës, që bënte fjalë për copëtimin e mëtejshëm të trojeve shqiptare, u denoncua nga Lenini, e më vonë, flitet se u denoncua nga Uillsoni, presidenti juaj. Ato kohëra ishin të ndezura nga luftrat, kur edhe këndoheshin këngë të heronjve. Ndër ta, një këngë e jona, ngrinte lart heroizmin e një luftëtari, Mic Sokolit, i cili i qe hedhur topit nga gryka: “Të gjithë shqiptarët janë Mic Sokola… ooooheeej!” Por, në çdo memorie kënga mbetet këngë. Për pasojë, as shqiptarët nuk janë të gjithë Mic Sokola, dhe as amerikanët nuk mund të jenë të gjithë Uillsona.
Meqenëse Amerika është e madhe, ajo është bërë atdhe për aq shumë kombe. Kënaqësi edhe që Suzana Shkreli, shqiptaro-amerikane, ka plotësuar kushtet për të qenë pjesëtare e Kongresit Amerikan. Shqiptarët e kanë dashur dhe duan Amerikën, por dashuria e vërtetë është ajo e ndërsjelltë. Mirë, unë po të dua ty, por a më do edhe ti mua?!
Në vitet ‘90 u prit me madhështi Zoti Bejker kur erdhi në Tiranë, po aq me entuziazëm u prit edhe presidenti Bush. Ju e dini se shqiptarët i besuan verbërisht ambasadorit Rajerson, po ai Rajerson që ju bën thirrje deputetëve demokratë: “Mos shikoni partitë por votoni reformën”? Cilin Rajerson të besojmë, atë të viteve ‘90, apo këtë të sotmin? A nuk ishte Arvizu që e cilësoi kryeministrin burrë shteti pas 21 Janarit 2011, e më vonë? A nuk është ambasadori Lu, ai që mbështeti konsensusin për reformën në Drejtësi, e po ky ambasador shihet të takojë vrimave deputetë të opozitës. Për gjuhën shqipe që keni mësuar, ju uroj të bëheni shqiptar, por jo politikan shqiptar, mbase dyshoj se ju detyrojnë t’ju fryhen xhepat.
Do ta mbyll këtë letër të shkurtër me dy vargje të një kënge dashurie mirditore:
Lujma… lujma belin… o
Sa ta ngjesh qemerin-o!
Letër e nënshkruar,
Zef Sulejmani
