Në vend të një fejtoni,
Preng Pjetri, Lezhë
PD-ja ka bërë zbulimin e shekullit! Presidenti i SHBA Obama paska blerë votat në 2012-n, madje një nga donatorët e fushatës së tij paska qenë kryetari i opozitës Edi Rama. Sipas fallxhores së SHQUP-it dhe filxhanit të kafes së dijetarit Berisha tregon qartazi se një burrë dy metra i gjatë paska shpërndarë para vuuu nëpër Amerikë! U deshën vite dhe punë e nëndheshme me ditë se kush paska manipuluar në atë fushatë presidenciale. Desh fati dhe u zbulua. Edhe doli PD-ja jonë ja bani surprizë Edi Ramës me rastin e ditëlindjes. Unë baj habi si nuk e paskan pikasur skifterët shegerta, edepsuzët dhe gangsterët e Saliut Ramën teksa kalonte traun e terminalit në aeroportin e Rinasit! Po si dreqin u ka kaluar ashtu Edi dy metra burrë me thasë e valixhe dëng me valuta? Unë tash e besoj këtë mesele, madje thonë se Edi Rama gjatë fushatës për Obamën u paska premtuar amerikanëve se me ardhjen e PS-së në pushtet qytetarët amerikanë do të hynë e dalin pa viza në Shqipëri. Edhe këtë premtim nuk e ka mbajt Edi Rama, sot qytetarët amerikanë enden dyerve të ambasadës tonë në SHBA për një dreq vize.
Unë vë bast se nusja e Klintonit e ka të sigurt fitoren 100%, madje krejt të lehtë, pasi amerikanët s’kanë by… me dalë kundër dëshirës dhe vullnetit të qeverisë dhe popullit shqiptar! Ndaj po i lutem shqupasve, mos u bani aq zemërgur, le ta ndihmojmë edhe këtë herë motrën e vogël Amerikë, amani bre burra!
