Një studim i posaçëm fizibiliteti ka treguar se Shqipëria ka leverdi të përdorë gazin e TAP. Ky fakt është theksuar dje nga Ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri duke prezantuar gjetjet e para të draftit për Masterplanin e Gazit bashkë me përfaqësuesin i WBIF (Western Balkans Investment Framework) që ka financuar këtë studim.
“Gazsjellësi TAP që do të transmetojë gazin nga Deti i Zi në zemër të Europës nga Shqipëria është një mundësi e artë për të zhvilluar më tej biznesin në fushën e energjisë e sidomos gazit, por kjo do të ndodhë vetëm nëse Shqipëria do të mirëmenaxhojë aftësitë e saj për të hyrë në marrëveshje me TAP për kapacitet e gazit që i duhen vendit”, thuhet në studim.
Ministri Gjiknuri në fjalën e tij u shpreh se do të duhen 20 deri në 30 vite për të zhvilluar këtë sektor, një nga më të rëndësishmit e ekonomisë së vendit. Studimi paraqet dhe përcakton kërkesën për konsum në të ardhmen, si dhe për çfarë do të përdoret. “Baza kryesore e këtij plani do të jetë TAP-i, por edhe burimet që ka Shqipëria në gaz.
Ka interes në rritje për investim në gaz. Studimi ka treguar se ka gjetje të sasive jo të pakta të gazit. Ky plan duke qenë afatgjatë do të kërkojë angazhimin e shume qeverive. Kemi mbështetjen e partnereve tanë si BE, dhe jo vetëm”, vijoi në fjalën e tij ministri Gjiknuri. “Zonat kryesore përfituese do të jenë zona e Ballshit, Fierit dhe Patosit.
Gazi është i vlefshëm, qoftë për industritë dhe për familjet. Duhet të vlerësohet nevoja për gaz për të ndërtuar planin. Gazi është një portofol jashtëzakonisht i mirë për të zëvendësuar konsumin e energjisë elektrike. Nuk do të jetë e largët dita e investimeve konkrete”, cilësoi ai.
Kush do të përdorë më shumë gazin natyror?
Kërkesa totale e parashikuar për energji termike në familje, shërbime dhe industri që mund të mbulohet nga përdorimi i gazit natyror në Shqipëri është rreth 2,167 milion m3 në vitin 2040 (duke përfshirë bujqësinë dhe transportin).
Potenciali i përdorimit të gazit natyror për prodhimin e energjisë elektrike mund të jetë rreth 770 milionë m3 në vitin 2040, dhe përdorimi i gazit natyror nga rafineritë në vitin 2040 mund të jetë rreth milion m3. Zona e Tiranës dhe Durrësit përbën zonën kryesore me konsum të pritshëm të konsiderueshëm të gazit. Kontributi i sektorit rezidencial përbën rreth 32% të totalit të konsumit dhe po kaq është edhe konsumi nga sektori i shërbimeve, ndërsa sektori industrial zë pothuajse 37% të totalit të konsumit.
Për këtë arsye, rekomandohet që zona Tiranë-Durrës të konsiderohet si një qendër e përbashkët e shpërndarjes së gazit. Ndërkohë, zona Fier- Vlorë- Ballsh paraqet një trekëndësh të rëndësishëm të konsumit industrial të gazit që mund të shërbejnë si konsumatorë spirancë që do të mundësojnë gazifikimin e zonave përreth.
Përveç zhvillimit të rrjetit të transmetimit të gazit kombëtar, ky projekt është i lidhur ngushtësisht edhe me studimin e fizibilitetit të përfunduar tashmë të Gazsjellësit Jonian Adriatik (që lidh Kroacinë, Bosnjë-Hercegovinën, Malin i Zi, dhe Shqipërinë), me masterplanin e Gazit për Malin e Zi, me studimin për Unazën e Gazit të financuar nga Bashkimi Evropian që është në zbatim, si dhe me dy projektet me të fundit; atë të përgatitjes së projekt-idesë së Gazsjellësit Jonian Adriatik në Shqipëri dhe Mal të Zi, dhe studimi i para-fizibilitetit për Gazsjellësin Shqipëri-Kosovë.
