Kurum Internacional nuk paguan për privatizimin e 4 HEC-eve

anazapta

Afati ligjor për pagesën e marrjes së 4 HEC-eve nga Kurum është në limitet e tij. Por deri tani asnjë pagesë nuk është bërë nga kompania dhe burimet saktësojnë se dhe ky privatizim edhe pse i kontestuar për shitjen e tij dy kacidhe po shkon drejt dështimit.  Sipas afateve ligjore këto ditë duhet të arkëtohej nga kompania fituese e tenderit, turkja “Kurum”, fondi i përfituar nga privatizimi i 4 hidrocentraleve prej 109.5 milionë euro. Por kompania ka vënë kushtet e saj dhe negociatat kanë ngecur. Kjo për shkak se përfaqësuesit e kompanisë kërkojnë imbursimin e Tatimit të Vlerës së Shtuar, të akumuluar në vite nga administrata tatimore. Aktualisht, vlera e njohur e TVSH-së së parimbursuar për këtë kompani arrin në 3 miliardë lekë. Burime nga grupi negociator, i ngritur pranë Ministrisë së Ekonomisë, bëhët e ditur, se  “Kurum” ka kërkuar që në momentin që të arkëtojë  vlerën 109,5 milionë euro për llogari të qeverisë shqiptare, t’i rimbursohet vlera e njohur e TVSH. Por, për të realizuar këtë kërkesë të “Kurum”, nuk ka asnjë bazë ligjore, vetëm nëse ndërhyhet me vendim të Këshillit të Ministrave, sqarojnë burimet e mësipërme. Nga ana tjetër theksohet se kjo kompani është në vështirësi financiare dhe po nxjerr justifikime për të mos paguar vlerën e 4 HEC-ve, duke cuar dhe në një dështim tjetër privatizimi. Po kështu vetëm pak ditë më parë u cel fondi i qeverisë për likujdimin e biznesit ndaj të cilit ka detyrime të prapambetura, i cili është marrë nga buxheti i shtetit, me shpresën se zëvendësimi do të bëhej nga fondi i përfituar që Kurum duhet të japë për blerjen e kryer. Ishte Ministria e Financave që vetëm pak ditë më parë njoftoi celjen e një fondi prej 11.5 miliardë lekësh për  pagimin e faturave të prapambetura për kompanitë e ndërtimit që kanë kryer punime publike, kryesisht infrastrukturë. Në total, pretendimet e komunitetit të biznesit për faturat e papaguara ndaj tyre vlerësohen në rreth 20 miliardë lekë. Në këtë mënyrë zgjidhja sërish do të jetë e paplotë dhe mund të krijojë gjithashtu precedencën e shlyerjes preferenciale për kompanitë. Por në këtë rrugë që po shkon privatizimi i HEC-eve, edhe pse zgjidhja mbetet e paplotë për biznesin në likujdimin e tij, hapet një gropë e re në buxhet, duke shtuar pasigurinë tek qytetarët shqiptarë. Afro dy muaj më parë Kuvendi miraroi kontratat e shitjes së hidrocentraleve Bistrica 1, Bistrica 2 dhe Ulëz e Shkopet, kompanisë turke “Kurum” kundrejt vlerës 109,5 milionë euro. Këto katër vepra energjetike prodhojnë në vit rreth 550 mijë Megavat në orë dhe kanë një fuqi të instaluar prej 80 Megavat. Kalimi i tyre në administrim privat erdhi pas një procesi ku të paktën 4 raunde rezultuan të dështuara, çka detyroi qeverinë shqiptare që në mes të procesit të ndryshonte kriteret e garës. Megjithë kriteret e ndryshuara, duket se dhe ky proces do të shkojë drejt problemeve të mëdha, duke e renditur këtë në një nga dështimet e privatizimeve të qeverisë shqiptare.

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *