Nga Genc Melonashi
Vite më parë kur punoja si administrator i një firme të fuqishme, mbaja pas vetes një këshilltar. Nuk ishte shumë i moshuar, por se ç’kishte një lloj invaliditeti. Kur dilnim jashtë Tiranës, për respekt të moshës, e linim të rrinte në vendin e parë të makinës. E quanin Xhelal, njeri i mençur dhe shumë dinjitoz në paraqitje. Gjithmonë i blinduar… me kostum, me kollare dhe këmishë të bardhë. Në ballë kishte dy të çara, çikatriçe. Njërën në anën e majtë të ballit, mbi vetull dhe tjetrën në krahun tjetër, mbi vetullën tjetër. Që në fillimet e bashkëpunimit tonë, shfaqi diçka që edhe e vazhdoi, e cila m’u duk si një shenjë psikopatie. Sa herë që gjatë anës së rrugës ndeshnim dikë, Xhelali e përshëndeste me dorë. Por nuk mjaftonte kjo, por në përshëndetje, ai imitonte udhëheqësit tanë të dikurshëm. U bëra kurioz dhe e pyeta ç’e kishte këtë hob. Qeshi dhe më dha këtë përgjigje të gjatë:
“Babai im i ndierë, dikur ka punuar si mekanik. Që kur isha i vogël më merrte me vete si çirak. Kur mbarova shtatëvjeçaren, më futi në shkollën e rezervave, ose FZO. Aty, pas dy vitesh, u diplomova si mekanik me kategorinë e gjashtë. Nuk e vazhdova më shkollën dhe fillova punë në një fabrikë leshpunuese. Punoja si mirëmbajtës makinerish. Pas ushtrisë u riktheva po aty. Eca në zanat, por edhe në karrierë. U bëra shef reparti. Por ja që na erdhi ’91 dhe plasi demokracia. Babai në atë kohë ishte veshur kapter. Si mekanik i vjetër, kishte kaluar si armator, madje ishte bërë edhe komunist.
E pra demokracia na gjeti, mua në leshpunuese, babën si kapter. Baba ka qenë i zgjuar. Na thirri si familje dhe na porositi të bënim konvertim. Ky, konvertimi nënkuptonte të braktisnim Partinë e Punës dhe të futeshim në Partinë Demokratike. E pranuam menjëherë. Konvertimi, siç ma ka shpjeguar babai, ka qenë një traditë e hershme e shqiptarëve, madje që në kohën e pas-Skënderbeut, kur u kthyen më shumë se shtatëdhjetë përqind e popullsisë, nga kristianë në myslimanë. Dhe, po sipas babait, ata që e bënë këtë punë, nuk patën veçse përfitime. Shumica e tyre trashëguan ofiqe, pasuri…Bejlerët dhe agallarët e sotshëm, s’janë veçse pasojë e atij konvertimi. Ja kështu bëmë. Unë dhe baba jo vetëm që ruajtëm vendin e punës, por patëm edhe përfitime të tjera…
Baba si i shkathët dhe militant që ishte, fillimisht morri një kredi të majme nga shteti. Me këtë kredi arritëm të rrëmbenim, me ca çmime qesharake disa prona dhe ambiente. Filloi i famshmi privatizim i ndërmarrjeve ekzistuese me çmime dhe komisione po qesharake. Duke qenë punonjës i leshpunueses, arrita të bëhem likuidator i saj. S’kaloi shumë dhe në privatizim u bëra aksioneri kryesor e më vonë pronar i vetëm. Ja kështu. Por baba e kishte oreksin të madh. Me kreditë që kishte në ushtri, ku edhe vazhdonte të ishte kapter filluam të bënim një tregti shumë fitimprurëse. Blinim motora V2-300 të tankeve me një çmim qesharak dhe ia shisnim Albpetrolit me një çmim njëzetëfish më të lartë. Me një fjalë, për një periudhë shumë të shkurtër vumë një “mullë” të mirë ose siç thuhet, u bëmë të pasur. Shitëm shtëpitë që kishim dhe bëmë nja dy vila trekatëshe. Por oreksi i babës s’kishte të sosur. Na lindi ideja të ngrinim një fabrikë sfungjeri. Blemë pajisje moderne në Greqi dhe fabrika u bë gati. Fitimet u rritën ndjeshëm.
Aty nga viti 1995 baba më vdiq dhe unë mbeta pronar i një pasurie jo të vogël, me kapitale të patundëshme dhe para kesh në bankë. Po ja erdhën ato të mallkuarat firma piramidale. Nuk besoja fare tek ato. Por në shtëpi, veç fëmijëve, ishte edhe një person tjetër shumë i rëndësishëm, gruaja. S’e kisha vënë re se ajo kishte një neps të pakufishëm për para. Çdo ditë më gërricte veshin… “pse të mos vëmë edhe ne para në firma, të tjerët po bëjnë kërdinë?!”. I shmangesha sa të mundesha kësaj bisede. Më në fund të gjitha paratë që kishim kesh i futëm në atë pus. Erdhi 97-ta dhe unë ashtu si shumë bashkëkombas të mi fatkeqë, mbetëm me gisht në gojë. Sidoqoftë nuk mbeta aq keq. Leshpunuesja, sfungjeri, e ndonjë objekt tjetër me qira, ende prodhonin para. Vazhdova të shtyhesha me këtë pasuri. Opinioni rreth e rrotull më donte dhe kishte respekt për mua. Kam qenë dhe jam një punëtor i palodhur.
Një mëngjes, ndërsa isha duke u marrë me bahçen rreth shtëpisë, më lajmërojnë me telefon që të nisesha urgjent për në fabrikën e leshpunueses, se diçka kishte ndodhur. Duke mos qenë aq larg nga fabrika ashtu siç isha, i hipa biçikletës dhe u nisa me të shpejtë. Ishte freskët. Dëgjoja fëshfërimën e erës, fësh-fësh. Ashtu mbi biçikletë më dukej vetja si një kalorës, që diçka kishte arritur në këtë jetë. Deliri më shtohej edhe gjatë ndeshjes me bashkë-qytetarët që më përshëndesnin gjithë respekt. Por bashkë me fësh-fëshen e erës, m’u duk se edhe zërat e tyre ishin përzier në një simfoni të përbashkët me erën duke përsëritur fësh-fëshen me një “sh” disi të zgjatur, që më tingëllonte si lesh, si presh.
Mbërrij në fabrikë. Ishte vetëm roja. Më dha një lajm të pakëndshëm. Ishte shqyer një portë e njërës prej depove dhe kishin vjedhur tapete, qilima dhe ca lesh. Kuptohet që u mërzita. U futa në zyrë dhe ndërsa po lidhesha në telefon me policinë, vë re se unë isha i veshur vetëm me kanotiere dhe benevrekë… Më erdhi keq dhe për të qeshur me veten. Vetëtimthi mu kujtuan njerëzit para të cilëve kisha parakaluar minuta më parë si kalorës. Ajo “sh”-ja e tyre e zgjatur që bashkohej me fësh-fëshen e erës s’ishte veçse një shprehje e dhimbshme që më drejtohej mua… “Paska ikur për lesh…”. Vërtet që kisha ikur për lesh. Nejse por kusuret e njeriut s’paskan të sosur, kur të vjenë e keqja, hapi derën. S’kaloi shumë dhe pas ca kohësh u bë një vjedhje më e madhe. Por nuk u mbyll me kaq. Një ditë të bukur, nga një pakujdesi në saldim, apo diçka tjetër, çka nuk u muarr vesh asnjëherë, u dogj edhe fabrika e sfungjerit. U ndjeva vërtet keq. M’u duk si fundi i botës.
Prej saj nuk mbeti as nami e as nishani, përveç borxhit ende të pashlyer dhe një sasi e madhe lëndë e parë dhe makineritë. U detyrova të shisja vilat dhe leshpunuesen. Mbeta me shtëpinë më të vogël që kisha dhe kruaja xhepat. Fillova të merrja borxh. Por pa aktivitet, borxhi zinte borxhin. U zhyta keq. Nuk dija nga t’ia mbaja. Kalova disa kriza nervore. Fillova pijen, por s’gjeta shpëtim. Në një moment të fortë dëshpërimi vendosa t’i jepja fund jetës. E kisha një kobure me silenciator, të ruajtur që nga 97-ta. Ngrihem në pesë të mëngjesit, si zakonisht, dhe shkova në ballkon. Zjeva kafenë, mbusha një dopio raki dhe mora koburen. Gruaja dhe fëmijët po flinin. Pasi kisha pirë rakinë, kafenë dhe nja pesë cigare, ngjesha koburen në anën e djathtë të ballit. Futa gishtin dhe fillova të lëvizja ngadalë shkrehësin. Kur befas dëgjoj një zë. Ishte zëri i një miku budalla, i cili çdo mëngjes kalonte tek rrugica poshtë dhe më përshëndeste “Xhelal si u gdhive?” Nuk arrita t’i përgjigjem se gishti e kishte bërë punën e vet. Plumbi kishte dalë nga gryka e kobures. Veç zhurmës së shkrepjes dëgjoj edhe një kërcitje në mur.
Ndërsa prisja të vdisja, s’po vdisja. Prita vdekjen si një hero i vërtetë në këmbë, por ajo nuk erdhi që nuk erdhi. Zgjati kjo punë disa minuta. Kujtova se isha në ëndërr. Pas pak ndjej një dhimbje e mandej shoh disa pika gjaku që binin në dysheme. E mblodha pak veten. Rrëmbej një pasqyrë. Çuditërisht kisha dy plagë që lëshonin gjak. Njëra në të majtë dhe tjetra në të djathtë të ballit. Shiko! Janë këto çikatriçet mbi ballë që më kanë mbetur kujtim i asaj marrëzie që në atë kohë e morra aq seriozisht. Miku im budalla, me atë përshëndetje idiote të përçdomëngjesëse më kishte shpëtuar jetën.
Ajo kishte bërë që koburja time të lëvizte paksa nga drejtimi i vdekjes. Plumbi kishte kaluar poshtë lëkurës dhe kishte dalë në anën tjetër. Shyqyr o Zot që na ke bërë me shtatë lëkurë!, thashë me vete. Dhe ja ku jam. Jam gjallë si ti dhe të tjerë…, se do kisha ikur për lesh…”.
E ndërpreu rrëfimin se përshëndeti njeriun e radhës. E ngacmova përsëri:
-Vazhdo, i thashë.
Më tha: Më fal se përshëndeta edhe një gomar.
Ndërhyra, duke i thënë:
– Ç’është ky gomar, ai ishte një njeri që rrinte në anë të rrugës?
– Mirë atëhere, më ler të vazhdoj.
Dhe rifilloi ligjëratën e tij të çuditshme: “Të gjithë këta që përshëndes me dorë s’janë veçse gomerë. Por jo gomerë si gjithë të tjerët. Ata janë gomerët e Byridanit. Pas ’91-it, Shqipëria është mbushur me gomerë të Byridanit. E di ti se ç’janë gomerët e Byridanit? Sigurisht që nuk e di. Dhe shyqyr që nuk je një nga ata. Më ler të ta shpjegoj. Zhan Byridan (Jean Buridan) ka qenë një doktor skolastik i shekullit XIV-të. Ky njeri i mençur, që arriti të bëhej edhe rektor i Universitetit të Parisit, ka lindur në Bethune të Francës dhe ka vdekur rreth v.1358 në Paris. Ai u bë shumë i njohur nëpërmjet argumentit të quajtur “gomari i Byridanit”, në të cilin bëhet aluzion për një gjendje dileme të një njeriu që ndodhet njëkohësisht midis dy situatave, njërën prej të cilave duhet ta zgjedh.
Ai e ka paralelizuar këtë me gjendjen e një gomari, i cili, njëkohësisht i uritur dhe i etur, ndodhet në distancë të barabartë midis një traste me tërshërë dhe një kove me ujë. Gomari (si gomar që është) duke dashur të hajë dhe të pijë njëkohësisht, rri si duduk midis kësaj situate deri sa ngordh. Në filozofi kjo është quajtur me termin “liria e indiferencës”. Me pak fjalë ai mbronte teorinë se njeriu në shumicën e rasteve përjeton një gjendje fatalizmi, dileme, mëdyshjeje… E pra kjo gjendje dileme dhe pavendosmërie që kur plasi demokracia është ulur këmbë kryq këtu në Shqipëri dhe gomerët e Byridanit janë me mijëra. Edhe unë isha njëri prej tyre por ja që një budallë më shpëtoi. Detyrimi im ndaj Zotit është i madh. Unë s’jam i trashë dhe e kuptoj që atë shpëtim ma dhuroi vetë Zoti.
Kështu që, sa herë shoh njerëz që rrinë në anë të rrugës, ata më duken si gomerë të Byridanit. Ata ose ato janë njerëz në dilemë, njerëz që nuk vendosin dot nëse duhet të vrasin veten duke u hedhur në rrotat e makinës për borxhet që kanë, të vrasin burrin apo gruan për xhelozi, të vrasin vëllanë për probleme pronash, të vrasin gjykatësin, të divorcohen, të votojnë të majtët apo të djathtët, të vjedhin energjinë, të mbjellin ose jo hashash, t’ia mbathin nga sytë këmbët nga ky vend…(eh këto nuk kanë të numëruar…)
…E pra, e imagjinon dot efektin që shkakton tek një mjeran të tillë, përshëndetja ime me dorë, përshëndetja e një burri prezentabël, i hipur në një makinë luksoze? Truri i tij i trazuar keqas, sapo kap përshëndetjen time, pëson një transformim të fuqishëm. Për një moment ai harron hallin dhe veprën që do të kryejë. Fillon të mendoj se një “dikush” i rëndësishëm e përshëndeti. Sjell në mendje njerëz të fuqishëm që ka njohur, njerëz që kanë mundësira ta ndihmojnë…E kështu duke hamendësuar e shtyn veprimin e kobshëm që ka vendosur të kryejë. E pra ky veprim i thjeshtë i imi, që nuk kushton asgjë, mund të shmang një katastrofë, të shpëtojë jetë njerëzish dhe të çojë në fillimin e një jete të re tek shumë “gomerë”. Dhe së fundi, e thënë midis nesh, unë së shpejti kam ndërmend të krijoj një shoqatë jo qeveritare. Do të krijoj Shoqatën e Shpëtimit të Gomerëve Shqiptarë të Byridanit. Kjo do të jetë vepra ime e fundit në shërbim të popullit tim, si një detyrim që ma dërgoi vetë Zoti, në atë ditë të trishtueshme dhe idiote kur doja t’i jepja fund jetës.”
Këtu e mbylli ligjëratën miku im. Ka ca kohë që nuk e kam takuar. Nuk e di ç’bëri me shoqatën, por sa herë që e kujtoj, më vijnë në mendje politikanët dhe …klerikët. Jam i sigurt se ata e njohin shumë mirë teorinë e gomerëve të Byridanit. Veçse ata i përdorin “gomerët” jo për t’i shpëtuar si ç’aspiron miku im, por për t’i shfrytëzuar. Kjo është jeta, jeta e paradokseve, por unë nuk kam pikë dyshimi se Zoti i Madh, u shtie në mendje burrave apo grave të mençura vetëm ide dhe ideale të mira e të pastra, por ja që dalin gjithmonë burra dhe gra të ndyra që i bëjnë pis ato…

Shume bukur . Kjo eshte gjendja ne bote dhe jo vetem ne Shqiperi.
Genc te lumte dora.
NUK DUA TE OFENDOJ AS AUTORIN POR DHE AS MODERATORIN ME REDAKTORET
ESHTE ARTIKULLI ME I DOBET QE KAM LEXUAR NE SHTYPIN SHQIPTAR DHE NUK JA VLEN JO VETEM PER KOPERITINE -KRYE EDITORIAL POR AS PER ARTIKULL TE ZAKONSHEM.
Bravo zoti MILLONASHI! Eshte artikulli me i shkelqyer,me i bukuri dhe me nje permbajtje shume domethenese.Dihet dhe kuptohet,se aludimi,apo analogjija e gomarit te byridanit,eshte tamam per gomaret e sotem.Eshte tamam per nje gomar nga tropoja,si Sali Berisha.
Kadare të vjen anash ty o mik. Ti përshkruan bukur e me filosofi realitetin, ndërsa Moli, as ia ka idenë por i jep atij një furçe të bukur snobe.
Shume e bukur satira, zakonisht budallenjte jane shpetimtare te situates. Por c’eshte e drejta keta gomeret e Tranzicionit e kaluan fantazine e Byridanit, edhe hengren, edhe pine, edhe trasten e mbushen plot. Quaji gomere po deshe, se aq u ben!
E tera eshte filozofi dhe nje jete e vertete e shqiptareve. S’ka me bukur, por shqiptaret duhet ti therrasin mendjes per veten e tyre.
Shkrim i prere per mendje te holla e jo per gomere qe s’mungojne blogjeve.
rrofsh o kole qe e ke mendjen e holle
me gomere ,pa gomere ai vend ka rene ne humnere.
rrofshin gomeret e Melonashit dhe derivatetet e tyre.
mbaje per vete melonashin dhe gomeret e tij qe nuk i hyne me ne pune as dreqit.
a jep ndonje rruge melonashi qe te dalim nga kjo humnere qe ben gallate me gomere ?!
OH SA MIRE ME KEN……OMAR !