Entela Resuli
Ai njihet ndryshe si djali që “fluturon”. Në sportin e garave me motor të kampionatit spanjoll, pas pak ditësh (më 17 korrik në Motorland Aragon) do të kemi për herë të parë një garues shqiptar në këtë pistë.
Ai është Argëtim Ramadani, 18 vjeç, dhe motoçiklisti i parë shqiptar që merr pjesë në garat CEV Moto 3 të kampionatit spanjoll. Këto ditë gjendet në kryeqytet, pasi sapo ka përfunduar gjimnazin dhe dëshiron që studimet e larta t’i vazhdojë për Shkenca Kompjuterike, në Tiranë.
Përfituam nga rasti për të takuar këtë kampion, i cili tashmë zyrtarisht është pjesë e ekipit Pinamoto RC Corse.
“Pas një kohe shumë të gjatë më në fund ëndrra ime u bë realitet, jam shumë i lumtur që këtë sezon 2016 do të garoj në Kampionatin Spanjoll CEV në klasën Moto3 me Pinamoto RS Racing Team (RTG Spain)“, – shprehet Argëtimi për Dita-n.
Në kampionatin spanjoll Moto 3 marrin pjesë garues nga e gjithë bota dhe njihet si kampionat me nivel të lartë garuesish. Ky fakt nuk e tremb 18-vjeçarin, përkundrazi e motivon për të ecur përpara, duke bërë krenare familjen, kombin e shqiptar, dhe të gjithë ata që e mbështesin, premton Argëtimi.
Ky kampionat tërheq vëmendje dhe ka një shikueshmëri botërore, pjesëmarrësit në të janë nga vende të ndryshme të botës.
Ramadani në tri vitet e fundit ka qenë pjesë e kampionatit të Evropës Lindore në kategorinë 125 SP, ku në njërën nga to, në Serres të Greqisë, ka dalë fitues i garës.
Në të gjithë këtë histori Ramadani ka një ngërç të cilin nuk po e zgjidh dot. Për shkak se ka pasaportë maqedonase, është i detyruar të përfaqësojë Maqedoninë. Pavarësisht përpjekjeve për të marrë një pasaportë shqiptare, përsëri, ende nuk ia ka dalë. Premtimi i është dhënë, por ende sot nuk ka marrë asnjë dokument në dorë.
Është një sport që kushton dhe deri më tani, djali tregon se të gjithë shpenzimet ia ka marrë i ati përsipër, por shpreson që me marrjen e pasaportës, diçka të ndryshojë…
Në këtë intervistë për Dita-n, djali që “fluturon” me motor, tregon emocionet e garës, dashurinë që ka për këtë mjet dhe mbi të gjitha, dëshirën e madhe për të përfaqësuar Shqipërinë jo vetëm me simbole, por edhe me pasaportë.
-Argëtim, urime për arritjet e tua në fushën e motoçiklizmit, na trego pak për veten dhe për pasionin që ke për motorin?
Unë kam lindur dhe jetoj në Maqedoni, në qytetin e Kërçovës ose më mirë ashtu si e thërrasim ne, Qyteti i Uskanës! Pasioni për motorin ka lindur që në moshën nga e cila mbaj mend, për shkak se babai im gjithashtu i ka pasur dhe i ka ende pasion motorët, dhe nga ai, ky pasion ka kaluar edhe tek unë, më saktësisht që të ngas një motor kam filluar nga mosha 6 vjeçare!
-Gjatë këtyre viteve ke marrë pjesë në gara, e ke parë këtë pasion edhe si sport në të cilin duhet të garosh?
Po, kam marrë pjesë në Kampionatin e Evropës Lindore në klasën 125 SP ku edhe fillova që ta tregoj talentin tim dhe pata sukses të madh në këtë kampionat, gjë e cila m’i hapi dyert drejt Kampionateve më profesionale! Ndërkohë, për momentin jam duke garuar në Kampionatin Spanjoll, në klasën Moto3, me ekipin PinamotoRS. Ky kampionat është i një niveli më të lartë sa i përket garave me motora sportivë, kampionat nga i cili kanë dalë shumë garues të suksesshëm të cilët për momentin garojnë në MotoGP, siç janë: Marc Marquez, Pol dhe Alex Espargaro, Tito Rabat, Maveric Vinales, dhe shumë garues të tjerë!
-Kur do të mbahet gara e radhës dhe çfarë rëndësie ka kjo për ty?
Gara e radhës do të mbahet me 17 Korrik, në pistën Motorland Aragon ,në Spanjë, kanë mbetur edhe 4 gara deri në përfundim të kampionatit për këtë sezon.
Këtë sport tani mund ta quaj mënyrë e jetesës, është shumë i rëndësishëm për mua, për momentin është gjithçka. Jam duke realizuar një ëndërr që e kam pasur çdo herë, e cila është duke marrë jetë dhe çdo ditë e kaloj duke u përgatitur, duke menduar për këto gara! Por çka është më e rëndësishme, ka të bëjë me faktin që jam Shqiptari i parë dhe i vetëm që ka marre pjesë ndonjëherë në këto lloj gara dhe këtë kampionat. Dëshira ime më e madhe është që e gjithë bota, një ditë ta njohë Shqipërinë edhe në këtë sport!
-Ti jetoni në Maqedoni, por je shqiptar, cilin shtet përfaqësoni?
Unë jam duke përfaqësuar flamurin shqiptar, motori, veshja, helmeta dhe çdo gjë është në ngjyrat Kuq e zi dhe flamurin shqiptar e kam çdokund të vendosur. Por fatkeqësisht nuk e përfaqësoj dot zyrtarisht kombin tim për shkak të pasaportës, të cilën ende e kam të Maqedonisë. Duhet të pajisem me pasaportë shqiptare që të mundem edhe zyrtarisht ta përfaqësoj ngjyrat e mia, jo vetëm me zemër, por edhe me dokumente. Dua që në letrat e Federatës Spanjolle pranë emrit tim të jetë e shkruar, Albania!
-A nuk është problem që me simbole të përfaqësosh Shqipërinë dhe në dokumente Maqedoninë?
Ekipi im dhe të gjithë në Spanjë, nëpër postime, lajme e shkruajnë që përfaqësoj Shqipërinë. Vetëm në dokumente shkruan, nacionaliteti: Macedonian (MKD)
-A ke bërë përpjekje për t’u pajisur me pasaportë shqiptare?
Me përpjekjet për marrjen e pasaportës kemi filluar para shumë kohësh, nga fillimi i këtij sezoni, por procedurat po ecin shumë ngadalë dhe ende nuk kemi asnjë përgjigje!
-Po çfarë të kanë thënë nga presidenca?
Po kemi bërë aplikim, na kanë ndihmuar disa njerëz që kane lidhje me presidencën në Shqipëri, por deri më tani nuk po na japin asnjë përgjigje, vetëm thonë: do rregullohet, do rregullohet.
-Cilat janë ambiciet e tua në fushën e motoçiklizmit?
Ambiciet e mia në fushën e garave janë që të mos dorëzohem kurrë dhe çdo herë do të mundohem që të arrije sa më shumë sukses, për mua gjithçka është e panjohur, motori, pistat, puna me ekipin, vendi, dhe nevojitet kohë për t’u adaptuar më të gjitha këto, por jam duke u adaptuar shume shpejt dhe shpresoj që do të kem sukses!
-Çfarë është shpejtësia për ty?
Shpejtësia për mua është diçka e papërshkueshme, diçka që më bën të ndihem shumë i lumtur, plot adrenaline dhe emocione! Shpejtësia më e madhe që kam arritur është diku rreth 280km/h, por u bëj apel të gjithë motoristëve që të lëvizin me kujdes rrugëve. Vendi i vetëm për të provuar shpejtësinë është në pistë dhe jo nëpër rrugë publike!
