Kush do t’i vendosë pikat mbi “i”?

redaktor

Një e përditshme e Tiranës këto kohë të nxehta korriku hodhi sërish në treg termin isopolifoni, kur Presidenti i Republikës i kishte akorduar një këngëtari gjirokastrit dhe grupit polifonik “Argjiro”, titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.

Duam të dimë se a ka institucione shtetërore apo akademike, të cilët duhet të vënë pikat mbi “i” këtu tek ne, apo do të vazhdojmë të lundrojmë ashtu pa busull! Ore njerëz, po vetë fjala polifoni i ka brenda shumëzërëshat, pra aty hyjnë gjithë pjesëmarrësit e kësaj kënge kaq popullore. Pra, o të bekuar, ç’na duhet copëzimi i termit polifoni dhe pastaj duke e ngjitur si mish të huaj, fjalën iso. Së dyti, dihet se isoja është me vlerë në këngën e mësipërme të Jugut, por ajo nuk është kryesorja në këtë ansambël popullor për të dalë në krye të saj!

Po s’di si m’u kujtua një anekdotë e Nastradinit, të cilin e kërkoi Sulltani, sepse nuk kishte oreks.

“Hani patëllxhanë për këtë” – i tha humoristi i njohur dhe madhëria vazhdoi për 10 ditë këshillën e tij.

Meqenëse gjendja s’po ndryshonte, Sulltani e thirri sërish, por kësaj here, për t’i kërkuar llogari Dinit. Po ky ia ktheu nxitas e patëkeq:

“Po mirë, mos hani më patëllxhanë!”

Sulltani u ashpërsua keq me të, por Nastradini ia priti përsëri qetthi:

“Madhëri! Unë i shërbej Sulltanit dhe jo patëllxhanit”.

Kushedi kujt “sulltani” i shërbejnë ata mbështetësit e isopolifonisë! Dhe institucionet sehirisin dhe nuk vendosin për çështje kaq të rëndësishme që flasin për identitetin tonë, për të cilin janë marrë aq shumë studiues seriozë nga Veriu në Jug për polifoninë – pasuri botërore.

 

Letër e nënshkruar

IZET S. ÇULLI

Share This Article
1 Comment
  • Dr. Izet Culli eshte nje personalitet i njohur tashme jo vetem brenda kufijve shteterore, por edhe ne trojet tona shqiptare e me gjere per fjalen e tij te mencur. Me kete “copez” te shkurter kuptimplote po i jep nje shuplake Ministres se papergjegjeshme te Kultures, qe vazhdon te beje lodra fjalesh, per te justifikuar krijesen antikombetare te termit “iso-polifoni” te Vasil Toles, qe synon, si pjese e asaj politike shteterore kuislinge, tjetersimin e origjines, kultures, moralit dhe trojeve tona. Kjo po ndodh ne nje kohe kur historianet e shquar boterore bejne te kunderten, duke deshmuar vitalitetin dhe lashtesine e shqiptareve ne troje autoktone. Me shqeteson fakti qe edhe vete kryeministri Edi Rama arrin te citoje kete term shemtues djallezor “iso-polifoni”( me apo pa dashje) dhe mban ne detyre kete Ministre, kur jane ngritur ne kembe gjithe specialistet e folklorit dhe forumet kombetare te etnomuzikologjise per ta flakur kete krijese monster te Toles, duke i rikthyer dinjitetin Polifonise Skqiptare dhe folklorit shqiptar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *