Dervishi: Nuk i trembemi Austrisë së Vjenës

redaktor

Pas kalimit të pengesës së parë europiane, Kukësi synon të bëjë një tjetër hap të madh, edhe pse Austria e Vjenës është një kundërshtar tepër i fortë për verilindorët. Në një prononcim për faqen zyrtare të klubit, drejtori i përgjithshëm, Dritan Dervishi kërkon që skuadra të vazhdojë me gazin në maksimum, pa u trembur nga emri i kundërshtarit.

“Ndeshja e kthimit me Rudarin ishte mjaft e vështirë, pasi presioni ishte mbi ne. Duhej të shënonim dhe ia dolëm. Suksesi i dedikohet presidentit dhe të gjithë tifozëve tanë. Kisha besim se do ia dilnim dhe këtë ia kam komunikuar edhe çunave.

Ne jemi Kukësi dhe nuk stepemi para asnjë vështirësie. Do të luajmë përballë një kundërshtari me histori të madhe në futbollin Europian. Ne e vlerësojmë dhe e respektojmë, por asgjë më shumë se kaq. Besojmë te forca e grupit dhe jam i sigurt se mund ta kalojmë këtë tur. Për dikë mund të quhet surprizë, por për ne jo”, thekson Dervishi.

Në vijim, ai përqendrohet te merkatoja, duke falënderuar Skënderbeun për afrimin e përkohshëm të disa lojtarëve që do ta ndihmojnë Kukësin në ndeshjet europiane.

“Lilaj, Latifi janë futbollistë të mirë. Të mos harrojmë edhe futbollistët e tjerë që morëm. Guri ishte një blerje e kritikuar dhe ja tani jemi në turin tjetër falë dhe golit të tij që shpërbleu dhe djersën e të gjithë skuadrës, Dema është një tjetër lojtar që po bën mirë ashtu si të gjithë lojtarët e tjerë, por akoma duhet punë dhe sakrifica që të arrihet në nivelet që klubi ynë kërkon, shton Dervishi.

UEFA e uli dënimin ndaj klubi kuksian, duke lejuar që ndeshjet e radhës të zhvillohen në praninë e tifozëve dhe Dervishi shpreh besimin se ata do të qëndrojnë afër skuadrës si në “Elbasan Arena” ashtu edhe në Austri për ta ndihmuar skuadrën në realizimin e objektivit për kalimin e turit të dytë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *