Princesha Masako, bashkëshorte e princit trashëgimtar të Japonisë Naruhito, u largua nga ishulli aziatik për të mbërritur në Holandë e për të marrë pjesë në kurorëzimin e mbretit të ri holandez Uilliam-Aleksandër që u zhvillua sot. Jashtë ishullit aziatik nuk janë të shumtë ata që e e njohin historinë e princeshës së “trishtuar”
Udhëtimi për në Mbretërinë e Vendeve të Ulëta është i pari i saj jashtë shtetit pas më shumë se 7 vitesh. Princesha e shoqëroi të shoqin në Mbretërinë e Vendeve të Ulëta për të marrë pjesë në ceremonisë e kurorëzimit të mbretit të ri, Uilliam-Aleksandër, por Agjencia perandorake ka saktësuar se princesha Masako mund të mos marrë pjesë në evente të tjera për shkak të “gjendjes së saj”.
Historia e saj nuk është shumë e njohur për perëndimorët, por gjatë viteve, falë takimeve të zhvilluara me gazetarët dhe intervistave me persona që kanë qëndruar pranë familjes perandorake japoneze, studiues të saj kanë mbledhur më shumë detaje edhe për figurën e princeshës.
Masako Ouada ishte një studente e shkëlqyer në rininë e saj. Kishte frekuentuar universitete prestigjoze si “Harvard”-i dhe “Oksford”-i dhe zotëronte disa gjuhë të huaja: fliste shkëlqyeshëm anglisht dhe frëngjisht, e nuk ishte keq as me rusishten dhe gjermanishten. I ishte përkushtuar karrierës diplomatike edhe falë babait të saj, i cili aktualisht mbulon rolin e juristit në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë.
E diplomuar në ekonomi e në një moshë fare të re, punoi për Ministrinë e Jashtme falë ndërhyrjes së babait të saj. Puna ministrore i dha mundësinë që të takonte personalitete të kalibrit të Bill Klintonit dhe Boris Jelcinit. Ndërkohë ndiqte studimet në universitetin e Tokios, ku miku i saj më i mirë u bë princi Naruhito, trashëgimtar i fronit perandorak. Ai u dashurua me vajzën, e cila i qe dedikuar karrierës diplomatike.
Martesa e tyre më 9 qershor të vitit 1993 nuk u mirëprit në Shtëpinë Perandorake që do të kishte preferuar një grua me gjak blu dhe më të urtë se Masako. Nga ajo ditë zonjushë Masako Ouada u bë princesha Masako, bashkëshortja e trashëgimtarit të fronit.
Thuhet se as ajo nuk ishte plotësisht e bindur për martesën: heqja dorë nga një karrierë brilante për t’u futur në një botë të vetmuar dhe të ndrydhur nga etika oborrtare e rregullave zyrtare, nuk ishte maksimumi për një vajzë të re dhe ambicize si ajo. Në të vërtetë, frikërat e saj nuk ishin të pabaza, sepse që në fillim të bashkëjetesës me Naruhiton presionet për të dhuruar një trashëgimtar mashkull ishin mbytëse. Pavarësisht tentativave të njëpasnjëshme, fëmija erdhi vetëm 9 vjet pas martesës dhe ishte një vajzë. Kjo nuk i kënaqi pritshmëritë për pasardhësin perandorak.
Këto presione dhe nënshtrimi ndaj ndalimeve të shumta për shkak të detyrimeve të imponuara nga pozicioni i saj si princeshë, e çuan Masakon në një stad të rëndë depresioni, të cilin e vuan ende sot, prandaj edhe njihet si “princesha e trishtuar”.
Presionet mbi të u lehtësuan paksa para 7 vitesh, kur kunata e saj lindi Hisahiton, djalin e parë në familjen perandorake pas një pritjeje 40-vjeçare. Situata mund të rëndohet kur Masako të bëhet perandoreshë dhe kur kjo të ndodhë, mund të hapen dy rrugë për të: divorci ose heqja dorë e të shoqit nga froni. Megjithatë, vështirë që njëra nga të dyja të realizohet: Naruhito do të ngjitet në fronin e familjes perandorake dhe nuk do ta japë divorcin, mediat thonë se ai vazhdon të jetë i dashuruar me bashkëshorten e tij. Përgatiti: Dorina Gjuzi

