Më shumë se 150 studentë spanjollë kanë ndërmarrë një aventurë për të ecur në këmbë zonën e Kurveleshit. Ata kanë ngritur kamping në natyrë dhe kanë eksploruar kanionet e Nivicës. Udhëtimi i studentëve në këto anë pak të njohura nga turistët u mundësua nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit, Bashkia e Tepelenës dhe Ambasada spanjolle.
Të rinjtë kanë përshkruar me këmbë pjesën më të vështirë të rrugës, e cila vijon të jetë e paasfaltuar nga Bënça deri në Lekdush, e më pas kanë vijuar për në Progonat, Gusmar dhe Nivicë.
Kjo nismë, e cila vjen e realizuar falë përkushtimit të Auron Tares për ta bërë të njohur Kurveleshin për turistët dhe për ta kthyer atë në një atraksion turistik të jugut, ka gjallëruar zonën, e cila mënyrë kryesore të jetesës ka blegtorinë.
Bukuritë natyrore të kësaj zone kanë qenë jashtë fokusit të turistëve të huaj e vendas dhe kjo për shkak se askush nuk e ka promovuar si zonë deri më tani. E njëjta harresë vijon të jetë edhe për vendet historike të saj, si kalaja apo të tjera, të cilat janë rrënuar pasi për to nuk ka patur asnjë projekt mirëmbajtjeje.
“Shumë yje në qiell…”
Veç mikpritjes nga banorët e zonës, studentët kanë zhvilluar edhe një ndeshje futbolli me skuadrën e vendasve të Gribës, por këta të fundit janë mundur nga iberikët e famshëm sa i takon futbollit (7 me 1 për Spanjën).
“Bashkëpunimi me studentët spanjollë, u shfrytëzua për të sjellë krijimin e një modeli turistik midis zonave bregdetare dhe atyre malore. Ky model kërkon mundësitë e zhvillimit të turizmit edhe në zona rurale shumë pranë detit siç është edhe zona e Kurveleshit, malësitë e Jugut të cilat ende nuk janë prekur nga turizmi”- thotë Auron Tare.
Një zonë shumë e bukur malore e cila është larg detit vetëm 20 km, por me pamundësi infrastrukturore të përfitojë nga turizmi dhe të mirat e tij materiale.
“Është e jashtëzakonshme ndjesia që të jep kjo natyrë e ky vend, ka një aromë freskie dhe paqeje si askund. Nuk kemi parë kurrë kaq shumë yje në qiell, ka aq shumë sa duket se preken me ato majat e larta të atyre maleve aty përballë. Gjen një paqe shpirtërore që duket se vjen nga universi i cili është kaq i afërt këtu. Nuk e di, por është e papërshkrueshme, çdokush duhet të vijë e ta ndjejë këtë këtu”, është shprehur një nga studentët.
“Krahina e Kurveleshit, një zonë e pasur me mundësi për zhvillimin e turizmit të aventurës dhe kulturës tradicionalisht ka qenë e orientuar nga deti. Historikisht kjo zonë ka pasur marrëdhënie me detin por që fatkeqësisht, pas luftës së dytë botërore, ky komunikim historik u ndërpre. E harruar dhe e braktisur totalisht kjo zonë mund të kthehet në një potencial të rëndësishëm turistik nëse riaktivizohen rrugët historike të lidhjeve me detin. Për këtë arsye ne po punojmë për promovimin e rrugëkalimi Borsh-Kuç-Nivicë-Tepelenë dhe krahina e Zagorisë si një itinerar me mundësi të mëdha turistike”- tregon Drejtori i AKB-së Auron Tare.
Ky udhëtim në këtë zonë është i pari i një grupi kaq të madh udhëtarësh të huaj të cilët eksploruan kanionet e Nivicës.
Një itinerar nga Zagoria në Borsh?
Për këtë vizitë, Autron Tare tregon disa detaje. “Studentët spanjollë janë pjesë e një nisme të autoriteteve spanjolle për udhëtime në zona të pa njohura për publikun e Spanjës. Janë studentë të përfshirë në klube katolike dhe nga familje të elitës spanjolle të cilët pas udhëtimit në Shqipëri dhe Malin e Zi do të priten në audiencë në një takim që Papa Françesku organizon në Poloni në fund të muajit me rininë e shumë vendeve katolike. E dyta udhëtimi në këtë zonë përpos njohjes së vendit dhe shpresës për banorët se mund të zhvillohet turizëm edhe në këtë zonë është një shembull konkret mbi rëndësinë e ekonomike të turizmit”.
Ai tha se për tri ditë studentët shpenzuan para duke blerë prodhime vendase dhe sigurisht nëse turizmi do të ishte më i organizuar, nuk do të flinin jashtë por në bujtina turistike të zonës ku impakti ekonomik do te ishte më i madh. Pra, në një udhëtim të tillë për disa ditë shpenzohen disa mijëra euro nëse shikojmë në perspektivë jo 150 studentë, por 15 mijë apo 50 mijë turistë që flenë haneve, marrin guida vendase apo blejnë prodhime vendase të zonës, mund të kuptohet fare mirë rëndësia e madhe ekonomike e këtij modeli.
“Ne mendojmë se lidhja e kësaj zone me detin do të forconte shumë jo vetëm zhvillimin e kësaj zone, por edhe vetë produktin e detit e cila mund të ofrojë diçka ndryshe për të gjithë ata turistë që qëndrojnë në plazhet e jugut. Të mos harrojmë se rritja e numrit të udhëtarëve në këto zona zhvillon potencialisht bujqësinë dhe blegtorinë vendase e cila mund të furnizojë të gjithë turizmin bregdetar jugor me prodhime bio vendase. Pra, përfitimi ekonomik është i dyfishtë. Ky është koncepti ynë i cili ka gjetur mbështetje edhe nga Banka Botërore e cila në kuadër të projektit të zhvillimit të jugut po shikon mundësinë e financimit të këtij modeli të integruar”, thotë Auron Tare.
Në përfundim të kësaj aventure, Tare shkruan se ky udhëtim tregon se kjo zonë mund të kthehet fare kollaj në një zonë të rëndësishme për turizmin malor, aventurën dhe zbulimin e disa bukurive natyrore fare të panjohura.
“Një falënderim për të gjithë mikpritësit e Kurveleshit, sidomos djemtë e Nivicës për dashurinë dhe respektin që treguan për studentët spanjollë. Faleminderit ekipit te futbollit të Nivicës që u përpoqën të mundnin spanjollet edhe pse pa sukses. Në fund një falënderim për Kryetarin e Bashkisë Tepelenë për mikpritje e treguar. Ky udhëtim tregon se kjo zonë mund të kthehet në një zonë të rëndësishme të turizmit të aventurës dhe kulturës”, shkruan Auron Tare.
Gjithashtu po shihet mundësia e krijimit të një itinerari nga Zagoria në Kurvelesh, Kuç për të dalë në Borsh dhe anasjelltas. Një projekt që do ta zhvillonte së tepërmi jugun, i cili ka resurse të mëdha natyrore, historike e kulturore.





E falnderoj Auron Taren , per kete lidje turistike , qe I ben detit te Vlores me zonen malore te Kurveleshit . Kjo mundesi e lidhjes se Plazheve me malin , ekziston ne te tere zonen bregdetare . Turistet te mos kufizohen vetem ne qytetet e bregdetit , por te futen ne fshatrat malore blegtorale . Ne Amerike ekipet turistike , flene ne stanet e Texasit , ku ende zhvillohet blegtoria nomade e gjedhve te mishit , me barinj kaubojsa . Keto lloj udhtime I ndermarrin ekipe te shkollave , qendrave te medha te punes dhe artistet e filmave . Nje kombinim I shkelqyer I bregdetit me malin si burim I ozonit , por dhe I ripopullimit te fshatit . I. Foto
Ja keshtu duhet punuar per perspektiven. Ide mjafte e bukur dhe me kembe ne toke. Ju lumte organizatoreve. Dhe rruga turistike Zagori, Hormove, Lekel, Uji i ftohte i Tepelenes, Luzat, Buza e Bredhit, Lekdush, Progonat, Gusmar, Nivice, Kuç, Borsh eshte nje mrekullie vertete. Po ka plote itinerare te tjera interesante. Vetem duhet vullnet e dashuri per zhvillimin e ketij turizmi mjaft ineresant. Dhe ne vere malet e gjithe kesaj zone jane plote me stane, qe mund te organizohen si pika te veçanta turistike, me fjetje e guzhine tradizionale, me prodhime bio e bime medicinale, me qumeshtin, kosin, dhallen e gjalpin e fresket, me mishin ne hell e harapashin e kukurecin etj. Urime e perpara me suksese te tjera. Potenciali turistik i kesaj zone eshte i jashtezakoneshem.