Punimet për shndërrimin e hotel Dajtit në Bankë nisin këtë vit

redaktor

Punimet për të shndërruar Hotel Dajtin në ambiente për Bankën e Shqipërisë do të nisin këtë vit. Banka  e Shqipërisë ne planin e  zhvillimeve afatmesme 20016-2018 ka njoftuar se gjatë vitit 2015, kanë përfunduar procedurat për marrjen e lejeve nga institucionet shtetërore për punimet në godinën e hotel Dajtit dhe brenda vitit 2016 do të realizohet procedura e prokurimit dhe fillimi i punimeve të rikonstruksionit.

Banka sqaron se përfundimi me sukses i rikonstruksionit të ish-Hotel Dajtit do të bëjë të mundur akomodimin në kushte optimale të personelit të Bankës së Shqipërisë për një periudhë afatgjatë, duke siguruar njëkohësisht proceset e punës së institucionit dhe ruajtjen e vlerave historike kulturore të ndërtesës.

Zhvillimet kanë shoqëruar aktivitetin e Bankës së Shqipërisë këto vite kanë bërë që kërkesat për hapësira ndërtimore për të ushtruar aktivitetin e saj ditor të rriten në vazhdimësi.

Në  qershor të vitit 2010, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi blerjen me prokurim të drejtpërdrejtë të Hotel Dajtit me fond limit 4.148.400.000 (katër miliard e njëqind e dyzetetetë milionë e katërqind mijë) lekë.

Pas kësaj blerjeje mund të thuhet se tashmë Banka e Shqipërisë zotëron dy nga godinat me të spikatura të qendrës së Kryeqytetit shqiptar, Tiranës.

Banka e Shqipërisë, në kuadrin e restaurimit të ndërtesës, ka hartuar planet për funksionimin e ndërtesës në shërbim të veprimtarisë së saj.

Burimet zyrtare te Bankës pohojnë se restaurimi do të kryhet në përputhje me idetë fillestare të arkitektit Bosio, por të përshtatura me kushtet e kohës, pa harruar edhe ambientin e gjelbëruar përreth tij.

Kjo godinë me bibliotekën shumë të pasur të saj do të jetë një dritare e kontaktit të drejtpërdrejtë me publikun veçanërisht më kërkuesit, akademikët, studentët dhe median.

Me sipërfaqen e saj të madhe dhe vendndodhjen fizike, godina plotëson kërkesat e Bankës së Shqipërisë për zgjerimin e strukturës.

Godina është ndërtuar rreth viteve ’30, nga Gherardo Bosio, një arkitekt fiorentinas  i shkollës së “racionalizmit“ të shekullit XX, dhe e dizenjuar në detaje nga Gio Ponti, i konsideruar si babai i dizajnit modern evropian.

Nga këndvështrimi historik, hotel “Dajti“ për qytetarët e Tiranës ka qenë një nga veprat më të spikatura  dhe njëkohësisht më të lakmuara. Eleganca, pajimet dhe mobilimet e hotelit ishin të një niveli të veçantë, në përputhje me rangun e tij.  Në planin rajonal, kjo ndërtesë është vlerësuar për shumë kohë si hoteli më modern i Ballkanit./monitor

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *