POPULLORE TË STILIZUARA

redaktor

1. Vdiqa dhe u ngjalla

Piva ujë në dhjetë burime,
etja nuk m’u shua,
s’ka burim që të ma shuaj,
veç buzëve të tua.

Notova në dhjetë liqene,
gjersa zuri dita,
po kur rashë në sytë e tu,
o bo-bo ç’u mbyta!

Kalova në dhjetë zjarre,
zjarret i durova,
po kur rashë në zemrën tënde,
oh-ç’u përvëlova!

Kalova në dhjetë male,
s’më lojti qepalla,
po kur rashë në gjirin tënd,
vdiqa dhe u ngjalla!

Tetor 2003

2. Më mirë ëndërromë!

O Vito qepalla,
halë e hollë gruri,
më dogje të gjallë,
më lojte nga truri!

Cicëzat e shkreta,
cicëzat me maja,
lermë t’i puth njëherë,
se s’bëhet hataja!

Lermë t’i puth njëherë,
Vito-moj lanete,
se i ke të tuat,
por s’i ke për vete!

– Nuk i kam për vete,
por as ty s’t’i jap,
po t’i dhashë njëherë,
ti m’i kërkon prapë!

E duron dot zjarrin,
a mund të përgjigjesh?
Më mirë ëndërromë,
sa në zjarr të digjesh!

05.03.2004

3. Pa titull

Kur dilje atje te bregu,
si nuk pëlciste jeleku?!
Nga sisat që mbante brënda,
rrumbullake si dy hëna.

Ftujë-moj e bardha-ftujë,
botënë bëre rrëmujë,
sisët e tua me nam,
djemtë i marrin nishan.

Nga nishani me shigjetë,
s’vritesh ti-po vriten vetë.

28.01.2004

4. Moj nepërka pika-pika

Moj nepërka pika-pika,
që të thonë dhe Vasilika,
në sokak të ngushtë të prita,
të prita sa zuri dita.

Ti më dole nga gëmusha,
dhe më kafshove te gusha,
nepërkë medet-medet,
helmi yt m’u bë shëndet!

Ndaj me gurë s’të godita,
po të putha gjithë dita,
ti po flakë e unë shpuzë,
sa u shkrinë të shkretat buzë.

Moj nepërka pika-pika,
njëmijë vjet t’u bëftë dita!

Gusht, 2004

Share This Article
2 Comments
  • Ne shpirtin e ketij eshte cajupi.
    E lexoj me shkojne lot dhe me duket vazhdimesi e vargjeve te cajupit.
    Ndoshta njerezit e medhenj nuk vdesin po shpirti i transferohet tek dike tjeter.
    Sma mbush dot njeri mendjen qe ky nuk eshte cajupi. Merreni lexojeni dashurine e cajupit.
    O arben duka o kollosperulje

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *