Për të aplikuar në një program studimi të ciklit të dytë “Master Shkencor” në Universitetin e Tiranës, kandidatët duhet të kenë patjetër të mbrojtur me një certifikatë të njohur ndërkombëtarisht një prej pesë gjuhëve të huaja kryesore të Bashkimit Evropian: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht ose spanjisht, në nivelin gjuhësor B1.
Vendimi i senatit ka ardhur në përputhje me Udhëzimin Nr.52, datë 03.12.2015, “Për përcaktimin e niveleve të gjuhëve të huaja dhe testeve ndërkombëtare, për pranimet në programet e studimit të ciklit të dytë dhe të tretë, në institucionet e arsimit të lartë”.
Udhëzimi i MAS-it i miratuar në dhjetor 2015, parashikon mbrojtjen e një prej pesë gjuhëve të huaja kryesore të BEsë, ndërkohë që jemi në muajin korrik dhe MAS-i ka lidhur marrëveshje vetëm për gjuhën angleze dhe frënge, ndërsa për tri gjuhët e tjera nuk ka asnjë subjekt që e ofron këtë shërbim.
Në faqen e saj zyrtare, MAS-i njofton studentët e interesuar për pranimet në programet e studimit të ciklit të dytë dhe të tretë si dhe programet e integruara të ciklit të dytë, se ka certifikuar subjektet e para për ofrimin e testeve ndërkombëtare dhe lëshimin e certifikatave për gjuhën angleze. Subjektet private janë: S.T.A, British Council – Dega Shqipëri, English Cultural Institute shpk.
