(Jashtë radhe)
Kuvend më të degraduar,
nuk ka pasur Shqipëria,
po për të bërë Drejtësinë,
këtij i ra llotaria!
Gati gjysmë e deputetëve,
janë në gjendje të mjeruar,
saqë dhe emrin e tyre,
e kanë vështirë për ta shkruar!
Herë pas here dhe me zë,
disa e kanë deklaruar,
se të futurën në listë,
shtrenjtë shumë e kanë paguar!
Mbasi bëhet deputet,
pastaj njihet historia,
korrupton njerëz të tjerë,
që të bëjë paratë e tija!
Po s’i bëri-bën hatanë,
të ikën fare nga grupi,
me libër shtëpie shan,
atë që në listë e futi!
Ky është pak a shumë tek ne,
modeli i deputetit,
që pastaj zbret shkallë-shkallë,
në çdo qelizë të shtetit!
Shumë rrallë janë emëruar,
sipas dijes dhe meritës,
ndaj zotnia korrupsion,
është super ulëritës!
Fjala vjen-nëpër gjykata,
mos të shkeltë kurrë këmba,
se aty pa diskutim,
janë gjobat më të rënda!
Ata fitojnë aq shumë,
ca gojë “të liga” thonë,
sa do t’u duket qindarka,
rroga katër milionë!
Për prokurorë e gjyqtarë,
vërtetë që në hall ne jemi,
se ngado që ta përdredhësh,
kemi veç këta që kemi!
Me refuzimin e fundit,
Lulashi po na vë brirët,
politikë e korruptuar,
s’mund të zgjedhë më të mirët!
Secili do propozojë,
sipas formulës së artë,
dhe besnikët do të jenë,
në numër të barabartë!
Komisioni gjashtë me gjashtë,
që quhet hibrid i ri,
e pamundur të sakatojë,
as dhe vetëm një njeri!
Kësaj populli i thotë,
sit e sit e mos gatuaj,
ndaj kërkojmë për përzgjedhjen,
një trupë me ekspertë të huaj!
Kjo mund të interpretohet,
si cenim sovraniteti,
po kjo do jetë e përkohshme,
sa të rimëkëmbet shteti!
Të paktën-herën e parë,
të huajt të jenë patjetër,
dhe të ikin-kur të iki,
gjithë politikë e vjetër!
Nëse nuk i do të huajt,
Luli trimi-sharlatani,
përse e citon Venecian,
tamam si libër Kurani!
Si sureve të Kuranit,
çdo neni i referohet,
se asnjë germë e Kuranit,
asnjëherë s’mund të ndryshohet!
Zgjedhjen s’mund ta ketë në dorë,
politikë e korruptuar,
s’mund të ketë nga këta njerëz,
drejtësi të reformuar!
Lulashi s’na i hedh dot,
me formulën që ka kryer,
se ata gjithnjë do zgjedhin,
mostrat që u kanë shërbyer!
