Drejt fundit të një Evrope sipas oreksit

redaktor

Evropianët do të mblidhen në Bratislavë të Sllovakisë, në mes të muajit shtator, për të diskutuar reformimin apo modelimin e mundshëm të Bashkimit Evropian. Rezultati i referendumit britanik do të ishte shtytësi i mëtejshëm, drejt logjikës së nevojshme për reformim. Nevojë, që ka lindur dhe është theksuar nga një sërë krizash, që kanë shfaqur përplasje në nivele të ndryshme vendimmarrje. Një sërë personalitetesh në fushën evropiane, nuk kanë reshtur në apelin e tyre për domosdoshmërinë e këtij reformimi. Nga ana tjetër, edhe opinioni publik i qytetarëve evropianë, kërkon një Evropë, që të jetë më aktive në fushën e punësimit, të ekonomisë, të sigurisë dhe menaxhimit të përbashkët të flukseve të migrimit.

Vendimi për largim i Britanisë së Madhe, edhe pse mendohej të shkaktonte frikë për një efekt të mundshëm zinxhir, shfaqi elementë krejtësisht të kundërt me të, rritje të mbështetjes për Bashkimin Evropian. Edhe sondazhi i Institutit Ifop, i zhvilluar pas rezultatit të Brexit, në 6 vendet themeluese të Komunitetit, jo vetëm e shfaq të përforcuar mbështetjen ndaj Bashkimit Evropian, por duket se efekti i shkaktuar në Britaninë e Madhe, pas referendumit, ka luajtur rolin e një vaksinimi të “shëndetshëm”.

Ndërkohë plani për reformimin e Evropës, është në proces. Parlamenti Evropian, ka disa kohë që ka filluar punimet në këtë drejtim. Një sërë kontributesh, nga figura të njohura të familjeve të mëdha politike të Asamblesë, tashmë janë të depozituara në formën e raporteve.

Këtë javë (12.07), i ngarkuari për raportin e evoluimit të mundshëm institucional të BE, jashtë kuadrit të traktateve ekzistuese, ish kryeministri belg Gi Verhofstadt dhe kreu i liberalëve në PE, do të prezantonte projektin e tij. Draft-raporti i prezantuar në Komisionin e Çështjeve Kushtetuese në PE, do të bëhet pjesë e punimeve klasike në gjirin e komisioneve parlamentare, me depozitime të amendamenteve dhe debate. Objektivi i Parlamentit, konsiston në daljen së shpejti ndoshta brenda disa muajsh, të një propozimi gjithëpërfshirës, bazuar në këto raporte.

Ish Kryeministri i Belgjikës, i përket linjës federale, të një Evrope më efikase, më konkrete, me pushtet dhe mekanizma të përqendruar dhe me një lidhje më të drejtpërdrejtë me qytetarin evropian. Plani i tij, fillimisht godet problematikat e njohura, si strukturat e gjera institucionale dhe jo efikase, kompetencat e panevojshme deri në ndërhyrje të detajeve, që duhet t’i përkasin vendeve anëtare. Modelimi i ri institucional, sipas këtij plani, synon të bëjë Unionin më efikas në ato çështje, ku qytetarët evropianë, jo vetëm shikojnë, por edhe kërkojnë një vlerë dhe veprim të shtuar të bashkëpunimit evropian, si në fushën e politikës së jashtme, në fushën e mbrojtjes, në luftën kundër terrorizmit, në fushën e ekonomisë, në fushën e migrimit dhe në politikat e azilit. Në të njëjtën kohë, ky plan kërkon që të kufizohet tendenca e Komisionit për të hartuar direktiva të detajuara, që perceptohen gjerësisht si të padëshiruara. Bëhet fjalë për direktiva, që kanë fuqinë e ligjit dhe duhet të adaptohen në të drejtën kombëtare, ku rasti klasik i ekzagjerimit të kësaj kompetence  deri në një absurditet qesharak konsiderohet Direktiva mbi standardet e bananes dhe të kastravecit, ku specifikohet se banania nuk duhet të jetë më pak se 14 cm e gjatë dhe të mos ketë forma harkimi të çuditshme (!) dhe se kastraveci duhet të jetë i drejtë dhe i harkuar jo më shumë se 1/10 e tij ! Duke detyruar shmangien, apo hedhjen e këtyre produkteve, në rast se nuk i përgjigjen këtyre standardeve.

Anëtarësim i plotë dhe “Status i Asociuar”

Propozimi i njohur i Evropës së dy klasave, në planin konkret të Verhofstadt, vjen më i zbutur, në formën e dy lloj anëtarësimesh në BE, anëtarësim i plotë me të drejta të plota dhe anëtarësim i asociuar, pra me të drejta të pjesshme.

Synimi, sipas Verhofstadt është pastrimi i kaosit institucional, që është krijuar pas dekadash kompromisi, që kanë rezultuar në një “Evropë sipas menysë”, bazuar në pjesëmarrje në një fushë, mos pjesëmarrje në një tjetër dhe me raste përjashtimesh, sipas orekseve të ndryshme. Por, e veçanta në tekst, vjen tek propozimi për të inkuadruar Britaninë e Madhe në këtë format bashkëpunimi, pas vendimit përfundimtar për dalje nga Unioni. Një status, që sipas Verhofstadt mund t’i akordohet edhe Norvegjisë, apo një ditë edhe Turqisë.

Ky organizim i ri, mund të përdoret si një kornizë edhe për bashkëpunimin e ardhshëm BE-Britani e Madhe. Organizimi aktual që ka BE, sipas Verhofstadt, është i pakuptueshëm për evropianët, pasi Evropa sipas menysë, i frenon shtetet anëtare të tregojnë një angazhim më të madh në projektin evropian. “Nëse ne duam t’i japim Unionit më shumë drejtim, duhet t’iu kthehemi ideve të baballarëve themelues, që propozuan një sistem të pastër, në të cilin vendet duhej të zgjidhnin mes Anëtarësimit të Plotë dhe Statusit të Asociuar.”

Sistem me dy dhoma 

Për të bërë Komisionin Evropian më efikas dhe më pak burokratik, Verhofstadt propozon ta kthejë atë në një qeveri efektive me 12-15 ministra evropianë. Ai shkurton, numrin e zëvendëspresidentëve, duke sugjeruar vetëm dy, një për Politikën e Jashtme dhe një për Financat. Kjo qeveri evropiane duhet të kontrollohet nga një sistem me dy dhoma: Parlamenti Evropian dhe Këshilli Evropian, në të cilën prezantohen vendet.

“Ne, duhet t’a bëjmë Komisionin më të përshtatshëm dhe më efektiv. Ne nuk kemi nevojë për 28 komisionerë për të cilët është e vështirë të gjesh 28 portofola. Një qeveri e re evropiane, duhet të fokusohet mbi çështje të mëdha, ku integrimi evropian ka një vlerë të vërtetë të shtuar, ndërsa i lë hartimin e direktivave më të detajuara Shteteve Anëtare.” 

Këshilli Evropian (shefat e shteteve dhe të qeverive) dhe Këshilli i BE (Ministrat sipas fushave përkatëse) propozohen të skicohen në një trup të vetëm, në Këshillin e Shteteve, që do t’i delegojnë disa kompetenca në fusha përkatëse këshillave të specializuar. Çdo vend do të vendosë përfaqësues it (ministra apo parlamentarë) e tyre në këto instanca. Parlamenti Evropian, do të zgjidhet mbi bazën e dy votave të çdo qytetari, një mbi listat kombëtare dhe një mbi listat evropiane. Secili prej këtyre tre institucioneve do të ketë të drejtë iniciative legjislative dhe parlamentet kombëtare do të kenë një “kartë jeshile” që do t’i mundësojë atyre t’i paraqesin propozime legjislative Këshillit të Shteteve. Pra, një modelim që krijon një bërthamë institucionale më efikase, por edhe krijon hapësirë për një lidhje më të drejtpërdrejtë mes qytetarëve, përfaqësuesve të tyre në asamblenë kombëtare dhe instancave legjislative evropiane.

Kod konvergjence 

Në mënyrë që ekonomia evropiane të jetë më konkurruese, Verhofstadt propozon një kod konvergjence me standarde minimale dhe maksimale në politikat social-ekonomike, si reformat e tregut të punës dhe reforma e pensionit. Shtetet anëtare, që provojnë se janë të aftë dhe dëshirojnë të reformojnë, do të jenë pjesë e një sistemi të përbashkët borxhesh, që i lejon ata të paguajnë përqindje më të ulëta interesi, si një rezultat i likuiditeteve më të mëdha të burimeve të kombinuara.

“Rritja evropiane dhe Pakti i Stabilitetit, i bazuar në gjoba kanë shfaqur kufizimet e tyre. Ne duhet ta plotësojmë atë, me një përqasje më pozitive në të cilën vendet janë të inkurajuara të bëjnë reformat e nevojshme.” 

Propozimi i Verhofstadt synon që qeverisja ekonomike të mbështetet nga një buxhet evropian të bazuar në të ardhurat e tij dhe një thesar evropian.

Draft-raporti i paraqitur në linja të përgjithshme, do të bëhet pjesë e punimeve në vijim të Parlamentit Evropian, që pritet të dalë ndoshta në muajin tetor, me një propozim gjithëpërfshirës, duke konsideruar edhe elementët e kontribuueseve të tjerë të ngarkuar në këtë drejtim. Mbledhja e radhës e Bratislavës, ndoshta do të përforcojë linjat e një orientimi të përgjithshëm, mbi reformimin e nevojshëm të Evropës. Në projektin e tij, Verhofstadt ka përforcuar idenë se 60 vjetori i Traktatit të Romës do të ishte momenti i duhur për modernizimin e Evropës dhe hartimin e një konvente me synim përgatitjen e Bashkimit Evropian gati për dekadat në vijim. Një përgatitje që e ka të domosdoshme thellimin e aksit franko-gjerman. Për Berlinin, dalja e Britanisë së Madhe, është një shans për vazhdimin e ndërtimit të Evropës së Mbrojtjes dhe të Sigurisë. Së fundmi, Gjermania ka shfaqur edhe një kthesë në diplomacinë e saj të angazhimit në fushën e mbrojtjes, nëpërmjet miratimit të Librit të Bardhë dhe kuadrit rishikues të pozicionit të saj, në marrjen e përgjegjësive në zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare. Pra, kemi një konfirmim të vullnetit për luajtjen e një roli më aktiv në skenën ndërkombëtare. Mekanizmi evropian, në tërësinë e tij ka forma të ngadalta avancimi, por në kontekstin e zhvillimeve të brendshme, rajonale dhe ndërkombëtare që imponojnë bashkëpunim dhe vizion, ai është i detyruar të ri-pozicionohet, të ri-përshtatet dhe të rishikojë strategjitë e tij. /DITA/

Share This Article