Viti i ri mësimor 2016-2017 do të nisë me 13 shtator në të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar në vend. Urdhri i firmosur tashmë nga Ministria e Arsimit dhe ajo e Mirëqenies Sociale ka përcaktuar strukturën e vitit të ri shkollor, duke planifikuar në mënyrë të detajuar periudhat e mësimit, pushimeve dhe provimeve kombëtare, për nxënësit e arsimit 9-vjeçar, si dhe shkollave të mesme. Në të gjitha nivelet mësimi do të nisë me 13 shtator, për të përfunduar më herët për nxënësit që do të japin provimet e lirimit dhe të maturës. Bashkangjitur shkrimit gjenden të detajuara të dhënat konkrete në lidhje me afatet e ndjekjes së mësimit, pushimeve dhe testimeve kombëtare. Muaji qershor do të jetë vendimtar jo vetëm për nxënësit e klasave të 9-ta, por edhe për maturantët, të cilët duhet të kalojnë në testimet kombëtare për të vijuar më tej studimet e shkollës së mesme dhe atyre universitare. Autoritetet e arsimit bëjnë me dije se urdhri tashmë është dërguar në të gjitha institucionet arsimore të vendit, të cilat gjatë kësaj periudhe do të bëjnë përgatitjet përkatëse sa i takon përshtatjes së ambienteve, bazës didaktike dhe rishikimit të nevojave për stafin e mësuesve që nevojiten në funksion të zhvillimit të vitit të ri shkollor. Në nisje të muajit shtator do të bëhen edhe lëvizjet e reja të arsimtarëve nëpër shkolla. Për vendet e lira të punës që do të krijohen si shkak i daljes së shumë mësuesve në pension, apo shtimit të fluksit të nxënësve që do të regjistrohen për herë të parë, për të siguruar një kontratë pune do mund të aplikojnë edhe kandidatët e rinj që arrijnë të kalojnë në provimin e licencës që kanë nisur të zhvillohen sipas datave të përcaktuara për të gjitha specialitet nga Agjencia Kombëtare e Provimeve. Sipas autoriteteve të kësaj agjencie, provimet e shtetit për licencat e reja në mësuesi do të zhvillohen me tre turne deri në datën 5 gusht. Ndërkohë që janë shpallur edhe listat zyrtare dhe datat e testimit për mbi 2500 kandidatët që testohen përgjatë këtij muaji për licencën profesionale të mësuesit sipas 24 profileve lëndore. Kandidatët që do të vlerësohen në testimin me alternativa, me më pak se 50 pikë, nuk do të pajisen me licencën, pasi rezultojnë mbetës. Nëse kandidati nuk e merr provimin me herën e parë, kur ta japë atë sërish, duhet të paguajë një tarifë edhe më të lartë. Tarifa vjen në rritje, për çdo provë të dështuar të kandidatit. Mësuesit që nuk arrijnë të marrin provimin pas 5 tentativash, nuk kanë më të drejtë të ushtrojnë profesionin për të cilin janë diplomuar, pasi kaq është dhe numri maksimal i mundësive që ligji jep për të fituar licencën e një profesioni të rregulluar. Pas mbylljes së këtyre provimeve, MAS pritet të bëjë publike edhe rregullat e konkurrimit që do të zbatohen për emërimet e reja në arsim.
Struktura e vitit të ri shkollor 2016-2017
Në arsimin bazë
• Mësimi fillon me 13 shtator të 2016-ës dhe do të mbarojë me 9 qershor të 2017.
• Do jenë dy faza pushimesh gjatë vitit. Konkretisht pushimet e para do të fillojnë 24 dhjetor të këtij viti, për të përfunduar në 3 janar të 2017-ës. Nxënësit do të kenë edhe një fazë të dytë pushimesh edhe cila parashikohet në datat 31 mars deri në 2 prill të vitit që vjen.
• Sipas afateve të vendosura në urdhrin e MAS, provimet e lirimit për klasat e 9-ta do të zhvillohen ndërmjet datave 10-30 qershor të 2017-ës.
Arsimi i mesëm
• Edhe në shkollat e arsimit të mesëm mësimi do të fillojë me datën 13 shtator, për të përfunduar në 16 qershor të vitit pasardhës. Ndërsa për maturantët mësimi planifikohet të mbarojë më herët, përkatësisht me 31 Maj të 2017-ës.
• Për nxënësit e gjimnaze do të ketë vetëm një periudhë pushimesh që i korrespondon periudhës së ndërrimit të viteve.
• Ndërkohë që edhe provimet e maturës do të zhvillohen përgjatë muajit qershor.
Arsimi Profesional
• Për nxënësit e arsimit profesional mësimi do të fillojë me 13 shtator dhe do të përfundojë me 16 qershor të 2017-ës për nxënësit e klasave të 10-ta (për të gjitha strukturat), për nxënësit e klasave të 12-ta (për strukturën 2+2) dhe për nxënësit e klasave të 11-ta dhe të 12-ta (për strukturën bllok 4-vjeçare. Mësimi do të mbarojë me 2 qershor të 2017-ës, për
• nxënësit e klasave të 11-ta dhe të 12-ta (struktura 2+l+1) dhe për nxënësit e klasave të 11-ta (struktura 2+2). Ndërkohë që me 23 maj të vitit që vjen mbyllet procesi mësimor për të gjithë nxënësit e shkollave profesionale që janë maturantë.
• Edhe për këtë kategori nxënësish parashikohet vetëm një periudhë pushimesh në sezonin e dimrit.
• Sa i takon provimeve, në urdhrin e MAS përcaktohet se provimet përfundimtare të Nivelit I dhe II zhvillohen në periudhën 5-16 qershor të vitit që vjen. Ndërsa testimet përfundimtare të Nivelit III do zhvillohen në periudhën 24-30 maj të 2017-ës. Ndërkohë që për nxënësit e viteve të fundit, provimet e maturës shtetërore do të zhvillohen po në të njëjtat afate sikundër janë përcaktuar për nxënësit e shkollave të tjera të mesme, përgjatë muajit qershor.

po paraprovimet ne cfar datash jane