Ekonomia në rënie të lirë

editor

Korrupsioni, ndikimi i grupeve të interesit të lidhura ngushtë me politikën që kërkojnë të pasurohen shpejt dhe pa vizion, rreziku i lartë rregullator që rrit kostot e investimeve kapitale afatgjata, dhe një kapital njerëzor ndër më pak konkurruesit në rajon, janë faktorët kryesorë në dështimin e privatizimeve dhe në abuzimin kolosal që po ndodh me burimet tona natyrore sot.

Ekonomia është në buzë të greminës, pasi qeveria nuk ka realizuar të ardhurat dhe po fryn shpenzimet. Një rritje e borxhit e pamenduar mirë, pa u siguruar që nuk do të shpërdorohet, ose për qëllime thjesht afatshkurtra rrit rrezikun për ekonominë tonë. Sipas të dhënave më të fundit, borxhi publik në Shqipëri në raport me prodhimin e përgjithshëm bruto ishte rreth 63% në fund të vitit 2012. Ky nivel është nga më të lartët në Evropën Juglindore. Një pjesë e madhe e këtij borxhi është lëshuar në terma afatshkurtër, gjë që e rrit rrezikun e rifinancimit. Sipas FMN-së dhe Bankës Botërore, balancimi i financave publike mbetet rreziku i brendshëm më serioz për Shqipërinë. Ekonomia shqiptare është duke i ndjerë efektet e krizës: bizneset tona janë duke vuajtur një ulje të likuiditetit, importet kanë pësuar rënie, të ardhurat nga tatimet kanë rënë, shpenzimet qeveritare po ashtu dhe kreditë e këqija në sistemin bankar janë rritur ndjeshëm, ndërsa kreditimi i sektorit privat është nën potencialin e tij. Kjo gjë ka rritur presionin ndaj qeverisë për një rritje të borxhit publik. Ndërsa rritja e borxhit për të financuar shpenzimet dhe investimet qeveritare në ekonomi mund të shihet si një përgjigje për të zbutur efektet e krizës apo stimuluar ekonominë, unë do isha shumë i kujdesshëm. Kjo për arsye sepse shpenzimet qeveritare në vendin tonë karakterizohen nga shpërdorime të mëdha, korrupsioni dhe mungesë e theksuar strategjie. Qeveria e ka furnizuar rritjen ekonomike të vendit në kurriz të burimeve natyrore, duke i shpërdoruar ato, në mënyrë që të nxjerrë maksimumin në planin afatshkurtër dhe me investime kapitale minimale, gjë që që rrit inefiçencën. Korrupsioni, ndikimi i grupeve të interesit të lidhura ngushtë me politikën që kërkojnë të pasurohen shpejt dhe pa vizion, rreziku i lartë rregullator që bën më pak fitimprurës dhe rrit kostot e investimeve kapitale afatgjata, dhe një kapital njerëzor ndër më pak konkurruesit në rajon, janë faktorët kryesorë në dështimin e këtyre privatizimeve dhe në abuzimin kolosal që po ndodh me burimet tona natyrore sot.

Shqipëria në të gjitha privatizimet apo licensat e dhëna për menaxhimin e burimeve të saja natyrore vitet e fundit ka dështuar. Ne nuk kemi qenë të aftë të thithim kapital investues cilësor në vendin tonë. Kompani  apo investitorë perëndimorë, që së bashku me kapitalin sjellin edhe “knoë hoë”, janë shumë pak të interesuar për të ardhur në Shqipëri. Në rastin më të mirë, privatizimet e bëra së fundi i janë dhënë kompanive që si rrjedhojë e presionit nga faktorët e përmendur më sipër po keqpërdorin burimet tona natyrore, shoqëruar me investime të pakta për rigjenerimin e tyre. Në rastin më të keq, si ai i privatizimit të Albpetrolit, fitues doli një kompani e cila nuk kishte aftësi paguese. Dështimi i privatizimit të Albpetrolit është një turp për qeverinë shqiptare. Ndërsa mos sigurimi i kolateralit, që është një proces shumë i thjeshtë për t’u kryer siç duhet dhe që i ka shkaktuar një humbje të konsiderueshme shtetit, është më së paku neglizhencë, që duhej shoqëruar me largim nga vendi i punës i përgjegjësve, dhe në rastin më të keq një veprim i vetëdijshëm dhe me qëllim, që duhej shoqëruar me ndjekje penale dhe dënim të tyre. Të gjitha këto ngjarje, përtej dëmit ekonomik që shkaktojnë, përçojnë dhe mesazhe shumë të këqija në ekonomi dhe sistemin bankar vendas, duke i ndrydhur edhe më tej ato. Ekonomia e vendit realisht ndodhet në rënie të lirë dhe me garën e rëndë dhe paralizuese zgjedhore, do të bjerë edhe më fort.  Qeveria e sotme as që ka ndërmend të ndërmarrë ndonjë masë serioze deri pas zgjedhjeve. Shqiptarët duhet të kërkojnë, sidomos pas 23 Qershorit 2013, më shumë përgjegjësi nga qeveria që do të vijë. Ekonomia ndodhet në ditët e saja më të vështira pas marsit 1997. Është një kryetemë, një problem delikat që kërkon vëmendje të veçantë dhe të menjëhershme.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *