Pak orë pas deklaratës së ashpër të ambasadorit amerikan Donald Lu, edhe ambasadorja e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin, përsëriti të njëjtat kritika për Partinë Demokratike. Nga mbledhja e Këshillit Kombëtar të Integrimit, përfaqësuesja e Brukselit, theksoi se operacioni ndërkombëtar i monitorimit ka vetëm rol procedurial dhe kompetencat e tij, duhet të vendosen në Kushtetutë, për të mos pasur asnjë kundërshtim pas fillimit të procesit. Diplomatja, ashtu si kolegu i saj Donald Lu, i kujtoi PD që ka qenë ajo që e ka kërkuar rolin e fortë të ndërkombëtarëve.
“Ne, Shtetet e Bashkuara dhe BE, në Tirane, por edhe në Bruksel dhe Uashington, jemi vërtet të çuditur. Pas 2 vjet pune dhe qindra orë diskutimesh, papritur e vetmja çështje që bëhet problem është roli i ndërkombëtarëve. Në mënyrë që të jetë e qartë, prej fillimit të gjitha partitë na kanë thënëe që ka kaq shumë mungesë besimi ndërmjet tyre dhe në institucionet e gjyqësorit sa vetëm një përfshirje e madhe e ndërkombëtarëve, do mund të sillte kredibilitet dhe besueshmëri në gjithë këtë proces”, tha Romana Vlahutin.
Apelit të diplomates së BE i janë bashkuar edhe dy ambasadorët e Gjermanisë dhe Holandës.
Susanne Schütz: BE dhe Gjermania dëshiron t’ju mbështesë në rrugën e integrimit, por përgjegjësia përfundimtare bie mbi ju pasi ju jeni përgjegjës ndaj qytetarëve, të cilët duan ndryshim dhe duan reformën.
Dewi Van De Weerd: Është një zgjedhje, e cila do të thotë që t’i bashkoheni BE, reforma do të thotë ndryshim i vendit dhe ekonomia juaj ka nevojë.
E ndërsa kompromisi ende nuk është arritur, politikanët shqiptarë kanë nënvizuar se reforma në drejtësi është e nevojshme. Mbledhja e Këshillit Kombëtar të Integrimit u kërkua nga shoqëria civile, për të diskutuar reformën në drejtësi, vetëm 2 ditë para se Parlamenti të mblidhet për votimin e saj.
