“Sa e bukur qenka greqishtja!”

redaktor

 

Nga Genc Melonashi

 

Një kafe me një mik nga diaspora e hershme në shtëpinë time. Në sfond, ekrani i Tv, në një stacion shqiptar. Dikush jepte kujtime për një shokun e vet, aktor dhe regjisor i njohur. Një e folur plot kulturë dhe humor. Na mbërtheu të dyve në ekran, por sidomos mysafirin. Ishte vërtetë tërheqës. Dikur miku ndërhyn:

-Kush është ky zotëria që po flet?

-Një politikan, madje një ish deputet – i përgjigjem unë.

-Sa mirë! – vazhdoi miku.

-Pse?- pyeta unë.

-Si pse? – m’u kundërpërgjigj ai, duke vazhduar:

-Gjë e bukur kur bashkohen tek i njëjti person, politikani me njeriun e kulturuar, me etikë dhe me një humor kaq të shëndetshëm…

 

Ndërsa pranoja me gjeste ato që konstatonte miku, diçka e hershme m’u kujtua…

Diçka që, duke e ballafaquar me atë që po shihja në ekran, më shkaktoi një befasi të dyfishtë…

Me ish deputetin nuk kisha njohje personale. Dija vetëm se vinte nga familje fisnike që, ndonëse e “deklasuar”, nderohej shumë në një qytet, ku kam kaluar shumë vite të adoleshencës…

Por le të kthehemi tek befasitë e mia.

E para i përket kohës kur zotëria në fjalë u shfaq si deputet. Nuk u ndjeva mirë tek sa shihja performancën e një pinjolli të një familje, për të cilën ruaja në kujtesë një respekt të madh. Nuk e besoja atë kontraktim, atë mungesë të theksuar logjike dhe elokuence, sa herë që ai dilte në ekran dhe fliste në emër të partisë ku aderonte. Dhe kjo, jo vetëm në parlament, por edhe në komisione parlamentare, në tryeza debatesh…. Dhe ja sot më shfaqet një tjetër njeri, gjithë kulturë, elokuencë, etikë dhe humor…E pra, një personalitet i dyfishtë. Njëri, ai i vërteti, që na fal Zoti, na e ruan dhe forcon familja nga vijmë dhe ku rritemi, dhe tjetri, personaliteti i deformuar, i shprishuri nga dhuna që ushtron ajo e “nëmura”, POLITIKA. Po përse ndodh ky transformim?

Ndërkohë që përpiqesha të gjeja një shpjegim, m’u kujtua shprehja: “S’ka gjë më të vështirë se sa të ecësh kundër vetes”. Një shprehje shumë domethënëse. Të ecësh kundër vetes, nënkupton të thuash të kundërtën e asaj që mendon dhe ndjen, të veprosh kundër dëshirës dhe vullnetit tënd. Në të vërtetë ajo citohet më shpesh për të tipizuar individët me karakter të fortë, të cilët, për hir të një ideali të lartë e fisnik, sakrifikojnë deri gjërat më të dashura, madje edhe jetën e tyre. Këtu futen që nga njerëz të zakonshëm, të cilët realizojnë një autoritet dhe respekt të merituar në komunitetin apo rrethin e tyre shoqëror, e deri tek ata me përmasa më të gjera, që ne i quajmë heronj dhe dëshmorë, me të cilët mburren kombet dhe popujt.

 

Por, si për ironi, këtu futen edhe ata, me të cilët popujt jo vetëm nuk mburren, por që janë edhe objekt talljeje e deri urrejtje. Dhe të tillë ka prodhuar dhe prodhon pa hesap politika shqiptare. Ata përbëjnë ekstremin tjetër, krejt të kundërt me të parin. Fjala është për individë me karakter të lëkundur e që rëndom, i quajmë njerëz të dobët, njerëz pa karakter, pa bosht ose pa ndonjë “b” tjetër…. Angazhimi i tyre në politikë, bëhet për interesa meskine, ndonjëherë edhe për “neglizhencë”, kuriozitet apo joshje. Ata “lëshohen” lehtë, duke ecur kundër vetes, me qejf dhe jo vetëm kur ia kërkojnë të tjerët.

Kuptohet se kjo kategori, nuk është vetëm produkt tipik shqiptar. Veçse dukuri tipike e politikës shqiptare është se, ndërkohë që individi me karakter të fortë po kthehet specie në zhdukje, ai me karakter të dobët, po shtohet frikshëm deri në epidemi…

Në mjedisin e politikës shqiptare, individi me karakter të dobët përfaqëson një galeri modelesh, sa ekstremë po aq dhe qesharakë.

Le të veçojmë disa prej tyre.

Tipin më të zakonshëm e përbëjnë individë, që vijnë si hije dhe largohen si hije nga karriera e tyre politike dhe vetëm kaq. Ata i ndesh që nga parlamenti e deri në institucione të tjera të shtetit dhe pushtetit. Tipari i tyre është vështirësia për të dalluar idealistin nga vegjetuesi apo thjeshtë, nga ai që “kënaqet me një përshesh me dhallë”. Jo rrallë ata i kanë pagëzuar me një emër të bukur, “yes man”. Këtu futen jo vetëm personazhi ynë, por edhe disa të tjerë që kanë mbetur anekdotikë. Njëra syresh, psh, personazhe mjaft e dashur për publikun, me një karrierë të shkëlqyer artistike, për fatin e saj të keq, në gjithë aktivitetin si deputete, do mbahet mend nga publiku vetëm për monologun e famshëm me katër fjalë që fillonin me “t”…, që e recitoi bukur, por bezdisshëm. Të tjerë, edhe ata po aq të suksesshëm në karrierën e tyre artistike dhe letrare, gjatë mandatit të deputetllëkut, “mezi e shtynë”, ose duke mos folur asnjëherë, ose duke shakatuar kolegët me copa letrash që shpërndanin në sallën e parlamentit…. Sidoqoftë, të gjithë së bashku, mbeten figura dinjitoze. Ata, e kuptuan “hapin e gabuar” që kishin hedhur dhe u larguan me zgjuarsi, pa zhurmë dhe bujë nga politika, për të vazhduar karrierën e tyre artistike. Dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe. Njerëzit e artit dhe letrave, nga vetë natyra, nuk mund të mbajnë brenda shpirtit të lirë e krijues një armike të egër të Lirisë, siç është politika e sotme shqiptare. Shembull lapidar do të mbetet ai i njërit prej shkrimtarëve tanë të shquar, i cili gjatë dekadash, ka refuzuar me finesë ofertat e ardhura nga politika, mbase për të mos u zhytur në batakun e saj.

 

Por le të vazhdojmë….

Ka të tjerë, vërtetë dinjitozë, të cilët pasi e kuptojnë se në ç’llum janë futur, ose qëndrojnë aty dhe luftojnë për pastrimin e këtij llumi, ose largohen duke vazhduar luftën në një “llogore tjetër” jashtë partive. Tashmë dihet fati i disave prej tyre, që nga mënjanimi, anatemimi e deri në… zhdukje fizike.

Një tip tjetër interesant janë idealistët falsë. Ata dalin “hapur kundër” partisë ku militojnë, dhe nën maskën e “reformatorit”, “të njeriut që i do të mirën partisë dhe popullit”, fshehin karrierizmin, pakënaqësinë se nuk kanë marrë atë që “meritonin”,…,etj. Një pjesë e tyre krijojnë partiçka fantazmë ose kthehen në kameleonë politikë, duke kaluar nga një parti tek tjetra, ndërsa të tjerë përfundojnë në koshin e harresës politike…

Për fat të keq, politikës shqiptare ka kohë që i mungon individi me karakter të fortë. Madje edhe nëse është dukur sikur është shfaqur ndonjë i tillë, “karakterin e fortë” e ka përdorur për qëllime të mbrapshta, për të qëndruar sa më shumë në pushtet, duke i shkaktuar vendit dhe popullit dëme të pallogaritshme. Dhe si për dreq, kjo pangopësi, ndonëse pas dështimesh spektakolare, vazhdon ta nxisë për t’u ringritur. Zoti na ruajtë! Them “zoti na ruajtë”, sepse ky “karakter i fortë”, në ditët që po kalojmë, për interesat e tij, që ai i di, por që edhe ne i dimë, po tërheq zvarrë pas vetes, politikanë të pastër dhe të pistë…Fjala është për  diçka të freskët, diçka të orëve të fundit, për të quajturën Reforma në Drejtësi…, ku një kontribut të “çmuar” ka edhe ky…individi me “karakter të fortë”.

 

Gjatë 72 orëve të fundit, shqiptarët po shijojnë komedinë më të çuditshme që ka luajtur klasa politike shqiptare këto 25 vite. Vërtetë një komedi e çuditshme, sepse jo vetëm nuk të bën për të qeshur, por të shkakton ulërima e deri të vjella… Një komedi që ka filluar dhe po vazhdon me luhatje pindarike të qëndrimeve të liderëve tanë politik, që çka thonë në mëngjes nuk e thonë në darkë…

Por unë jam optimist…Jam optimist, jo nga natyra, por për rastin konkret, sepse nuk është i pari në teatrin e politikës shqiptare të kësaj periudhe “tranzicioni”. Edhe ky, si dhe ata të mëparshmit, do të ketë të njëjtin përfundim, përfundimin që e ka “profetizuar” bukur dikur, me shprehjen e mëposhtme, një analist i huaj:

“Ju politikanët shqiptarë, në fillim hiqeni kokoroçë dhe kokëfortë, por pastaj lëshoheni fare.”

Dhe së fundi diçka për të “justifikuar” titullin e këtij shkrimi…

 

Dikur, një miku im, biznesmen dhe deputet i një partie opozitare në legjislaturën e para 23 Qershorit, më habiti gjatë një bisede. Sapo kishte patur një takim me kryeministrin e radhës. Ishte tepër i ngazëlluar dhe fliste me superlativa për mençurinë, vizionin, kulturën… e atij që sot është një “ish”. Por kulmi ishte kur më tha se do kalonte me partinë e tij …

S’lashë gjë pa i thënë duke i kujtuar se dikur ai e kishte sharë “pilë më pilë” kryeministrin…

Ai buzëqeshi dhe në vend të përgjigjes më tha:

-Miku im! Politika të bën pis…Nëse do të kishte një fushë ku mund gjente përdorim shprehja e diskutueshme “Çdo gjë lind e pastër, për t’u bërë pis”, ajo është politika.

Dhe e mbylli bisedën duke më treguar historinë e mëposhtme:

Dikur, në Francë jetonte pas emigracionit nga Rusia cariste, një ish-aristokrate ruse. Ndonëse e rënë nga vakti, ruante ende krenarinë dhe zakonet e një aristokrateje të vërtetë. Mes “veseve” që trashëgonte, ishte edhe një alergji e çuditshme ndaj greqishtes. Ndjente urrejtje dhe bëhej keq sa herë shihte diçka të shkruar në këtë gjuhë. Një ditë prej ditësh, noteri i saj i sjell një dokument në greqisht…Sa e pa, e largoi me neveri. Por noteri këmbënguli duke i thënë se dokumenti ishte me shumë rëndësi dhe së paku të dëgjonte përkthimin. Së fundi ajo u bind. Në dokument shkruhej se një kushëri i saj kishte vdekur dhe… i linte trashëgim disa ishuj të Greqisë… Sakaq, zonjës iu çel fytyra. I rrëmbeu noterit dokumentin dhe ndërsa shihte e lumtur atë grumbull shkronjash greke, bërtiti:

-Uau, sa e bukur qenka greqishtja!!!

Share This Article
5 Comments
  • Ne shqip i thone:” sa i embel eshte qyli”, kete ka dashur te thote rusja e rene nga vakti qe rronte ne France., mgjthese te dyja gjuhet perdorin alfabetin cirilik. Kesaj sjelljeje dyfytyreshe i thone hipokrizi. Nje njeri i edukuar dhe me kualitet intelektuali nuk mund kurrsesi te sillet me hipokrizi, sepse dy kunguj ne ne sqetull nuk rrine, do jeni gabuar juve ne gjykim z. autor. Nuk te detyron kush te qendrosh ne politike qofte edhe me kushtin e te shfaqurit ndryshe nga c’je, se eshte amorale. Flavianon cfare perkthehet ne shqip, se nuk kuptoj gje? Sa per te huajt… Keta “nderkombetaret” qe vijne tek ne me mendesine e atij qe shkon te beje pazar qyl tek tregu i Gabit, keta nuk denjojne te na njohin, prandaj japin gjykime kokeposhte(anapodha). Del nje ambasador apo nensekretare e ndihmes segretarit(ne shqip me bute i thone fund i kavallit, se nga Vlora shenojne nga atributet e se emes) dhe u thote ketyre langonjve ne ngjitje se po s’votuat reformen qe duam ne (dhe ben Fiks per ju) do i keni punet keq me shtetin tone te madh. Pertej tifozllikut, megjithe mend qenkemi kthyer ne vilajet ku po nuk erdhen kandeleret nuk quhet i vlefshem kalendari aktual? Ne fakt, jemi qe jemi, Pse jo, keta “nderkombetaret” pse te mos na perzgjedhin edhe partite politike dhe Liderrat dora vete, a thua se keta ne vijim nuk jane brume i gatuar nga kjo politika e tyre cinike dhe e papergjegjshme? Psh, mediat percollen anekdoten e famshme qe kandidatin per president, ate analistin nga Durresi e shkarkoi nje ambasador gjate rruges per ne Kuvend, ta do mendja qe Nishan mavriu nuk ia prishte humorin nderkombetareve, prandaj kemi kete president qe jo vetem e gjen te bukur greqishten, por edhe turqishten e tapive dhe zhvatjes se pronave.

    • gjermono më duket se kjo që thua” mgjthese te dyja gjuhet perdorin alfabetin cirilik.”është dhe shkaku i këtij komenti që ska polic që i vjen në fije!?
      jo çdo shkrim i ndryshëm nga ai latin,që përdor europa dhe ne bashk me ta,është cirilik!!
      nuk është e thënë që njeriu ti dijë të gjitha,për të mos thënë e pamundur absolute,por disa dijeni bazë duhet të jenë!!

    • gjermono më duket se kjo që thua” mgjthese te dyja gjuhet perdorin alfabetin cirilik.”është dhe shkaku i këtij komenti që ska polic që i vjen në fije!?
      jo çdo shkrim i ndryshëm nga ai latin,që përdor europa dhe ne bashk me ta,është cirilik!!
      nuk është e thënë që njeriu ti dijë të gjitha,për të mos thënë e pamundur absolute,por disa dijeni bazë duhet të jenë!!
      Duplicate comment detected; it looks as though you’ve already said that!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *