Kukësi nis grumbullimin, nesër “shtetrrethim” policor në Elbasan

redaktor

Skuadra e Kukësit i është drejtuar sot paradite qytetit të Elbasanit, për t’u akomoduar atje në një hotel, si dhe për të kryer seancën e fundit stërvitore para sfidës së kthimit të Ligës së Europës me Austrinë e Vjenës. Ndërkohë, klubi i ka bërë thirrje tifozërisë që ta mbështesë skuadrën në një ndeshje të rëndësisë së veçantë, me shpresën e përmbysjes së disavantazhit 1-0, të fiksuar një javë më parë në “Erns Hapel Stadium”. Për këtë, presidenti Safet Gjici ka vendosur në dispozicion të tifozëve kuksianë autobusë falas.

Dy të tillë do të nisen nesër nga qyteti verilindor, në orën 13:00, pranë stadiumit “Zeqir Ymeri”. Po ashtu, autobusë falas do të nisen edhe nga Kamza, ku ka shumë kuksianë të vendosur pas ardhjes së demokracisë. “Duhet të jemi të gjithë së bashku! ‎Ne mundemi”, – është thirrja që bëjnë drejtuesit e fituesve të Kupës së Shqipërisë në fuqi pak më shumë se 24 orë para përplasjes me austriakët në “Elbasan Arena”.

Ndërkohë, policia e Elbasanit ka marrë masa për mbarëvajtjen e ndeshjes së nesërme, që do të luhet në orën 19:30. Për këtë arsye do të jenë të bllokuara disa rrugë dhe nuk do të lejohet parkimi i makinave përreth dhe përballë stadiumit, deri në përfundim të ndeshjes. Do të angazhohen 185 policë për të ruajtur rendin dhe sigurinë. Nuk do të lejohet marrja e femijëve të mitur në stadium, pa u pajisur me biletë.

Të gjithë tifozët që duan të marrin pjesë në këtë aktivitet duhet të jenë të pajisur me kartë identiteti dhe të mos kenë me vete sende të forta, shishe (të çfarëdolloji), fishekzjarre, monedha apo metale (të çfarëdolloji), çelësa të ndryshëm. Në të kundërt, nuk do të lejohen të futen në stadium. Të gjitha lokalet që ndodhen përreth stadiumit, nga ora 18:30 deri në përfundim të ndeshjes, duhet të jenë të mbyllura.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *