Fshati i harruar shqiptar në Bullgari dhe fjalori i një studiueseje të pasionuar bullgare

redaktor

 

Nga Prof. Hajri Shehu

 

Është fjala për një Fjalor tjetër bashkëbisedimor bullgarisht-shqip, të botuar në prill 2015. Fjalori është hartuar nga Marija Hristova Georgieva (Peeva). E veçanta e Fjalorit është se teksti shqip ka si bazë të folmen shqipe në fshatin Mandricë, Bullgari.

 

Fjalori paraprihet nga një si hyrje, me titullin “Mandrica”, nga Ivajllo Petrov, kryetar i  Shoqatës për Ringjalljen e fshatit Mandricë. Hyrja shoqërohet me pamje nga fshati  Mandricë, që duken si një copëz Shqipërie. Nga një mbishkrim në një gur në kishën e varrezave “Sveta Nedelja” (Shën e Diela), historia e fshatit fillon më 1636. Sipas një gojëdhëne, – thuhet në hyrje, – fshati është themeluar nga tre vëllezër shqiptarë ortodoksë nga Vithkuqi i Korçës. Rreth vitit 1700, – thuhet më tej në hyrje, – fshati ka filluar të rritet. Në fillim të shek. XX, numri i banorëve ka qenë rreth 3500 veta. Deri në vitin 1912, në fshat është përdorur vetëm gjuha shqipe. Në vitin shkollor 1913-1914 ka filluar shkollimi në gjuhën bullgare. Gjatë viteve ’70 dhe ’80 të shekullit XX, Mandrica rritet e zhvillohet edhe më. Sot, fshati është shpopulluar shumë. Banorët e paktë, që kanë mbetur, vijojnë të flasin gjuhën shqipe.

Për historinë e themelimit të Mandricës dhe të folmen e saj shqipe ka shkruar edhe profesor Dhimitër Shuteriqi në “Studime filologjike”, 1965, I. Profesor Dhimitër Shuteriqi (po aty) dhe në “Studime filologjike”, 1965, II, bashkë me profesor Mahir Domin kanë bërë një studim të plotë shkencor për të folmen e Mandricës. Sipas profesor Shuteriqit, në vitin 1900, Mandrica ka qenë me 650 shtëpi. Ka disa gojëdhëna, – thotë profesori, –  që Mandrica është themeluar që më 1453. “Fshati (është fjala për Mandricën), – shkruan profesor Shuteriqi më 1965, – prej së largu, duket si një tufë luleshqerrash midis gjelbërimit”. Edhe Bojka Sokollova ka shkruar për shqiptarët e Mandricës (Berlin, 1983). Kohët e fundit, për Mandricën kanë shkruar profesor Llukan Tase dhe profesor Abdurrahim Myftiu në librin e tyre “Bullgaria dhe studentët shqiptarë” (Tiranë, Onufri, 2011).

 

Në vitin 2011 është krijuar Shoqata për Ringjalljen e Fshatit Mandricë. Janë pasardhësit e sotëm të banorëve të Mandricës, që e kanë themeluar, me synimin ta ruajnë dhe ta zhvillojnë më tej në të ardhmen Mandricën – emrin e saj të mirë, traditat, gjuhën dhe pamjen e saj autentike. “Me botimin e këtij Fjalori, – thotë kryetari i Shoqatës, Ivajllo Petrov, – shpresojmë t’ju tregojmë ju dhe gjeneratave të ardhshme gjuhën, në të cilën është folur në fshatin Mandricë gjatë 400 viteve të fundit”.

Fjalori është në katër kolona: fjala a shprehja në bullgarisht; fjala a shprehja në të folmen shqipe të Mandricës, me tejshkrim bullgar; fjala a shprehja në të folmen e Mandricës, me shkrim shqip; fjala a shprehja në gjuhën shqipe standarde. Në Fjalor ka 39 tema bashkëbisedimi, çka do të thotë se e folmja mund të shihet në 39 grupe tematike. Kjo është vlera më e parë e Fjalorit. Fjala jepet në një kontekst aktiv. Kësisoj, ajo del pa dykuptimësi e me sjelljen e saj të vërtetë gramatikore. Fjalori është kështu edhe si një fjalor i fjalëpërdorimit për të folmen shqipe të Mandricës. Kjo është një vlerë tjetër e tij.

“Ndikimi nga ana e greqishtes, turqishtes dhe bullgarishtes, – thuhet në hyrje, – nuk e ka ndryshuar thelbin e gjuhës sonë”. Është një e thënë me krenari të ligjshme. Në Fjalor, kjo gjuhë e ky thelb shihet, vërtet mjaft qartë. Fjalori nis me një gramatikë të shkurtër të gjuhës shqipe. Edhe nga gramatika, edhe nga tekstet e Fjalorit, lexuesi sheh shqipen dhe ndien mallin për shqipen. Përemrat vetorë janë: unë, tinë, aju (= ai, ajo), neve, ive / vi (nga bullgarishtja = ju), ata. Përemri pyetës: çe: çe punoni? Numërorët janë ruajtur si në gjuhën e sotme shqipe, por herë-herë, me shqiptim pak më të ndryshëm: ni (nj → n), dju, tri, katrë, pesë, gjashtë, shtatë, tetë, nëntë, zjetë (= dhjetë / ka humbur bashkëtingëllorja dh; në vend të saj, e folmja e Mandricës ka z), nizetë, trizjetë, nikint etj. Veta e parë e foljeve më o · j në kohën e tashme është me mbaresën –n: unë gëzon. Koha e ardhshme bëhet me do të, shkurtuar në ot: unë ot këndon. E kryera e thjeshtë e foljeve më o · j bëhet duke ruajtur mbaresën j + ta: unë këndojta. Ruhet vetvetorja më –em: lozem (= lodhem).

Mandrica fjaloriNë punë të shqiptimit: Nga Fjalori del se e folmja e Mandricës ka ruajtur grupin e vjetër të bashkëtingëlloreve gl (gluha, glatë) e kl (klumësht). Ruhet l (ish – lj e vjetër) në rrokje fundore (tipi bilë / në gjuhën e sotme shqipe: j = bijë). Ruhet, gjithashtu, përgjithësisht bashkëtingëllorja grykore k (nuk është bërë q) përpara një zanoreje të përparme (kuke = kuqe). Ka r e jo rr (tjer, var). Në fjalë që nisin me zanoren e shtohet një j (jecën = eci). Bashkëtingëllorja f shndërrohet në h (hurë = furrë) etj.

Në punë të fjalorit (leksikut), e folmja ka ruajtur fjalë të gjuhës së sotme shqipe: dorë, këmbë, sy, bukë, udhë, ujë etj.; ditët e javës janë: hënë, mara, murkurë, tënte, prëmte, shtunë, djellë (të paparaprira nga nyja e). Emërtimet kryesore të ngjyrave janë: bardë, zezë (= i zi / e zezë), verdë, kuke (i kuq / e kuqe), kalsër, gelbër, kafentë. Fjalët për dukuritë e motit janë: sborë për borë, jerë për erë, mëglle për mjegull, fifitin për vetëtin, shtrakallin për bubullin, kieltë për qiell etj. Për trupin e njeriut janë fjalët premedis për mes / bel, shkrihem për krihem, sëmundë për sëmundje, shkëllçitor për ndrydhje etj.; për familjen: tatë (baba), bir / djalëzë, bilë / çupkë etj.; për ushqime: kokove, gurica, darda ose darza (= dardhë), kaçka (arra), cëruvë (peshk) etj. Te veshjet e stolitë ka huazime. Kjo, sigurisht ka shpjegimin e vet. Por e rëndësishme është që janë ruajtur fjalë të gjuhës amë: gunë (= xhaketë), mëngë, tjer (tjerr), shkrorë (me shumë ngjyra, i/e shkruar), hallkë (unazë), vës (vëth) etj. Na duken interesante tri formime që kanë të bëjnë me veshën (mbrëmshëm: mbrëmshme kupuca këpucë mbrëmjeje, natshëm: natshme roba këmishë nate, sbardërohet zbërdhulet)
dhe shumësi pejna për penj.

Fjalë të tilla, si jam, kam, mar, dal, nisem, bën (=bëj), hin (=hyj), siel (= sjell), rufem (= rruhem / e folmja nuk ka rr dhe h → f), gigem (= gjegjem, dëgjoj), sbjer (= zbjerr), pres, zjetë (= dhjetë), diasë (= djathë), rush (= rrush), gellë (= gjellë), zemërherë (= drekë; krahaso në gjuhën e sotme formimin drekëherë), kruvë (= krye), glu (= gju), butë (= i / e butë), glatë (= i / e gjatë), mirë (= i / e mirë), vlorë (= i / e vluar, i / e fejuar), sëmurë (= i / e sëmurë), lagët (= i / e lagët), pasnesrë, jashë, brenda, nditëzë (= njëditëzaj), tuti (= tutje, larg) etj. janë e përbashkëta. Kurse fjalë të tilla, si patkë (= rosë), bibik (= patë; gjel deti), zokçe (= zogëz), gëzon (= pëlqej), përkëcen (= kërcej), punëshormë (= punëtor, punëdashës), tërzojtur (= tërdhojtur / mbase lidhet me tërthor = i / e gabuar), shkrikëshlle (= frikacak), sos (= mjaft), cing (= pak) etj. janë e veçanta, që mund ta ketë çdo e folme e shqipes brenda njësisë (unitetit). Te kjo e veçanta mund të ketë edhe vlera letrare potenciale për gjuhën shqipe standarde. E folmja e Mandricës ka humbur, siç u tha, bashkëtingëlloren dh (në vend të saj ka z: zjetë, zëmb, zëndër, ze, maze ose d: bardë). Ka humbur edhe bashkëtingëlloren th (në vend të saj ka s: som = thom, satë = i / e thatë, ksehem, suva = thonj). Janë ndikime të bullgarishtes. Mbiemri vihet para emrit (p.sh., groftë ujë, toftë ujë, bardë verë, kuke verë, mblojtur kafe, djegor peper / = piper djegës, pjekor mish / = mish i pjekur, zijetor mish etj.). Kësisoj, mbiemri është i panyjshëm dhe nuk ka gjini. Edhe rasa gjinore ndërtohet anasjellas (tipi dorës sahat, xhobit sahat = sahat xhepi). Edhe këtu nuk ka nyja. Janë ndikime të bullgarishtes. Edhe në fjalor (leksik) ka ndikime nga bullgarishtja, turqishtja, greqishtja etj.: dvor (derë), odejallo (batanije), vie / ive / vi (= ju), li (vallë), jagodë (luleshtrydhe), mallinë (mjedër), kapinë (manaferrë), karpuz (shalqi), kaun (pjepër), kundurxhi (këpucar), hekim (mjek),  asker (ushtar), kuvetli (i fuqishëm), saballe (herët, në sabah, në mëngjes), xhins (fis), kallpazan (i rëndë, i ngathët), freng (domate) etj.

Me këto të dhëna që jep Fjalori, mund të hetohet çfarë ka ruajtur e çfarë ka humbur e folmja, nga ç’krahinë e Shqipërisë janë bartësit e saj etj. Këto hetime mund të plotësohen, sigurisht me vjelje të reja dhe  me një Fjalor shpjegues me fjalë  e shprehje të së folmes së Mandricës, përfshirë edhe mbiemrat e njerëzve dhe emërvendet (toponimet, sidomos mikrotoponimet). Ai mund të jetë fjalor i plotë (i së folmes), domethënë, sipas mundësisë, të përfshijë gjithë fondin (aktiv e pasiv) të leksikut të së folmes.  Fjalori do të ishte një dëshmi për të folmen e Mandricës, për historinë e shqipes (shekulli XVII), për dialektologjinë historike e leksikologjinë historike, e edhe për kulturën e shqiptarëve të Mandricës. Sigurisht, plotësia është relative, sepse e folmja bjerr vazhdimisht dhe nuk Mandrica1ngulitet dot me shkrim, ngaqë është gjuhë bisedore. Nëse ka skripte, puna do të ishte pak më e thjeshtë.

Nga ç’fusha të jetës e të veprimtarisë mund të gjurmohet më lehtë lënda për një fjalor të tillë? Mendojmë se mund të gjurmohen ato fusha të jetës e të veprimtarisë që janë marrë nga Atdheu. Gjurmimi mund të bëhet sipas sipas grupeve tematike, si një mënyrë e programimit të punës. Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë ka botuar më 1981 (e ribotuar më 1989) një “Udhëzues për mbledhjen e fjalëve dhe të shprehjeve të gjuhës shqipe” sipas grupeve tematike (le të themi, grupi tematik për qumështin e prodhimet e qumështit, grupi tematik për gatesat e mënyrat e gatimit etj.). Siç thuhet në hyrjen e Fjalorit, në Mandricë ka pasur punishte për vaj susami, për shkrirjen e derdhjen e kambanave, për pijet e gazuara, për regjjen e lëkurëve, për prodhimin e vozave, të rakisë e të mastikës, për mbarështimin e krimbit të mëndafshit etj. Këtej mund të jetë edhe udha e vjeljes së fjalëve dhe të shprehjeve të së folmes. Nga folklori mund të vilen sidomos përrallat, këngët rituale dhe këngët e motmotit, sepse ruajnë leksikun konkret.

Autorja, Marija Hristova Georgieva (Peeva) është shembull i spikatur i dashurisë për gjuhën amtare dhe meriton denjësisht përgëzime të përzemërta. Përgëzime të veçanta meriton edhe profesori i gjuhës shqipe në universitetin “Klement Ohridski” të Sofjes, Ludmill Stankov, autor i disa librave dhe teksteve për gjuhën shqipe: “Gramatika e gjuhës shqipe – fonetika, morfologjia , sintaksa, leksikologjia”, “Ndihmëtar për mësimin e gjuhës shqipe” etj. Pas rreth 400 vjetësh, me këtë fjalor bashkëbisedimor na vjen përsëri gjuha e të parëve, ashtu siç flitet ajo atje. Sot, kur fëmijët e mërgimtarëve pothuajse po e humbasin gjuhën shqipe, ky Fjalor, ata 100 veta, nga të cilët  është vjelë Fjalori, ata vithkuqarë të nderuar që e mbajnë gjallë gjuhën e tyre, janë një rizgjim dhe një mësim për të gjithë shqiptarët jashtë vendit.

 

Share This Article
2 Comments
  • Ne fakt duhet zete dhe ja dhjete. Prandaj i thone dyzete dhe jo dydhjete.
    Edhe juguvderi vone thoshte ot kendoc

  • Shwmbwlltyrw qw na bwn tw skuqemi..
    Faleminderit VWLLEZWR Shqiptaro Bulgarw.
    ( na bwtw tw skuqemi…).
    Profesor Hajriu Shehu qw hajwr pac, qw na sjell kwtw lajm kaqw tw fiswm;.Shqiptarw nw Bullgari,tw fshatit Mandrica,,riorganizojnw vwndlindien e tyre mbi 400 vjecare nw atw fshat tw bekuar arritur deri nw 3500 banore e ruajtur gjuhwn shipe aqw mirw.pas 1912 ai fshat ruan gjuhwn shqipe, ani se nis e shpwrbwhet.
    Ajo qw thoni ju, pos ruajties sw gjuhws shqipw,na bwn tw gwziemi pwr rikthimin e ish banorwve tw kwtij fshati si dikur, tw kthen e ta bwjnw atw Mandicwn si dikur me 3500 shqiptarw.e kjo, nga shqiptarw tw ati fshati (pasardhwsit) larguar.nw vite.
    Pwrshwndetie pwr nismwn ringjallwse tw atij fshati z. Ivejllo Petrov, kryetar i shoqatws krijuar posacwrisht.
    Njw shwmbull i shkwlqyer Ky e do ju lutesha, njw shkrim,pos kwtij shkencori kryesisht pwr gjyhwm, pasoeni,me atw nismw marw dhe eciet e tyre.
    Qwnka rast shumw interesant dhe shwmbull qw duhet ndjek nga fshatrat tona,fatkeqwsisht largimin bwrw, ketw fund shkulli kaluar e nisies se shekullit tw Ri mw kwtw BWMW sw prapi.
    Lexova kwtw shkrim sa po shkruaje pwr fshatin tim Zavalan tw Dangwllisw Njw libwr “Me ju jetoj”, qw dashamirwsit larguar pwrgjwrohen pwr tw, THIRUR me emrin “BALLKONI Dangwllisw”.
    Mw kwnaqe i nderuar krijues pasionant qw meriton vwmwndien e kopetentwve pwr sa bwni..
    Librin e kam pwrfunduar,mbetur pa botuar, financa komandon si kudo,
    Juve me sa shkruani po mw nxisni akoma tw sakrifikoj me atw pensionin mjeran shqiptar tw fillim viteve –90t,qw hajlitw e sotwm qeveritare, nuk bwjnw vlerwimin si pwr tw gjithw pesionistwt, vecuar ne tw viteve para 1992 a 3-shit.
    . Mjerw ne nw c’duar tw kujt kemi rwnw.
    Me librin atw qwllim kam; tw zgjoj ndjenjat e vwndlindies,asaj vwndlindie,qw dhe nw kohen e Turqisw kishte 100 familie.Arritur kjo me rreth 60 familie nw vitet pas luftes N.Cl dhe ja KOBI, na erdhi pas 90-ta, na e boshatisi fshatin thuajse twrwsisht. Dua tw falenderoj ato 5-6 familie tw nderuara mbetur atje. Pacin mirwsi e bwgati me shwndet .
    Shkoj deri nw Frashwr kwto vite e nuk mw bwjnw kwmbwt pwr tej Konizmws e Sanjovws, sa shkwndimit, myzeqe e atij fshati.
    Do tw thuash ti, pse na flet;atw, qw duhet bwje vetw.
    Do tw ju jepia tw drejtw,po unw jam nga ata hikur pas asaj lufe, bwrrw shkrumb shtwpinw(1944) sa babanw varrosur nga torturat( pse ke cuar djalin Partizan i thoshte Osman Kaduci- komandant Balli qw komandonte atw Masakwr,djegur shtwpinw Sa mbaruar ajo shtwpi dy katshe e Re, me aqw mundim im atw, mw 5 maj 1942.
    Pa shtwpi mbetur, faleminderit bashkwfshatrwve strehuar, sa hallws Nina Locea po Mama LENW-( Beci) nw Kosovw tw Pwrmetit, qw na mbajtwn muaj tw twrw mwmwn time me dy vocrakw, mua 8 vjecar dhe mortrwn 10-tw vjece. Vwlai nga parizan, bwrw drejtues nw veptrat ndwrtuese, hapur rrugwn time tw jetws.
    I jam mirwnjohws. nga 1948, larguar nga ai fshat; Zavalani, me lot nw sy, qw si ju theksova “Ballkoni Dangwllisw”,me mwndien atje, atje ku prehen eshtwrat e gjyshit tim Jano Kapedani, si e thwrresin tw gjithw bashkwkohwsit,vrarw mw 1913, krye cetws qw komandonte, kundwr forcave Greke,qw donin tw pushtonin shqipwrinw e jugut me Pwrmet -Korcw _Gjirokstwr..
    .Faleminderit dreituesve tw qarkut Gjirokastwr, nderuar atw “Kapedan”, me Titulin “MIRWNJOHIE” nw 102 vjetorin rwnw.Dorezuar atw, nw Frashwrin e “Vwllezwrve Frashwri” mw 25 Maj 2015.ju jemi barxhlli gjithw fisi Xhogallar i kudo ndodhur.
    Merak e kam se nga vitet e migracionit deri tej Oqeanit,mw ka mbetur i shkretw Ai varr, e mwgjithse nw 80 vite jam,tw kthehem vetwm dua ta bwj atw varrsi e meriton ai Rwnw si HERO nw mbrojtie tw Pavarwsisw sapo shpallur; Plaku Ismail Qemali e Isa Buletini me shokw.
    Faleminderi i nderuari Hajri Shehu dhe hajwr pac me gjithe familiet tuaj.
    Nga Toronto shkruaj me Ju jwtoj.

    Guri Naimit D.(Dh Xhoga)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *