Reforma në Drejtësi, reagimet e deputetëve para Kuvendit

redaktor

Teksa kryetari i parlamentit, Ilir Meta, kreu i opozitës Lulzim Basha dhe dy ambasadorët, ajo e BE, Romana Vlahutin dhe Ambasadori amerikan Donald Lu vijojnë mbledhjen për gjetjen e konsensusit, për miratimin e Reformës në Drejtësi, seanca plenare është ndërprerë.

Ajo do të rifillojë pas arritjes së konsensusit mes palëve, në mënyrë që të vijohet me miratimin e saj.

Ndërkohë, jashtë ambienteve të Kuvendit, deputetë të të dyja kaheve politike, të pyetur nga mediat shprehen pozitivë se kjo reformë do të kalojë me sukses.

Ben Blushi: “Unë shpresoj të gjendet konsensusi. Wshtë një klasë politike e papërgjegjshme. Kjo klasë politike është e papërgatitur. Turp të jesh anëtar i këtij parlamenti. Unë do ta votoj në çdo rast reformën. Kam 6 muaj që pres. Kjo që ndodhi është qesharake. Klasa politike gjen marrëveshje për të mos u marrë vesh. Nuk dua të di çfarë do të ndodhë pas reformës, reforma në drejtësi sot duhet të votohet me çdo kusht.”

Më herët, në një prononcim të shkurtër për gazetarët para hyrjes së Kuvendit, ish – Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu u shpreh se PD ka marrë një vendim për ta votuar sot reformën, ndërsa me ironi tha se “burrat po bëhen më keq se gratë e këqija.”

“Deri dje kam besuar në një marrëveshje dhe fjalë burrash. Burrat këtu po bëhen më keq se gratë e këqija. PD ka marrë vendim për të votuar reformën. Reforma sot duhet të votohet”.

Deputeti i Partisë Demokratike Eduard Selami gjithashtu u shpreh optimist për miratimin e Reformës në Drejtësi, ndërsa i cilësoi si të pakëndshme tentativat për ta bllokuar atë. Ai shtoi gjithashtu se PD e ka ende një vendim unanim për ta miratuar sot në Kuvend dhe se nuk ka kthim mbrapa.

“Janë të pakëndshme, të papritura dhe për të ardhur keq.  Askush nuk mund të ndalë Reformën në Drejtësi. Kjo reformë do të bëhet sipas draftit të zonjës Nuland dhe nuk ka kthim mbrapa. Jam shumë optimist. Ne e kemi akoma një vendim unanim”, deklaroi ai.

Optimiste gjithashtu për miratimin e kësaj reforme u shpreh edhe Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, e cila tha se të gjithë e duan miratimin e saj.

“Do të ketë një miratim, njerëzit e kërkojnë këtë të gjithë e kërkojmë këtë. Është shumë e rëndësishme që të biem dakord. Jemi përfaqësues të denjë dhe të respektuar të qytetarëve shqiptarë. Kemi një ngarkesë të madhe dhe një përgjegjësi të madhe.Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë më shumë se kaq.

Që në fillim deri në fund kemi qenë besimplote se jemi duke bërë më të mirën. Është një proces i vështirë por jo i pamundur”– deklaroi  Kodheli.

Genc Ruli: “Vota ime është pro reformës. Reforma nuk është vetëm drafti që është para. Drejtësia nuk mund t’i lihet Ramës. Reforma kërkon të largojë politikën nga drejtësia dhe kjo bëhet me balancimin e organeve.”

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *