Gjendja e emergjencës në Turqi, pezullohet Konventa e të Drejtave të Njeriut

Ornela

Zëvendësministri turk Numan Kurtulmus njoftoi pezullimin e përkohshëm të zbatimit të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Politikani e justifikoi duke kujtuar se edhe “Franca bëri të njëjtën gjë pas shpalljes së gjendjes së emergjencës pas sulmeve xhihadiste nëntorin e kaluar”. Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, shpalli të mërkurën gjendjen e jashtëzakonshme pas përpjekjes së dështuar për grusht shteti të premten e kaluar dhe tha se ky veprim do t’i lejojë autoritetet që të veprojnë në mënyrë më efektive kundër përgjegjësve për kryengritjen.

“Dua të theksoj se shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme ka si qëllim të vetëm marrjen e masave të nevojshme përballë kërcënimit terrorist, me të cilin përballet vendi ynë. Ky vendim nuk bie ndesh aspak me demokracinë, ligjin dhe liritë themeltare”, tha Erdogan. Në deklarata për NTV, zëvendës/kryeministri, Numan Kurtulmus, pohoi se qeveria mund ta përfundojë gjendjen e jashtëzakonshme, brenda një muaji apo një muaji e gjysmë nëse nuk ka të papritura. Kurtulmus pranoi dështimet e inteligjencës në nivel “strukturor dhe individual”, gjatë përpjekjes për grusht shtetit dhe tha se puna e ristrukturimit të ushtrisë është në zhvillim e sipër.

Edhe pse nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, Turqia është anëtare e Këshillit të Evropës, promotore e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Çdo shkelje e ndonjë prej neneve të saj mund t’i dërgohet, pasi të kenë shteruar mjetet e brendshme juridike, Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Turqia ka qenë vendi i dytë pas Rusisë, me më shumë dënime nga kjo gjykatë me seli në Strasburg. Neni 15 i Konventës thotë se një shtet nënshkrues “në kohë lufte ose emergjence tjetër publike që përbën një kërcënim për jetën”, mund të miratojë masa të caktuara përjashtuese. Megjithatë kjo dispozitë nuk lejon shfuqizimin e neneve 3 (Ndalimi i torturës); 4.1(Ndalimi i skllavërisë); 7 (Ndalimi i dënimit jashtëligjshëm).

Vendimi i qeverisë turke vjen në mes të një spastrimi, që ka prekur tashmë mbi 60 mijë njerëz. Nga 118 gjeneralë dhe admiralë të arrestuar, pothuajse një e treta e totalit që ka Turqia, pjesa dërrmuese ka deklaruar tashmë para prokurorëve që ndjekin çështjen. Vetëm tre janë liruar, ndërsa 99 të tjerë janë në paraburgim me akuzën e “minimit të rendit kushtetues” dhe “tentativës për vrasje të presidentit”, ndër të tjera.

Spastrimet e filluara në administratën shtetërore kanë vazhduar në ministri të ndryshme ku theks të veçantë i është vënë sektorit të arsimit. 6,538 mësues janë pezulluar nga puna, duke e çuar numrin e stafit të pushuar apo pezulluar nga funksionet, që nga e shtuna në rreth 60 mijë, të cilëve duhet t’u shtohen pothuajse 11 mijë të arrestuar për përfshirje të drejtpërdrejtë në kryengritje, kryesisht ushtarakë. /DITA

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *