Shpallet oferta fituese për dhënien me koncesion të rrugës Durrës-Kukës-Morinë. Duket se kjo do të jetë rruga e parë që do të bëhet me pagesë, pas disa shtyrjeve të ofertave që janë bërë vitin e fundit. Ministria e Infrastrukturës dhe Transporteve njoftoi se bashkimi i përkohshëm i shoqërive i kryesuar nga “Vendeka Bilgi Teknolojileri Ltd” është oferta e preferuar për dhënien me koncesion të ndërtimit, operimit, mirëmbajtjes dhe rehabilitimit të autostradës Milot-Morinë. Oferta e paraqitur nga bashkimi i përkohshëm i shoqërive i kryesuar nga “Vendeka Bilgi Teknolojileri Ltd” ka paraqitur ofertën që përmban kërkesë për subvencion deri 5,6 milionë euro në vit nëse nuk realizohet trafiku i programuar. Kërkesa për subvencion është rreth 600 mijë euro më madhe nga kompania turke, por autoritetet kanë vlerësuar investimin në total. “Vendeka Bilgi” ka ofruar një investim fillestar prej 50,6 milionë euro dhe investim në vazhdimësi në mirëmbajtje dhe operim të rrugës në shumën 320,6 milionë euro.
Procesi i përzgjedhjes
Sipas ministrisë në datën e përcaktuar për dorëzimin e ofertave për procedurën e dhënies me koncesion/PPP të ndërtimit, operimit, mirëmbajtjes dhe rehabilitimit të autostradës Milot-Morinë, në sistemin e Agjencisë së Prokurimit Publik janë paraqitur tre oferta nga: Bashkimi i përkohshëm i shoqërive “Catalyst Viva Das General Constructing LLC”, “Salillari” LTD, “Violap Ateve”, “Bee Tech” dhe “Kastrati” SHA: Bashkimi i përkohshëm i shoqërive “Vendeka Bilgi Teknolojileri Ltd”, “PT Citra Marga Nusaphala Persada TDK” “Mehmet Ai Unal Insaat Taahhlil Madencilik San. Ve Tic. A.S” “Savronik Sistem Tah.San.Tic A.S”, “Vendeka Europian Investment B.V” dhe Luman Biba. Oferta e depozituar nga Luman Biba nuk kishte asnjë dokument, madje as ofertë dhe në këto kushte komisioni vendosi të mos e marrë në shqyrtim. Oferta e paraqitur nga bashkimi i përkohshëm i shoqërive i kryesuar nga “Catalyst Viva Das General Constructing LLC” ka paraqitur ofertën që përmban kërkesë për subvencion në rreth 5 milionë euro, investim fillestar të propozuar në shumën 43 milionë euro dhe investim në vazhdimësi në mirëmbajtje dhe operim të rrugës në shumën 217,562,056 Euro. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka shqyrtuar në bashkëpunim të ngushtë me IFC në mënyrë të detajuar dhe të thelluar të dyja ofertat e paraqitura nga bashkimet e përkohshme të shoqërive, duke patur parasysh objektivin kryesor në këtë koncesion, përcaktimi nëse një ofertues ka kapacitetin e nevojshëm dhe të domosdoshëm për ta implementuar këtë projekt në mënyrë të suksesshme. Në përfundim, pasi mori edhe rekomandimin e IFC, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave vendosi të shpallë ofertë të preferuar, atë të paraqitur nga bashkimi i përkohshëm i shoqërive i kryesuar nga “Vendeka Bilgi Teknolojileri Ltd”. Tarifat për çdo kalim në këtë rrugë pritet të jenë 5 euro, por që ende mbetet e pavendosur.
