Synimi i De Biazit, pjesëmarrje në play-off

anazapta

Shqipëria ka vetëm dy pikë më pak se Zvicra në garën kualifikuese për botërorin brazilin, por trajneri Xhani De Biazi shpreson që skuadra kuqezi të ruajë fort vendin e dytë dhe të marrë pjesë në play-off. I pyetur në lidhje me mundësitë e kualifikimit nga gazeta italiane “Il Sussi Diario”, trajneri thotë në mënyrë të qartë se Zvicra është skuadra më e mirë dhe se të tjerat luajnë për vendin e dytë. “Zvicra është formacioni teknikisht më i vlerësuar, favorite për kualifikim direkt. Ne do të jemi të kënaqur nëse do të arrinim në play-off, si vendi i dytë i grupit”, thotë De Biazi. Italiani vlerëson punën e bërë deri tani, duke e konsideruar Shqipërinë si surpriza e Grupit E, bashkë me Islandën. “Rezultatet e arritura deri tani janë të mira. Kemi nëntë pikë, po aq sa Islanda, surpriza tjetër e grupit”, thotë trajneri. “Janë luajtur pesë ndeshje dhe janë për t’u luajtur po aq. Jemi në gjysmën e ndeshjeve në grup. Do t’i luajmë deri në fund mundësitë tona për të shkuar në botëror”. Kuqezinjtë e kapën vendin e dytë pas fitores së 22 marsit në Oslo, ku kapërcyen në renditje Norvegjinë. Rruga drejt Brazilit kalon nga i njëjti kundërshtar, të cilin Shqipëria e pret më 7 qershor. De Biazi thotë se shqiptarët po e presin me shumë entuziazëm një përballje të tillë. “Fitorja do të ishte shumë e rëndësishme, po e presin me padurim atë ndeshje në Shqipëri”, komenton italiani, duke lënë një “shteg” edhe për rezultat ndryshe: “Në çdo rast njerëzit janë të kënaqur me rezultatet e ekipit kombëtar. Ka shumë entuziazëm”. Më tej, trajneri thotë se arritjet e Shqipërisë janë fryt i një pune të madhe për gjetjen dhe bashkimin e lojtarëve më të mirë shqiptarë, kudo që luajnë në Evropë, por refuzon të japë emra të veçantë, duke i lënë çdo meritë kolektivit.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *