Policia gjermane është duke hetuar mbi një njoftim të rremë të publikuar në Fb, i cili ofronte falas ushqim në restorantin “Mc Donald’s”, i marrë në shënjestër pikërisht nga atentatori i Mynihut në momentin kur i riu gjendej në lokal. Kështu shkruan gazeta britanike “Daily Mail”, duke nënvizuar që mesazhi mund të jetë postuar nga vetë sulmuesi për të tërhequr fëmijë në restorant.
Profili i postimit është i një farë Selina Akim, i cili pas pak orësh është hequr nga “Facebook”. Por në përpjekjen për të sqaruar shumë pika të errëta mbi lëvizjen e 18-vjeçarit gjermano-iranian, i cili shkaktoi tragjedinë në qendrën tregtare “Olympia” të Mynihut, duke vrarë 9 vetë, para se të vetëvritej, hetuesit gjermanë po verifikojnë mundësinë që ai mund ta ketë organizuar dhe planifikuar atentatin prej kohësh, duke marrë në konsideratë edhe këtë njoftim të rremë në rrjetet sociale.
Sipas “Daily Mail, lajmi është konfirmuar nga burime të policisë gjermane. Gazeta shpjegon që hetuesit po përpiqen të verifikojnë nëse postimi është shkruar nga vetë vrasësi para se të vepronte, me qëllimin për të tërhequr sa më shumë persona dhe fëmijë në dyqanin e masakrës.
Sipas disa dëshmitarëve, pikërisht fëmijët më të vegjël janë kursyer nga Ali Sonboly, i cili nuk ka shënjestruar asnjë prej tyre, edhe pse policia, ka raportuar – pa saktësuar më tej – që mes viktimave figurojnë edhe fëmijë.
