Virusi Zika ka mbërritur tashmë në Evropë pasi një foshnje lindi me anomali në Barcelonë të Spanjës.
Agjencia franceze e lajmeve, AFP, bën me dije se nëna e foshnjës ishte infektuar me virusin në Amerikën Latinë. Fëmija lindi me mikrocefali, një defekt që është i lidhur direkt me virusin në fjalë.
Foshnja, që lindi në Spitalin e Barcelonës, shfaqte anomalitë tipike të virusit, kokë të vogël dhe probleme me trurin. Nëna e foshnjës ishte diagnostikuar me virusin Zika që në muajin maj, por ajo vendosi që të mos ta ndërpresë shtatzëninë e saj, megjithëse ishte në dijeni të pranisë së virusit.
Lajmi vjen vetëm disa javë para mbajtjes së Lojërave Olimpike në Brazil, vend i origjinës së virusit në fjalë.
