Merre zemrën time!…

redaktor

Tani s’kemi më,
kohë për dashuri,
merre zemrën time,
dhe bëje qiri!

Merre zemrën time,
për ty dhe të tjerët,
syri do një dritëz,
në shtigjet e errët!

Ndriço errësirën,
dhe natën e gjatë,
gjithë ato gremina,
që dot nuk i patë!

Në shtigjet e ndritur,
më kujto dhe mua,
merre zemrën time,
se unë s’kam ç’e dua!

Nëse hidhërime,
jeta ka këtu,
merre dorën time,
fshi lotët e tu!

Që mundimi i jetës,
mos më iki kot,
çdo gjë që të duhet,
nga unë merre sot!

Që dhe kur të iki,
mos thonë se jam zhdukur,
se me gaz t’i fala,
gjithçka kam të bukur!

Ndaj në shkëmb të skamjes,
s’kam për t’u përplasur,
se kush fal në jetë,
bëhet më i pasur!

 

Unë shkruaj për ata që më duan dhe më besojnë

Të më duan që të gjithë?!
Kjo është e pamundur,
po të qe kjo e vërtetë,
krejt do kisha humbur!

Unë jam rreshtuar me kohë,
nga anë e Së Mirës,
domosdo që nuk më do,
kush është bythëlëpirës.

Natyrisht që nuk më do,
raca e servilëve,
puthadorët e regjimit,
kope e debilëve.

Unë jam i gjithi popull,
që nga kohë e vjetër,
domosdo që nuk më duan,
në rreshtimin tjetër!

Gjithë jetën kam kërkuar,
vetëm të vërtetën,
asnjëherë s’kam ngatërruar,
arrëzën me bletën!

Linda për të qënë zgalem,
jo për t’u bërë pulë,
nuk më do hiç kush e ka,
mizën nën kësulë!

Unë në luftë kam qënë përhera,
me gjithë injorantët,
me hajdutët-me kusarët,
dhe me intrigantët!

Asnjëherë s’e ngatërrova,
kalin me një krriç,
po të më donin të tërë,
do isha një hiç!

Bota do të ketë përjetë,
sorra dhe laraska,
s’më duan në të vërtetë,
maskarenjtë me maska!

Unë kam shkruar dhe do shkruaj,
topi nuk e luan,
për ata që më besojnë,
edhe që më duan!

Veç atyre u kam borxh,
çdo gërmë e çdo varg,
gjithë të tjerët-nga kjo këngë,
të rrinë sa më larg!

Share This Article
3 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *