Haradinaj, i pafajshëm në Hagë. Prishtina e pret me festë

anazapta

Ramush Haradinaj është kthyer në Prishtinë, pak orë pas shpalljes i pafajshëm nga Gjykata e Hagës. Në aeroportin “Adem Jashari” të Prishtinës, atë e ka pritur Garda e Forcës së Sigurisë së Kosovës, bashkëshortja Anita dhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, presidentja Jahjaga dhe mijëra qytetarë kosovarë.

Në kryeqytetin e Kosovës festa për pritjen e Haradinajt, ka nisur menjëherë pas shpalljes së vendimit.

 

Haradinaj falenderon nga Haga

Ndërkohë vetë Haradinaj, përmes avokatit të tij ka falënderuar popullin e Kosovës dhe bashkësinë ndërkombëtare, të cilët kanë qenë me të gjatë gjithë procesit.

Ndër të tjera, avokati i Haradinajt duke përcjellë porosinë e klientit të tij, ka thënë se pas kthimit në Kosovë, me pajtimin e popullit, kreu i AAK-së do të marrë pozitën e liderit politik të vendit.

“Ai më ka lutur të tregoj se do të kthehet këtë mbrëmje në Kosovë dhe me pajtimin e njerëzve, shumë shpejt do ta marrë pozitën që i takon si lider politik i vendit, duke udhëhequr Qeverinë që përfaqëson të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht gjuhës që ata flasin dhe pavarësisht se prej nga vijnë”, thuhet në deklaratën e avokatit Ben Emmerson.

“Ai (Haradinaj) më ka lutur të them se si lider i Kosovës së lirë do ta luftojë korrupsionin kudo që gjendet dhe se më të do të merret fuqishëm”, shtoi Emmerson.

 

Haradinaj dhe dy ish-luftëtarët e tjerë shpallen të pafajshëm

Ramush Haradinaj, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj janë shpallur të pafajshëm nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, duke i liruar tre të akuzuarit nga të gjitha akuzat.

Haradinaj dhe dy të tjerët ishin nën gjykim të pjesshëm për akuzën “trajtim mizor, torturim dhe vrasje të të burgosurve të UÇK-së” në kampin ushtarak të Jabllanicës, në vitin 1998.
Haradinaj u shpall i pafajshëm në 2008-n pas një procesi gjykimi që zgjati 3 vjet, ndërsa në korrik të 2010-s, Gjykata e Hagës vendosi që të rikthejë pjesërisht për gjykim rastin e tij.

Ndërkohë, në Prishtinë, dhënia e vendimit është pritur me entuziazëm.

Qytetarë të shumtë janë mbledhur në Sheshin Nëna Terezë të Prishtinës, ku, përmes ekraneve gjigante, kanë ndjekur drejtpërdrejt leximin e vendimit përfundimtar për rastin.

Fishekzjarrët kanë mbuluar qiellin e Prishtinës, ndërsa qytetarët e përlotur kanë uruar njëri-tjetrin.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *