Bllokohet fondi prej 1.8 miliardë lekësh për kompensimin e pronarëve. Rreth 8 mijë dosje që kanë përfunduar shqyrtimin presin në dyert e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të pronave nisjen e pagesave. Gazeta “Shekulli” shkruan sot se sipas disa burimeve nga AKKP-ja, ende nuk është lëvruar fondi për nisjen e pagesave, ndërkohë që në fund të muajit të shkuar duhet të nisnin pagesat e këstit të parë. Gjithashtu, edhe gjatë vitit të shkuar nuk janë kryer pagesat për kompensimin e pronarëve.
Buxheti i fondit për kompensimin në vlerë të pronarëve për vitin 2013 është 1,8 miliardë lekë. Në këtë fond buxheti i shtetit do të kontribuojë me 300 milionë lekë ose 3 milionë dollarë, ndërsa 1,5 miliardë lekë të tjera pritet të sigurohen nga procesi i legalizimeve. Një procedurë e veçantë do të ndiqet për dosjet kur rastet e vendimeve janë ndryshuar pjesërisht. Sipas përcaktimi ligjor, për efekt klasifikimi do të merret numri dhe data e vendimit bazë, që është më i hershëm në radhë kronologjike. Kompensimi do të bëhet për pronën e llojit truall, në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës, të miratuar sipas vendndodhjes së pronës që kompensohet. Për përcaktimin e rregullave dhe të kritereve për shpërndarjen e fondit të kompensimit të pronarëve, në të holla, për vitin 2012 parashikohet që subjektet e shpronësuara, prona e të cilave është njohur për kompensim, të marrin paratë sipas radhës kronologjike të përcaktuar nga numri dhe data e vendimit. Nga kjo skemë do të përfitojnë subjektet, që kanë depozituar kërkesat e tyre në vitet 2006, 2007, 2008, 2009 dhe 2011 dhe që vërtetojnë kryerjen e pagesës. Ndryshimet Ndërkohë është ndryshuar dje edhe procedura për krijimin e fondit special për kompensimin e pronave duke reduktuar të ardhurat që do të vijnë në këtë fond. Deri tani fondi i kompensimit shkonte 65 % e vlerës së objekteve shtetërore që shiteshin me ankand, ndryshimi i fundit ligjor çon fondin nga 20 -65% të vlerës duke i reduktuar ndjeshëm të ardhurat për kompensimin e pronarëve. / Shekulli
