Personi që ka marrë pjesë në kryerjen e një vepre penale të korrupsionit me subjektin e rivlerësimit, ka të drejtë t’i drejtohet zyrës së prokurorisë kompetente për hetimin e veprave penale të korrupsionit, sipas legjislacionit penal.
Prokurori mund t’i japë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë personit që shpreh vullnetin për të dhënë informacion të mjaftueshëm për praktikën korruptive ndërmjet tij dhe subjektit të rivlerësimit.
Nëse arrihet marrëveshja e bashkëpunimit, bashkëpunëtori i drejtësisë duhet të japë informacion të plotë dhe pa asnjë rezervë ose kusht, për të gjitha faktet, ngjarjet dhe rrethanat që shërbejnë si prova vendimtare për zbulimin, hetimin dhe parandalimin e korrupsionit të subjekteve të rivlerësimit.
Dëshmia e dhënë me shkrim nga bashkëpunëtori i drejtësisë përpara prokurorit, përbën një provë thelbësore për procesin e rivlerësimit dhe procese të tjera ligjore.
Bashkëpunëtori i drejtësisë nuk mund të ndiqet penalisht për veprat e korrupsionit që ka kryer me subjektin e rivlerësimit, sipas dëshmisë së dhënë.
Një kopje e dëshmisë dhe e marrëveshjes së bashkëpunimit, i jepet bashkëpunëtorit të drejtësisë dhe institucioneve të rivlerësimit.
Subjekti i rivlerësimit që ka përfituar shumën, mbart detyrimin t’ia kthejë atë bashkëpunëtorit të drejtësisë, pavarësisht se ka shkelur ligjin.
