Profesorati i mjekësisë pozicionohet kundër urdhrit të ministrit të Shëndetësisë, Halim Kosova, për zgjedhje të reja në disa prej shërbimeve të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Polemikat e lindura mbi procedurat e zgjedhjes së shefave të rinj të shërbimeve në QSUT hidhen poshtë nga Këshilli i Profesoratit në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës, teksa u kërkua firmosja e shkresës nga ministri Kosova për emërimin e drejtuesve të përzgjedhur.
Dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Bajram Hysa, deklaroi dje se shkresa e bërë nga ministri Kosova (urdhër i nxjerrë në 30 prill), për mosnjohjen e reformës së zbatuar në QSUT gjatë përzgjedhjes së shefave të rinj është në kundërshtim me ligjin. Në daljen e tij publike Hysa tha se duke iu referuar vendimit të qeverisë nr 771 i datës 7 nëntor 2012, mbi bazën e të cilit dhe u kryen zgjedhjet për shefat e shërbimeve, i gjithë procesi është zhvilluar në mënyrë korrekte dhe në pajtim me ligjin. Më tej Hysa bëri të ditur se pak ditë pasi ka marrë detyrën, kreu i shëndetësisë Halim Kosova i ka propozuar bordit të QSUT-së të rishikojë procesin, por bordi ka votuar unanimisht për 14 shefat e zgjedhur pas shkurtimit të shërbimeve sipas vendimit të qeverisë.
Në fund të deklaratës së tij, dekani i mjekësisë e cilësoi kapërcim të kompetencave të ministrit urdhrin e datës 30 prill. Kundrejt kësaj situate të krijuar shefat e shërbimeve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” nënshkruan një peticion duke kërkuar ndërhyrjen e qeverisë në zgjidhjen e këtyre shkeljeve që vetë ministri po bën. Ndërkohë, urdhri i Kosovës riktheu në detyrën e mëparshme të gjithë shefat e vjetër të shërbimeve, të cilët nga ana e tyre e konsiderojnë si të drejtë.
U bë disa ditë që kjo situatë krijon tensione dhe ankth në QSUT, ku krahas shefave të shërbimeve, edhe personeli mjekësor rezulton i përfshirë nga paniku si pasojë e valës së lëvizjeve dhe shkurtimeve nga puna që po bëhen në këtë qendër spitalore. Një tjetër proces i vonuar është edhe ai i miratimit të vendimit për specializimet. Kjo ka bërë që me qindra studentë të diplomuar në profile të ndryshme mjekësore prej muajsh të qëndrojnë në pritje të nisjes zyrtare të procedurave për të ushtruar të drejtën e ndjekjes së specializimeve në këtë qendër spitalore, ose dhe në strukturat spitalore rajonale sikundër është deklaruar pak kohë më parë nga specialistë të Ministrisë së Shëndetësisë.
Aktualisht, nisja e konkurrimeve zyrtare për këto specializime ka mbetur peng i vendimit të Këshillit të Ministrave në lidhje me kuotat dhe detajet konkrete se si zhvillohet përzgjedhja e kandidatëve fitues që do të mund të vijojnë kualifikimet përkatëse në shërbimet spitalore.

Minister leshi,minister nje mujor. Ai tani jep doreheqjen se kandidon per deputet dhe merret me problemet e pafund te mjekesise. TRAP
Ne fakt eshte vendim i drejte se nuk ngeli rrenxe pa u bere shef duke filluar me piperon e me kompani. Shoku dekan eshte i cike sojli per keto pune…