Vrasja në mënyrë mafioze e Elton Çiças, më 1 maj të këtij viti në Tiranë, tashmë ka dy emra autorësh: Jani Aliaj dhe Renato Milloshi. Megjithatë, policisë i është dashur të verifikojë të shkuarën e viktimës apo të autorëve të mundshëm. Çiça, thotë policia, dyshohet se ka urdhëruar një seri atentatesh. Madje, një javë para se të vritej, i ka bërë atentat edhe Jani Aliajt, por shënjestra ka shpëtuar, për të marrë më pas hak. Po si ka shkuar policia tek këta dy autorë?
Gazeta “Shqip” ka siguruar dosjen e plotë të prokurorisë, ku detajohen të gjitha dyshimet e policisë për këtë vrasje. Sipas saj, çështja është regjistruar me akuzat e vrasjes me paramendim, mbajtje pa leje e armëve, municionit luftarak, bombave apo minave dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Çiça dhe e kaluara
“Nga materialet e administruara, rezultoi se më 01.05.2016, rreth orës 22.20, në rrugën “Gjin Bua Shpati”, afër shkollës “Emin Duraku”, në mjediset e bar “De Niro” ka ndodhur një vrasje. Një grup hetimor ka shkuar në vendngjarje. Viktima është identifikuar si Elton Naim Çiça, i datëlindjes 24.01.1980, lindur në Tepelenë dhe banues në Tiranë. Pas ngjarjes kufoma është transportuar për në morgun e IML-së Tiranë. Këqyrja e kufomës tregon që të ketë dy plagë të shkaktuara me armë zjarri. Nga informacionet policore në lidhje me personalitetin e viktimës del se dyshohet si autor ose porositës i një sërë ngjarjesh të rënda kriminale” thotë policia.
Sipas policisë, ngjarjet kanë pasur këtë kronologji: Më 30.03.2015, në qytetin e Tepelenës disa persona të maskuar kanë hyrë në banesën e prindërve të shtetasit Elton Çiça dhe pasi kanë ushtruar dhunë ndaj tyre u kanë vjedhur një sasi prej 5000 eurosh dhe janë larguar. Gjatë hetimeve në lidhje me këtë ngjarje nga policia gjyqësore janë identifikuar autorët e kësaj ngjarje të cilët kanë rezultuar të jenë shtetasit Ervis Imeri, Robert Rama, Sokol dhe Arben Jella. Pas kësaj ngjarje dyshohet se shtetasi Elton Çiça ka nisur të hakmerret ndaj personave që dhunuan dhe grabitën prindërit e tij dhe konkretisht: Më 08.06.2015, rreth orës 20:00, në lagjen nr.17/1 të qytetit të Durrësit është vrarë me armë zjarri Robert Rama. Më 12.07.2015, në automjetin e markës “Fiat”, model Cinquecento, me targa AA 021 HD, në përdorim të shtetasit Ervis Imeri është vendosur një sasi prej 600 gr lëndë eksplozive (tritol) e lidhur me një telefon, e gatshme për t’u shpërthyer; shpërthimi nuk është arritur sepse Ervisi e ka diktuar lëndën shpërthyese. Më 07.12.2015, në “Kombinat”, si pasojë e shpërthimit të një lënde eksplozive është shkatërruar automjeti i markës “Ëolksvagen”, model Golf, me targa AA 880 BX, ku brenda ishte pronari Elton Imeri, vëlla i Ervis Imerit. Si pasojë e shpërthimit Elton Ymeri është gjymtuar duke humbur një nga këmbët.
Sipas prokurorisë, policia dyshon që këto ngjarje të rënda kriminale e kanë pikënisjen nga ngjarja e datës 30.03.2015 e ndodhur në qytetin e Tepelenës, dhe se sipas tyre është hakmarrja e Elton Çiçës. Për këtë ngjarje, pas marrjes dijeni nga policia gjyqësore, u vendos sakaq regjistrimi i çështjes penale.
Çiça vs Aliaj
Nga hetimet ka rezultuar se viktima ka pasur një konflikt serioz me të quajturin Jani Aliaj, i plagosur me thikë në një burg në Greqi nga viktima. Jani Aliaj është tentuar të vritet rreth një javë para vrasjes së Elton Çiças, ngjarje e ndodhur në Gjirokastër. Ka dyshime konkrete që autor i mundshëm ose i interesuar për këtë vrasje mund të jetë edhe ky person. Sipas raportit të shërbimit datë 12.05.2016 të agjentit të policisë gjyqësore Servet Gjoshi, rezulton se i dyshuari Jani Aliaj bashkëjeton me një shtetase të quajtur Morena, në adresën rruga e “Kavajës”, kompleksi i pallateve “Delijorgji”, pallati “F”, shkalla nr.2, ap.3, Tiranë. Është bërë kontroll në këtë banesë, ku janë gjetur disa prova, ndërsa policia ka arritur në përfundimin se autor të vrasjes është Jani Aliaj dhe Renato Milloshi, të cilët janë shpallur në kërkim./Shqip
