Biznesi kërkon edhe një herë me forcë aplikimin e amnistisë fiskale, si një e drejtë e vetme e mundshme për të “shpëtuar” nga ngërci në të cilin është futur sipërmarrja. Mendimi për një amnisti të plotë fiskale dhe legalizim asetesh është artikuluar dje nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe shoqatat e biznesit. Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka ju kërkoi dje vendimarrësve kuvendorë që të shohin me hapa të përshpejtuar riaplikimin e ligjit për amnistinë fiskale dhe legalizimin e aseteve, por jo sipas variantit që ktheu në formë ligjore Ministria e Financave para dy vitesh, por me propozimet që vijnë nga vetë nga biznesi. Kjo kërkesë sipas zotit Jaka vjen si shkak i vlerësimit me objektivitet të krizës ekonomike si dhe pasojat që po jep në në ekonominë shqiptare. Në këtë kontekst biznesi, vlerëson si sinjal negativ mosrealizimin e të ardhurave në tremujorin e parë të këtij viti, vlerëson si fenomen negativ daljen e mjeteve monetare jashtë sistemi bankar shqiptar, si dhe jashtë kufinjve të Shqipërisë në shuma të konsiderueshme, sheh shqetësuese pamundësinë e buxhetit për të mbajtur premtimet e Ministrisë së Financave për shlyerjen e detyrimeve ndaj sipërmarrjes private, sheh problematike arbitraritetin në vendosjen e gjobave nga administrata fiskale. “Shuma që buxheti i shtetit i ka kompanive private është në shifra të konsiderueshme, të cilat i kalojnë 200 milione eurot. Por një fenomen negativ, i cili po shoqëron tashmë rritjen e detyrimeve që ka buxheti i shtetit ndaj kompanive është detyrimi që ka ndaj kompanive të shërbimit, ku ne kemi marrë një informacion dhe janë rreth 660 kompani që operojnë në sektorin e shërbimeve dhe që po preken nga kjo plagë e rëndë, pasi i penalizon këto kompani në pagimin e detyrimeve të drejtpërdrejta të tatim fitimit dhe të TVSH-së”, thotë Nikolin Jaka, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë. Duke analizuar një sërë problematikash të tilla, biznesi risjell dhe një herë me forcë në vëmendje alikimin e amnistisë, si një mënyrë efikase për të shpëtuar nga tregues të tillë që po e mbysin sipërmarrjen, ose në të kundërt po shkohet drejt falimentit, drejt mbylljes së vendeve të punës, drejt një kolapsi të ekonomisë që vështirë do e këtë të marrë veten për vite me radhë. “Të alikohet fuqia vepruese e ligjit nr. 10 418 të datës 21 prill 2011, për “Legalizimin e kapitalit, dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor” dhe për vitin ushtrimor 2011, 2012, duke përfshirë në këtë ndërhyrje ligjore propozimet e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë dhe shoqatave të biznesit”, thotë Jaka në deklarimin e tij për median, duke dhënë dhe zgjidhjen se si mund të bëhet kjo. Po kështu një kërkesë tjetër e artikuluar dje nga biznesi është kompensimi i TVSH-së dhe mënyra se si mund të ndërhyhet apo të rrgullohen marrëdhëniet mes palësh. “Të ndërhyhet me akte ligjore që mundësojnë kompensimin ose pezullimin e afateve të pagesave për detyrimet tatimore si Tatimi mbi Vlerën e Shtuar dhe Tatim Fitimi në favor të të gjitha kompanive private, kur shuma e detyrimit që sistemi i buxhetit të shteti i ka këtyre kompanive, është më e madhe se shuma e detyrimeve tatimore që kompanitë kanë për të shlyer”, thuhet në këtë artikulim të biznesit. Në të vërtetë këto propozime janë artikuluar dhe përcjellë në komisionet kuvendore kur projekti nuk kishte marrë formë ligjore ende. Propozime që nuk u morën në konsideratë nga qeveria, duke e lënë aministinë të paplotë dhe duke e kthyer madje në një andikap të ri për sipërmarrësit. Risjellja në vëmendje për implementimin me saktësi dhe në mënyrë të shpejtë të këtyre ndryshimeve ligjore, sipas sipërmarrësve do të jepte një frymëmarrje për ekonominë shqiptare, duke i dhënë mundësi biznesit të shpëtojë nga ngërci në të cilin është futur.
