Uau…Erdogani…Erdogani me militantët e tij po djegin librat e Gylenit, kundërshtarit të tij politik!?
M’u kujtua diçka nga qëndrimi im në SHBA, tre vite pasi plasi “demokracia”, tek kushurinjtë e mi në Gary, një qytet i humbur i shtetit Indiana. Dikur, vajza e hallës më çon në bibliotekën e qytetit ku punonte edhe vet. U ula tek kompjuteri dhe, për kuriozitet, klikova nja dy autorë shqiptarë, Kadarenë dhe Dritëroin. Më dolën të printuara gati dy-tre faqe me veprat e tyre. Ndjeva një lloj gëzimi dhe krenarie të brendshme. Ashtu “kot”, gishtat shtypën “Enver Hoxha”. Kur ç’të shihja…Filloi printeri dhe nuk dinte të mbaronte. Doli një çarçaf i gjatë…U befasova. Aty ishin të gjitha veprat e Enverit, pa përjashtim….Jo mo jo – i thoja vetes…?!
Befas m’u kujtua Shqipëria ime, vitet ‘90,…turmat që shqyenin librari e biblioteka dhe digjnin shesheve librat e Enverit, klasikëve… Kujtonin se po digjnin Enverin, por harronin se po digjnin një pjesë të historisë së kombit të tyre….
Dhe mua më godiste në tru shprehja e dikujt: “Ata që djegin libra, do vij një ditë që do djegin edhe njerëz”.
Por zëri i kushurirës më shkëputi nga këto mendime të trishta…
-Ta solla librin që porosite…Po të jap edhe një lajm interesant…Në Shqipëri, këto ditë ka dalë nga shtypi përkthimi në shqip i librit të Adolf Hitlerit, “Main Kampf” (Lufta ime)…
Buzëqesha dhe thashë me vete:
-Paradokset e popullit tim…
Shënim i dërguar
nga Genc Melonashi
