Xhelal Peposhi është njeriu kyç që për drejtësinë dhe policinë mund të bëhet një pikë e fortë për zbardhjen e vrasjes së Gentian Shkretës dhe arrestimin e autorit të dyshuar Jetmir Llani. Ai është arrestuar vetëm disa orë pas krimit, pasi kishte denoncuar për grabitjen e makinës së tij taksi. Madje për këtë denoncim pati edhe dy persona të ndaluar nga policia në Spitalin Ushtarak. Ata u akuzuan se kanë marrë peng një person dhe më pas i kanë grabitur atij makinën. V. M nga qyteti i Mamurrasit dhe një bashkëpunëtori i tij u aksidentuan me makinën e grabitur dhe u dërguan në Spitalin Ushtarak jashtë rrezikut për jetën. Sipas policisë lokale, dy grabitësit u denoncuan nga Xhelal Peposhi, banues në fshatin Fushë-Mamurras. Ai i tha policisë se ishte duke udhëtuar drejt Mamurrasit me mjetin e tij Benz me targa LA 7930 A kur dy personat i kanë dalë përpara dhe i kanë bërë shenjë për t’u ndalur. Nën kërcënimin e armëve ata kanë rrëmbyer mjetin, ndërkohë që viktimën e kanë lënë në afërsi të lumit Mat. Kurse vetë të ndaluarit pohuan se ishin duke ecur me shpejtësi të madhe, dhe ishin përplasur me një kamion në afërsi të kryqëzimit të Patokut. E gjithë kjo histori gati u bë e besueshme për të vërtetuar thëniet e Xhelal Peposhit i cili denoncoi vjedhjen e makinës së tij, por hetimet e para për vrasjen e Gentian Shkretën, çuan hetuesit tek emri i Peposhit. Ky i fundit i njohur si miq me të dyja palët, si me ata të familjes Shkreta, edhe me ata të familjes Llani, rezulton komshi me viktimat e së dielës. Të dhënat e para nxorën në pah se Peposhi ishte mjaft i interesuar për rrugëtimin e Gentian dhe Emanuel Shkretës të cilët kishin shkuar për një dasmë tek e motra në Serbi. Ndaj hetuesit besojnë se ai ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Jetmir Llanin, të cilin edhe e ka informuar për lëvizjet e hasmëve të tij. Por ekspertët besojnë se një pjesë e lëvizjeve të autorit të krimit është kryer me mjetin e Peposhit. Ai del sot para togave të zeza të Laçit i akuzuar për fshehje të informacionit për krimin, sikurse ka shumë gjasa që ekspertët të sigurojnë prova për bashkëpunim në vrasje.
Një jurist në ndihmë të hakmarrësve
Ndonëse në zonën e ngjarjeve të mëdha çdokush përshpërin se familja Llani ndihmohet nga një jurist me detyrë shtetërore, frika se mund të kenë probleme edhe me shtetin, edhe me autorët i bën ata të heshtin. Autori i atentatit ku mbeti i vrarë Gentian Shkreta dhe u plagos vëllai i tij, rezervon dilema të mëdha. Ai mundi të dalë nga qelitë nëpërmjet gjyqësorit vetëm disa ditë pasi u arrestua në Rinas, pasi akuzohej për vrasjen e babait të djemve Shkreta, Mark Shkretën, 71 vjeç. Alibia e Jetmir Llanit ishte mjaft e fortë, pasi me anë të një dokumentacioni të dalë nga qendra TIMS ai i shpëtoi akuzës si autor i vrasjes së kryer në Tiranë. Për këtë rast Policia e Shtetit thotë se po heton, pasi kanë dyshime që Jetmir Llani të mos ketë qenë aspak në Greqi, por mënyra se si ai e ka siguruar futjen e pasaportës së tij në sistem, është intriguese. Megjithatë, ajo çka ka vënë në pikëpyetje seriozitetin për të kapur apo për të ndëshkuar Jetmir Llanin, ka të bëjë me një miqësi të fortë të tij me një zyrtar të shtetit, për të cilët banorët besojnë se ka qenë mburoja e tij.
Historia e familjes Llani
Familja Llani, emri i së cilës është futur në listën e hakmarrësve të fortë, ka një histori gjithashtu të frikshme që herët. Banorët e Shpërdhetit në Mamurrasit, e kanë të veshtirë të flasin, sidomos tashmë që emri i tyre lakohet për dy të vrarë brenda pak muajve në emër të hakmarrjes për djalin 9-vjeçar. Po ata njohin historitë e hershme të kësaj familje. Rreth 80 vjet më parë Llanajt jetonin në një fshat të Malësisë së Krujës, por u shpërngulën prej andej, ndoshta për shkak të egersisë dhe ashpërsisë së burrave të kësaj familje. Banorët thonë se ata u përzunë, por askush nuk mund të dëshmojë se për çfarë, por mjafton fakti se që në hershmëri njërëzit e këtij fisi janë njohur për hakmarrës të mëdhenj, aq sa banorët e kanë pasur të vështirë bashkëjetesën më ta. Vrasja e djalit 9-vjeçar tregoi se kjo familje vështirë të ndalet. Edhe pse familja kundërshtare, ajo e Shkretës, e madhe në numër, po përballet me një hakmarrje seriale nga ana e Llanit.
Ngjarja
Konflikti mes dy familjeve nga Mamurrasi nisi në qershor. Pas një sherri banal vëllezërit Shkreta i zënë pritë Muharrem Llanit, por duke lënë të vrarë nipin e tij 9-vjeçar Indrit Llani. Policia ndaloi dy vëllezërit Shkreta, autorë të dyshuar të ngjarjes. Babai i fëmijës, Jetmiri, u shpreh në atë kohë se do të hakmerrej. Vetëm një muaj më pas u vra në Tiranë babai i dy djemve që ishin në burg. Një ditë më pas shtëpia e Shkretave u hodh në erë. Ndërkohë katër muaj pas asaj ngjarjeje një atentat iu bë dy djemve të tjerë të familjes Shkreta, ku Gentiani ndërroi jetë, ndërsa tjetri është në spital.