Konkurset për artet dhe sportet do zhvillohen në datat 20-30 gusht

redaktor

Pranvera Kola

Në konkurset e pranimeve për degët e arteve dhe sporteve mund të marrin pjesë vetëm kandidatët që kanë kryer regjistrimin online në portalin e maturës duke plotësuar formularin përkatës të aplikimeve, sipas afateve të përcaktuara nga Agjencia Kombëtare e Provimeve. Autoritetet e këtyre dy universiteteve bëjnë me dije se brenda datës 16 gusht do të marrin në dorëzim edhe listën zyrtare të gjithë maturantëve dhe kandidatëve të tjerë që kanë kërkuar të vijojnë studimet e larta në një nga profilet e arteve dhe sporteve. Vetëm kandidatët që janë pjesë e këtyre listave do mund të vijojnë procedurat e mëtejshme të regjistrimit për të dhënë konkurset specifike sipas degëve ku kanë aplikuar. Regjistrimet për degët me konkurs do të zhvillohen në datat 16-19 gusht, ndërsa testimi individual i kandidatëve do të bëhet ndërmjet 20 dhe 30 gushtit. Kandidatët që konkurrojnë për sportet duhet të dorëzojnë në dosjen e kërkuar të dokumenteve gjatë fazës së regjistrimeve: “Fotokopje e dokumentit të identifikimit (pasaportë biometrike ose letërnjoftim-kartë identiteti), 2 foto, formularin e kartelës mjekësore të plotësuar me firmë dhe vulë tek mjekët përkatës, komisionin mjeko-ligjor me tre firma dhe vula (bashkëngjitur këtij formulari edhe EKG e zemrës), si dhe mandat pagesa e paguar në çdo bankë të nivelit të dytë”. Aktualisht, fakultetet përkatëse të dy universiteteve kanë detajuar rubrikat dhe tematikat mbi të cilat do të ndalet testimi i kandidatëve në të gjitha fazat e konkursit që do të zhvillohet në dhjetë ditët e fundit të muajit gusht. Për të mos rrezikuar përjashtimin nga hyrja në konkurs, maturantët duhet të paraqiten dhe të aplikojnë në sistem duke plotësuar formularin e preferencave ku duan të vijojnë studimet për pranimet e vitit të ri akademik.

Plotësimi i formularit online vijon deri me 10 gusht

Kështu, secili maturant dhe kandidat që ka kryer pagesën e aplikimit për formularin e pjesëmarrjes në garën e universiteteve, (pagesë e cila bëhet në zyrat e Postës Shqiptare, si dhe në secilën bankë të nivelit të dytë, duke dorëzuar edhe në shkollën e tij mandat pagesën përkatëse), mund të aplikojë nga çdo mjedis ku ka akses interneti, në shkollë, zyrë, shtëpi, kafe internet, etj. Për të hyrë në sistem duhet të aplikoni në adresën: www.matura.akp.gov.al. Me hapjen e kësaj faqeje, duhet të klikoni te butoni “apliko”, që ndodhet në pjesën qendrore të dritares dialoguese . Pas këtij veprimi shfaqet dritarja përkatëse, në të cilën maturanti duhet të plotësojë të dhënat që kanë të bëjnë me identifikimin e tij, siç janë të dhënat për numrin e identifikimit ID, emër, atësi, mbiemër, Kartë Identiteti, si dhe adresën e emailit. Çdo e dhënë duhet plotësuar me kujdes dhe në mënyrë të saktë, pasi do të nevojitet deri në shpalljen e fituesve. Tek fusha ku plotësohet “Karta e Identitetit”, duhet të vendoset numri personal. Me të plotësuar këto të dhëna, duhet të klikohet mbi butonin që thotë “identifikohu”. Në rastet kur të dhënat nuk janë të sakta, ju nuk mund të vijoni më tej, çka do të thotë se duhet të verifikoni të dhënat e hedhura mbi numrin personal të kartës së identitetit nga e para. Nëse edhe pas verifikimit të këtyre të dhënave, ju del i njëjti mesazh që pengon vijimin e mëtejshëm të aplikimit, ju duhet të paraqiteni detyrimisht pranë Drejtorisë Rajonale të Arsimit, të rrethit tuaj, ku në praninë e një mbikëqyrësi do të vijoni aplikimin përkatës. Ndërkohë që në rastet kur këto të dhëna janë të sakta, ju mund të vijoni më tej me renditjen e 10 degëve ku doni të fitoni studimet e larta, ndërmjet të cilave duhet të jenë edhe degët e arteve dhe të sporteve.

Shpallja e fituesve për të gjitha universitetet  

Shpallja e listave të fituesve që do të pranohen në të gjitha universitetet e vendit do të bëhet në nisje të muajit shtator. Por, pas daljes së rezultateve nga universitetet për fituesit e përzgjedhur, kandidatët do të gëzojnë edhe të drejtën e ankimimit, brenda tri ditëve kalendarike nga dita e shpalljes së rezultateve. Udhëzimi i MAS i detyron universitetet që të japin argumentet përkatëse në lidhje me pretendimet e ngritura nga çdo kandidat brenda dy ditëve nga momenti i dorëzimit të ankesës. Nëse maturantët mund të jenë sërish të pakënaqur me përgjigjen mund të ankohen më tej në rrugë gjyqësore. Universitetet do të shpallin fillimisht listat jopërfundimtare të fituesve, të identifikuar me ID-në e tyre brenda datës 5 shtator. Ndërkohë, pas përfundimit edhe të afateve të ankimimit dhe shqyrtimit të ankesave, do të shpallen listat përfundimtare të fituesve të identifikuar me ID-në e kandidatit. Shpallja e këtyre listave do të bëhet në datën 11 shtator. Më pas të gjithë kandidatët, që kanë kryer procesin e aplikimit në raundin e pare dhe janë shpallur i fitues duhet të kryejnë procesin e regjistrimit online, si dhe atë me dokumentacion në sekretaritë mësimore të fakulteteve në programin e studimit që dëshirojnë të ndjekin. Kjo procedurë do të bëhet në datat 13-20 shtator 2016. Kandidati që është shpallur fitues në më shumë se një program studimi, lejohet të regjistrohet vetëm në njërin nga programet, duke vendosur vetë se në cilin prej tyre do të shkojë.  Në udhëzim përcaktohet se kandidati, pasi ka bërë regjistrimin me dokumentacion dhe ka nënshkruar në regjistër, nuk ka të drejtë të ndryshojë programin e studimit, për atë vit akademik.

 

Përfundon rikonstruksioni i kopshtit “Cicërima”

 

Përfundon rikonstruksioni i një tjetër kopshti në kryeqytet. Kësaj here bëhet fjalë për kopshtin “Cicërimat”, pjesë e Njësisë Administrative nr.5. Mbyllja e punimeve edhe në këtë godinë, e çon në 13 numrin e kopshteve të rirregulluara nga Bashkia e Tiranës, të cilat janë gati të mirëpresin fëmijët në sezonin e ri shkollor 2016-2017. Krahas mobilimit të brendshëm, kopshti është pajisur edhe me një kënd lojërash, në mënyrë që fëmijët të kenë më shumë mundësi argëtimi. Gjatë inaugurimit të punimeve të kryera në këtë kopsht, kryebashkiaku Erion Veliaj, ka deklaruar se po vijojnë punimet edhe në lagje të tjera të kryeqytetit. Kjo me qëllim që të përmbushet edhe premtimi i dhënë që shtatori të gjejë qytetin me 23 kopshte totalisht të rikonstruktuara. “Kopshti “Cicërimat” është kopshti i 13 që rikonstruktohet nga Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me donatorët. Kemi edhe 10 kopshte të tjera. Sigurisht, do të kapim shtatorin me kopshte totalisht të rinovuara në qytetin e Tiranës. Të gjitha studimet tregojnë se kur fëmijët rriten mirë deri në moshën 5 vjeç, kemi qytetarë më të mirë deri në 50 vitet e ardhshme, ndaj dhe kjo është arsyeja pse ne e marrim shumë seriozisht çështjen e kopshteve dhe çerdheve në Tiranë sepse besojmë që prindërit e Tiranës na kanë besuar gjënë e tyre më të çmuar, fëmijët e tyre”, u shpreh Veliaj. Ai shtoi se Bashkia e Tiranës do të sigurohet që fëmijët, deri në moshën 5-6 vjeç, kur dalin nga kopshtet, të jenë qytetarë më të denjë, që pëlqejnë pastërtinë, punën dhe që njohin vlerat. “Besoj se garancia më e mirë për Tiranën e 50 viteve të ardhshme është mënyra se si ne trajtojmë 5-vjeçarët e sotëm. Ndaj dua të falenderoj të gjithë prindërit për kontributin dhe për mënyrën se si këtë strehë e keni rrethuar me shumë dashuri dhe shumë përkushtim”, përfundoi Veliaj. Ndërsa administratorja e kësaj njësie, Violeta Kile, tha se kopshti është rikonstruktuar plotësisht, ku janë kryer të gjitha punimet e brendshme, duke filluar me zëvendësimin e të gjitha dyerve dhe dritareve, instalimet elektrike dhe hidraulike, duke vijuar me mobilimin, shtrimin e pllakave, shtrim me laminat etj.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *