Jemi i vetmi vend në rajon, që e duam më shumë nga të gjithë Evropën. E duam, madje edhe më shumë nga ç’e do ajo vetveten! Më shumë se ç’e do atë, qytetari gjerman, qytetari francez, ai italian, por edhe ai grek. Dashuri e veçantë, që shoqërohet si rrjedhojë me një besim shumë të lartë. Një besim, që kap nivele rekordi, larg besimit të ulët, që kanë vendet anëtare dhe qytetarët e tyre. Por, çfarë thonë konkretisht të dhënat e Eurobarometrit të fundit mbi raportet e opinionit publik shqiptar me Evropën ?
Janë një sërë të dhënash, që ofrojnë një kuadër interesant të opinionit publik shqiptar ndaj BE, institucioneve të tij, si edhe vlerësimeve mbi një integrim të mundshëm të vendit në Union.
Imazhi
Në një shumicë të lartë prej 71%, qytetarët shqiptarë janë shprehur se, kanë një imazh tërësisht pozitiv për BE. Një prej përqindjeve më të larta në rajon, teksa qytetarët serbë janë shprehur vetëm në një nivel prej 37% se kanë një imazh pozitiv për Unionin, 55% është niveli i besimit tek qytetarët malazezë dhe 56% tek qytetarët maqedonas.
Ndërkohë, vlen për t’u theksuar se në BE-28, mesatarja në lidhje me imazhin pozitiv që kanë qytetarët e tij, është e një niveli prej vetëm 34%.
Nëpërmjet 6 fjalëve kyçe për të përzgjedhur se, kush e përshkruan më mirë idenë, që mund të kihet mbi BE, qytetarët shqiptarë kanë zgjedhur në një nivel mbi 70% cilësimin “Demokratik” (75%) Mbrojtës (75%) Modern (74%) me Vizion (71%) Efikas (70%). Vlerësime, që janë gjithashtu të një niveli të lartë edhe tek vendet e tjera kandidate në rajon.
Tërheq vëmendjen fakti se vetëm vlerësimet e dhëna nga qytetarët serbë, janë në pjesën më të madhe të tyre, të përputhshëm me opinionin e BE-28.
Besimi
Përtej imazhit tërësisht pozitiv, që kryeson në të dhënat e përgjithshme të BE-34, edhe niveli i besimit që qytetarët shqiptarë kanë ndaj BE, është më i lartë ndër të gjithë vendet e tjera.
61% e shqiptarëve tentojnë t’i besojnë BE. Shifrat në vendet kandidate të rajonit flasin për nivel më të ulët besimi, në Serbi 36%, në Mal të Zi 54% dhe në Maqedoni 58%. Ndërkohë që mesatarja e besimit tek BE-28 është vetëm e një niveli prej 33%.
Besimi i opinionit publik shqiptar ndaj Parlamentit Evropian kap nivelin prej 66% e të pyeturve. Përqindja më e lartë në tërë rajonin, teksa serbët shprehen vetëm në një nivel prej 31% se kanë besim, malazezët në 51% dhe maqedonasit në 49%. Ndërkohë vetë mesatarja e besimit në BE-28 kap një nivel besimi vetëm në 40%.
Besimi ndaj Komisionit Evropian është gjithashtu më i larti në tabelën BE-34, duke kapur nivelin prej 60%. Jemi sërish, të parët në listë për besimin më të lartë, që kemi shfaqur. Në vendet e rajonit besimi ndaj Komisionit Evropian është 28% në Serbi, 48% në Mal të Zi, dhe 47% në Maqedoni. Ndërsa mesatarja e besimit ndaj Komisionit në BE-28 është vetëm në një nivel prej 37%, pasi 45% e qytetarëve të pyetur janë shprehur se nuk i besojnë dhe 18% nuk janë pozicionuar.
Të pyetur se ç’do të thotë personalisht për to BE, përgjigjet shkojnë në shumicë (53%) tek Liria për të udhëtuar, studiuar dhe punuar kudo në BE, tek prosperiteti ekonomik (43%) dhe një zë më i fortë në botë (37%).
Në një shumicë prej 90%, shqiptarët vlerësojnë gjithashtu se, vendi do të përfitojë nga anëtarësimi në BE, ndërsa qytetarët e rajonit vërehet se shfaqin përqindje më të rezervuara ndaj këtij vlerësimi mbi anëtarësimin: serbët 50%, malazezët 69%, maqedonasit 67%.
Por, si shpjegohet kjo qasje kaq e lartë pozitive ndaj BE, që na veçon si nga fqinjët, por edhe nga vetë vendet kryesore të Unionit ?
Imazhi, besimi por edhe optimizmi i lartë që shfaqin sistematikisht qytetarët shqiptarë, ndaj BE, tërheqin vëmendjen, pasi këto elementë shënojnë veçse rënie dhe regres në vendet e BE, por janë gjithashtu edhe të një niveli më të ulët, tek vendet kandidate të rajonit.
Teksa shpjegimi i regresit të vazhdueshëm të këtyre elementëve, tek vendet anëtare, shikohet në kontekstin e krizave të shumëfishta që kanë përfshirë Unionin, që nga viti 2008, duke krijuar terrenin e nevojshëm për rritjen e dozave nacionaliste dhe të kërkesave në rritje për sovranitet kombëtar, vendet kandidate gjenden në një tjetër klimë marrëdhëniesh me Unionin.
Me një dëshirë tashmë të konfirmuar për t’u bërë vende anëtare të Unionit dhe me procedura integrimi në proces, vendet e rajonit mund të thuhet se, mbajnë ende ritme pozitive në vlerësimet ndaj BE. Me përjashtim të Serbisë, ku konstatohen nuanca pesimizmi dhe shenja mosbesimi të larta ndaj BE, e ndikuar kjo edhe nga rrethana të caktuara historike. Por, qytetarët shqiptarë spikasin nga të gjithë vendet e listuara, me një qasje jashtëzakonisht pozitive ndaj BE.
Një qasje, që imponon reflektim.
Së pari, ndaj imazhit të lartë pozitiv, që kemi për BE. A përputhet ai me realitetin ? Në kuptimin teorik, këtu hyjmë në fushën e njohjes, trajtimit dhe filtrimit të informacionit. Pra, është një proces, që të imponon jo vetëm të shikosh, të besosh, por edhe të dish dhe të kuptosh, duke ndërthurur informacionet me eksperiencën. Në kuptimin praktik, realiteti pasqyrues i fakteve mbi BE, në përgjithësi, nuk të lejon pasjen e një imazhi tejet pozitiv, në nivele që lejojnë kryesimin në tabelën prej 34 vendesh. Në veçanti, roli i saj ka qenë shumë i domosdoshëm, por edhe i kritikueshëm apo herë-herë edhe ambivalent.
Së dyti, besimi i lartë që shfaqim ndaj BE dhe institucioneve të tij në veçanti, nuk mund të shikohet i shkëputur nga optimizmi i lartë. Kjo pasi, procesi i besimit në vetvete, shikohet si një gjendje psikologjike, që është e orientuar drejt pritshmërisë pozitive të qëllimeve, apo sjelljes së tjetrit. Por, sa më e lartë të jetë pritshmëria, aq më i lartë bëhet dhe risku i zhgënjimit. Për më tepër, një besim shumë i lartë, pa një arsye të qartë dhe konkrete, krijon përshtypjen e dozave të një besimi naiv.
Së fundmi, të tre elementët e mësipërm: imazhi, besimi dhe optimizmi, që i gjejmë në dominim të lartë tek qëndrimi i opinionit publik shqiptar ndaj BE, mund t’i lexojmë edhe në një optikë të ndryshme, pasi këto tre elementë mund t’i shikojmë si përbërës të fortë të një pro-evropianizmi të qartë. Pra, qëndrime, që synojnë mbështetjen pa kompromis ndaj integrimit evropian, duke besuar se bashkimi në një fuqi shtetesh, është shumë i rëndësishëm në një botë shumëpolëshe. Një qëndrim, që është tashmë i profilizuar me një ankorim shumë të fortë pro-amerikan.
Të dhënat e Eurobarometrit mbi opinionin publik shqiptar, ndaj Bashkimit Evropian, ndonëse në pamje të parë krijojnë përshtypjen e opinioneve jo shumë të thelluara, me një besim, pasje imazhi dhe një optimizëm shumë të lartë, ato duhen parë më tepër si qëndrime të pastra pro-evropiane, integruese, që e shikojnë dhe e dëshirojnë vendin pranë strukturave evropiane. Dallimi i ndjeshëm nga fqinjët në këtë kontekst, duhet parë edhe tek elementë më të spikatur, që karakterizojnë sjelljen e tyre shtetërore, kryesisht dhe veçanërisht në përqasjen e tyre me tendenca nacionaliste./im.ta/DITA
