Himni gazmor i Partisë Socialiste (Solist, kor dhe orkestër)

redaktor

(Pjesa e tretë, vijon nga numri i djeshëm)

Solisti:

Doli-tha Ekremi,
çfarë i kishin thënë:
“Shteti është i yni,
paçka se ka rënë.

Për Grushtin e Shtetit,
shumë s’u përpoqëm,
me dyfek na hoqën,
me dyfek i hoqëm!”

Sapo fiku zjarret,
Kryeministria,
u kthye Fatosi,
nga Maqedonia.

Atë rrugë me kohë,
ai e kish nisur,
ndaj s’e quajmë dot,
një të arratisur.

Ato ditë Shtatori,
patëm një tërheqje,
Kryetari Nano,
bëri dy dorëheqje.

Veten e çliroi,
hop-nga çdo kapistër,
s’qe më Kryetar,
as Kryeministër.

Kori i bazës:

U bë situata,
shumë interesante,
se na la Fatosi,
dy vende vakante.

Po ja-krejt papritur,
një yll tjetër ndriu,
qeverinë e mori,
Majko Pandeliu.

Majko qe i urtë,
s’ishte i rrezikshëm,
po shumë shpejt për Nanon,
u bë fort i frikshëm.

E kishim Partinë,
hiç pa Kryetar,
jam që jam-tha Majko,
pse të mos e marr?!

Pse të mos e marr,
tha Majko serbes,
po për këtë punë,
duhej një Kongres.

Trio e kryesisë:

Po ai Kongres,
nuk qe bukë e djath,
që të dyja Kokat,
kishin risk të madh.

Po mos zgjidhej Majko,
sipas Shahin Bistrit,
humbte edhe postin,
e Kryeministrit.

Po të zgjidhej Nano,
që s’ish krejt i shkundur,
fitonte në çast,
çdo gjë që kish humbur.

Kori i bazës:

Mbaruan punimet,
ne e hoqëm stresin,
si gjithnjë Fatosi,
e fitoi Kongresin.

E fitoi Kongresin,
pa paguar shella,
se kish në Parti,
rrënjë shumë të thella.

Mbas kësaj-kuptohet,
Pandaliu iku,
u këput i ziu,
si një koqe fiku.

Po një ditë më pas,
shtangur të gjithë mbetën,
kur Nanua-të parë,
bëri Ilir Metën!

Askush s’ia kuptoi,
Nanos djallëzinë,
kur përkohësisht,
mbajti veç Partinë.

Kur përkohësisht,
mbajti veç Partinë,
që do ta përdorte,
si një trampolinë.

Solisti:

Në fillim fasada,
dukej fare mirë,
kishte për të gjithë,
mish e ëmbëlsirë.

Ne të bazës hanim,
pak nga pak si miu,
ndërsa udhëheqja,
hante si ariu.

Nga kjo-situata,
u ndez-u bë flakë:
“Ti hëngre më shumë,
unë hëngra më pak!”

Në Parti u prish,
tej e mbanë mjedisi,
Kryetari Mao,
katharisin nisi.

S’kish më vile rrushi,
të mbushte kofinin,
nisi katharisin,
domethënë pastrimin.

Nuk u kap prej degës,
po u kap prej rrënjës,
të ziut Ilir,
ju qep këmba-këmbës.

Në xhep e në mëngë,
s’i fshehu manevrat,
ish-Kryeministri,
qe çelik nga nervat.

Ish-Kryeministri,
dinte marifete,
e bëri Ilirin,
të fliste me vete.

Katharisi i Nanos,
çomange u bë,
dhe arriti kulmin,
në një KPD-ë.

Kuarteti qeveritar:

Katharisi i Nanos,
i çorientoi punët,
ndaj vinim vërdallë,
njëlloj si majmunët.

U bë një çomange,
pastrim-katharisi,
me rrënjë e me degë,
gjithë na telendisi.

Gjithë na telendisi,
gjithë na hodhi vrerin,
ndaj dhe dhamë dorëheqjen,
të shpëtonim nderin.

(Vijon nesër pjesa e katërt)

Share This Article
2 Comments
  • Mire e ke qendisur o Arben i Dukeve por si titull se ke goditur.Me lejo te te rekomandoje ,quaje :EPOPEJA E BALLISTEVE NE PARTINE SOCIAL- ISHTE!

  • Pershendetje Duk Poeti,
    E ke qendisur, edhe Historian te ishe nuk do ta shkruaje me bukur metamorfozen e PS…
    Titulli do te ish me i pershtatshem:
    EPOPEJA E PARTISE SOCIALISTE…
    Edhe pse ka tone dashamiresie, humori dhe sarkazme, eshte ne vazhden e Epopese se famshme te Çeço Musarajt…
    Respekte Duka per Penen dhe Talentin tend!…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *