Çdo popull dhe Komb në botë do ta dëshironte që Nënë Tereza t’u përkiste atyre

redaktor

Nga Astrit ALIAJ

Edhe pak ditë na ndajnë nga “Shenjtërimi” i Nënë Terezës. Është një nder shumë i madh për ne si Komb, ku shqiptarja Nënë Tereza, Nëna e Botës do të shpallet “E Shenjtë”. Nga njëra anë na nderon para syve të botës dhe nga ana tjetër na detyron që të njohim më shumë vlerat e saj si një humaniste e madhe dhe të jetë si model për t’u ushqyer me më shumë dashuri dhe për të ndihmuar të tjerët.

Nënë Tereza pas fitimit të çmimit Nobel më 17 tetor 1979 deklaroi: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”. Kjo ngjarje atëherë, befasoi botën sepse shumë njerëz pyesnin: ç’ka bërë Nënë Tereza për paqen në botë? Ajo ka bërë shumë, gjithçka, e ka shkrirë jetën e saj në mesin e të varfërve, ndër më të varfërit të botës, për njerëz që ishin të braktisur, të shkelur dhe të sëmurë, duke iu dhënë atyre dinjitetin njerëzor nëpërmjet dhënies së dashurisë. Ajo ishte në mbrojtje të jetës së fëmijëve të palindur, si dhe të atyre që tashmë ishin në buzë të vdekjes.

Lars Roar Langslet, Kryetari Komisionit Parlamentar për Marrëdhënie me Kishën dhe Shkollimin, në fjalën e tij theksoi: “Tërë bota e ka miratuar këtë herë në unanimitet vendimin e Institutit për çmimin Nobel, çmimin e madh të Nobelit për Paqe, i cili do t’i jepet bamirëses së njerëzimit. Njerëzimi e vlerëson atë si NËNË, siç e thërrasin të gjithë. Kjo është fitorja e mirësisë dhe e dashurisë. Nëna Tereza është kulmimi i punës vetëmohuese, i mirësisë dhe i dashurisë…”!

Nënë Tereza e pranoi këtë çmim vetëm në emër të të varfërve, për t’i ndihmuar të varfërit ndër më të varfërit, duke vënë në qendër të vëmendjes së mbarë njerëzimit dy shtylla, shpesh të harruara dhe të ngatërruara, ZOTIN dhe NJERIUN.

Tri “përcaktimet” e Nënës Terezës për paqe nga “Katedra e Paqes” në Oslo ishin:

– “Pa dashuri dhe flijim jeta s’ka kuptim”.

– “Vetëm Dashuria do ta shpëtojë botën”.

– “Veprat e dashurisë janë vepra të paqes”.

Kështu kishte dëshmuar para mbarë botës se “Dashuria” do t’i shëronte të gjitha të ligat e botës, sepse do t’ia mundësonte njeriut tejkalimin e kufijve të kohës dhe të hapësirës, të kombit dhe religjionit, të kastave dhe të ngjyrave…”.

Edhe në atë ceremoni, për dhënies e çmimit Nobel, Nënë Tereza nuk pranoi të bëhej cock-tail për të ftuarit, por kërkoi që 6000 $ të dhëna për çmimin të shkonin për ushqim për të varfërit në Kalkuta për një vit.

Kryetari i Komitetit të atëhershëm për dhënie të çmimit Nobel për Paqe, dr. John Sannes-i, gjatë përcjelljes së Nënë Terezës për kthim në Kalkutë, në aeroportin e Oslos, ndër të tjera i tha: “Me të vërtetë nuk dimë se kush ka marrë çmimin, ne apo Nënë Tereza? Ne e falënderojmë atë, që e ka pranuar këtë çmim, dhe kështu e ka ngritur edhe më tepër vlerën e kësaj mirënjohjeje të lartë. Qysh tani lypset të mendojmë për kandidatët e vitit të ardhshëm. Mbas shpërblimit të Nënë Terezës ,do të jetë mjaft i vështirë ta gjejmë një personalitet të dimensioneve të ngjashme si Nënë Tereza. Më mirë dhe më thjeshtë do t’ishte që ajo prapë ta fitonte këtë çmim”.

Nënë Tereza vdiq më 5 shtator të vitit 1997 dhe më 19 tetor të vitit 2003, Gonxhe Bojaxhi e njohur në gjithë botën si Nënë Tereza e Kalkutës, “U Lumturua” nga Papa Gjon Pali i Dytë. “Lumturimi” ishte hapi i fundit para shenjtërimit. Ndërsa në dhjetor 2015, Papa Françesku miratoi dekretin për njohjen e një mrekullie që i atribuohet ndërmjetësimit të saj me Perëndinë. Kështu Papa Françesku i hapi rrugë shenjtërimit të bamirëses shqiptare dhe më 4 shtator 2016, në Vatikan, Nënë Tereza do të shpallet “ E shenjtë”! Kjo është një ngjarje e rëndësishme dhe e mirëpritur për mbarë botën, por në veçanti për popullin shqiptar, pa dallim besimi.

Nga gjiri i popullit shqiptar kanë dalë dy emra të ndritur që kanë lartësuar emrin e Shqipërisë kudo në botë. Gjergj Kastriot Skënderbeu, i cili është simbol i civilizimit europian dhe i Kombit shqiptar, për atë nuk ka kufij të panjohur gjeografik, as vend që nuk ka dijeni për këtë hero dhe figurë të Kombit shqiptaro-europian, madje ka shtete dhe kombe europiane e botërore që jo vetëm kanë respekt të thellë shpirtëror për të, por edhe e duan si pjesë të civilizimit të tyre europian. Papa III Kalixtus i dha Skënderbeut titullin “Atlet i Krishtit”. Mbas pesë shekujsh, nga gjiri i popullit tonë do të lindte një emër tjetër, që me veprën e saj bamirëse do të çudiste botën mbarë.

Data 4 shtator do të futet në kalendarin e Vatikanit si datë e “Shenjtërimit të Nënë Terezës”, por për kombin tonë kudo që jeton duhet të jetë një datë jo vetëm historike por një ditë lutjesh dhe faljesh.

Presidenti amerikan Bill Klinton, pas ndërhyrjes së NATO-s për çlirimin e Kosovës, kishte deklaruar: “Nënë Tereza, ishte e para Ajo që më bëri ta dua Kombin Shqiptar. Dhe tani ndihem shumë krenar që e plotësova një detyrë morale ndaj Saj dhe ndaj vlerave të lirisë”. Çdo popull dhe komb në botë do ta dëshironte që Nënë Tereza t’i përkiste atyre.

Lutja ” e Nënë Terezës është aq e thjeshtë, gjithnjë aktuale, e mundshme dhe e përshtatshme për çdo njeri: “Punë të vogla me dashuri të madhe”.

 

Së fundi dëshiroj të lutemi, që shqiptarët të fillojnë ta meritojnë Gonxhen, Nënë Terezën, “Shenjtoren” shqiptare.

 

Share This Article
2 Comments
  • E gjith bota e quajne nane pervec turqve qe fatkeqsisht flasin shqip.Djali i hoxhes se Gjirokasters Enveri e quajti bushter kur ajo i kerkoj Europes te nderhyjn e te mos prishen kishat e kultet tjera fetare.Falenderoj Zotin qe nuk u pyet Shqiperia se as cmimin nobel per paqe nuk do ta merrte.Kur erdhi puna per bustin ne hyrje te Shkoders komuniteti musliman nuk ne Xhabijaj se aty ka besimtar musliman.Ateher bashkia e vendosi ne qender te Shkoders ku edhe shifet nga ma shume njers.Komuniteti musliman nuk lejoj te vihej si vule e that ne pasaportat shqiptare se ajo ashte katolike.Jan me qindra rastet qe keta njers i shofin me sy tjeter besimet tjera.Ajo fjala toleranc sikur nuk shkon se nuk la gja pa ba po kan frige.

  • E bija e nikolla bojaxhiut nje qytetar serb na doli sherbetore e katolicizmit dhe i vllai i gonxhes llazari nje fashist ne ushtrin italiane qe luftonte nacionin e vet!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *