Hall më të madh se ky i përgjimeve vendi ynë nuk ka patur ndonjëherë. Thonë kanë dalë sekrete të mëdha! Kur flitet për sekrete, mendja dikujt i shkon te ato ushtarake, por jo. Ne nuk kemi më të tilla! Sekrete mbante diktatura.
Me t’u përmbysur ajo, shteti demokrat paguante gazetarë të tregonin ku ishin të fshehtat e ushtrisë tonë, kështu që, në vitet 97-98 armatimi u bë kashtë e …. Sekrete ngelën vetëm sa brekë ushtarësh ngelën ende pa u shitur. Si duket gazetarët dekonspirues të mallrave dhe mjeteve të ushtrisë nuk e kishin gjetur vendin ku ruhej ky lloj malli me rëndësi të madhe strategjike. Por unë nuk jam ushtarak, ndaj e lë këtë muhabet për ushtarakët. Fjala është për sekrete të tjera që rrezikojnë sigurinë e kombit, këtë s’e kuptojnë të gjithë.
Po kanë dalë të dhëna mbi bankat, d.m.th sa banka kemi, sa para kanë, sa është fitimi i tyre, si ruhen, si transportohen ato, sa është shuma e vjedhur deri sot dhe parashikimi për shumat që do vidhen në të ardhmen, si është më e lehtë, t’i vjedhësh nga brenda apo nga jashtë, d.m.th me hajdutë të brendshëm, se bankat për nevoja të tyre paskan hajdutë, hajdutë nga brenda, jo me thyerje e quajnë këta, pa shkatërruar bankën, d.m.th vjedhje me kosto të ulët. Bile thonë se ka vullnet politik nga të dy krahët që vjedhjen nga brenda ligjvënësi ta heqë si figurë krimi. Vet foljen “vjedh” do e heqin nga fjalori, ajo zëvendësohet me foljen e bukur “marr”. Morën, jo vodhën, dhe mirë do të bënin. Mjaft më me ligje që inkriminojnë njerëzit. Ikën kohët kur diktatura të fuste në burg edhe kur banka dilte tepër, pale deficit. Pra, në një farë mënyre do krijohet infrastruktura ligjore vjedhore, nëse shprehem mirë.
Për këtë duhen edhe njerëz me mendësi të reja, ndaj bankat duhet të kryejnë reformë. Në to është mirë të mos ngelet asnjë punonjës që s’merr një qindarkë, si i thonë, që s’di të fshehë, që s’merr me karar sikurse ka ndodhur kohët e fundit që kanë marrë vlera monetare më tepër nga planifikimi e ngeleshin pa rroga punonjësit e bankës, këshilli mbikëqyrës dhe vet guvernatori. Gjendja qenka më serioze, se rrezikohen të ngelen pa pagë deputetët, ministrat, policët, gjyqtarët, prokurorët e për rrjedhojë këta mund të lënë punën.
Ja pse rrezikohen siguria e kombit. Largimi i tyre do qe kolaps për vendin. Në rrethana të tilla thuhet se po arrihet konsensus t’u bëhet thirrje nëpunësve nga palët politike, të qëndrojnë në punë edhe pa pagë, se ka populli. Kuptohet apo jo, nuk ngelen pa gjë! Eh “Dita”, druaj se mos na marrin dhe fondet e pensioneve, sidomos të atyre që qeveria u jep 10-12 mijë lekë në muaj. Ju do thoni, pse? Po me se do paguajnë ujë e drita pensionistët? Të kalojnë në kolaps Ujësjellësi, OSHEE-ja, kështu vendit i rrezikohet dy herë siguria.
Flitet se Rama ju ka bërtitur atyre të Institutit të Sigurimeve. Nuk e kanë pyetur kur i rritën vetëm me 1.6% pensionet, sikur pensionistët të qenë mace dhe do i rrisë pensionet e vogla, veçanërisht të fshatit, dy fish, pasi ka kuptuar se këta jo vetëm e kanë votuar, por se ata vërtet kanë dalë në pension në fshat, por kanë mbi 20 vjet që banojnë në qytet. Ja ç’do të thotë të të presë timoni majtas dhe pensionistët mezi presin të vijnë zgjedhjet e të zënë radhën për të votuar.
