VARGJE PËR KËNGË

redaktor

 

1. Vetëm dashuromë!

Mos pyet për moshën,
të kam thënë përherë,
jam në moshë të lules,
s’vyshkem asnjëherë!

E kam plot aroma,
zemrën edhe shpirtin,
jam në moshë të lules,
lulëzoj gjithë vitin!

Burim do të bëhem,
do të rrjedh në krua,
që t’i puth pareshtur,
dy buzët e tua!

Ti më pyet prapë,
po unë të them mos,
se çdo ditë që ikën,
mua më përsos!

Në stinë të pranverës,
ora më ka mbetur,
në petale lulesh,
si vesa jam tretur!

Koha nuk ndalon,
ikën e largohet,
po mua aroma,
dhe më shumë më shtohet!

Trëndafili i moshës,
hapet edhe hapet,
nga puthjet e mia,
jeta ty të zgjatet!

Ty të zgjatet jeta,
nga gjithë kjo aromë,
ndaj mos pyet kurrë,
vetëm dashuromë!

 

2. Dashurinë e parë-nuk e sosëm dot

Sa shumë që u deshëm,
dikur ne të dy,
sa që gjithë Bota,
na kishte zili!

Qaj-moj zemra ime,
qaj-moj qaj me lot,
dashurinë që nisëm,
nuk e sosëm dot!

Të dy nëpër Botë,
na ndau kurbeti,
dashuri e parë,
peng në zëmër mbeti!

Më pas rrodhi jeta,
si lumi me valë,
ti me tjetër vajzë,
unë me tjetër djalë!

Po pas shumë vitesh,
të pashë përsëri,
menjëherë rashë,
prapë në dashuri!

Ora ime ndali,
koha pas u kthye,
gjithë mundim’ i jetës,
në çast m’u shpërblye!

Sa shumë djem e vajza,
kanë në kujtesë,
gjithë dashuritë,
që mbetën në mes!

Ëndrrat që u tretën,
shpresat që u shuan,
zemrat që nga vitet,
kurrë s’u shëruan!

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *