Një vrasje ndodhi mbrëmjen e së hënës (sonte) në fshatin Fushë-Kuqe të Kurbinit. Pjetër dhe Luigj Vukaj, babë e bir, janë vrarë me armë zjarri nga fqinji i tyre, Ndue Gjini, 71 vjeç. Vrasja e dyfishtë mësohet se ka ardhur pas një konflikti të gjatë me pronën mes dy familjeve.
Vrasja ndodhi rreth orës 21:00, ndërkohë që autori u kap rreth një orë më pas, pas marrjes në pyetje të dëshmitarëve. Pas arrestimit të Gjinit, mësohet se policia ka sekuestruar armën e krimit, ndërkohë që 71-vjeçari është marrë në pyetje nga blutë, për të zbardhur më tej mënyrën se si kanë rrjedhur ngjarjet.
E hëna është nata e tretë rresht që ka shënuar vrasje. Ditën e shtunë në Kamzë një shtetas përplasi me makinë dy punonjës policie duke lënë të vdekur njërin prej tyre. Ditën e diel mbeti i vrarë një biznesmen ndërtimi në Tiranë, ndërkohë që kthehej për në shtëpi. Ndërkohë që sonte mbrëma konflikti i pronave i mori jetën babës e birit.
