E dashur gazeta ‘DITA’. Ju që dini të vlerësoni dhe lartësoni vlerat ë këtij kombi, lutem botojeni këtë shkrim timin për një patriot të madh të Labërisë. E kam fjalën Refat Barjam Veshaj të cilin Shoqata Atdhetare “Labëria” e vlerësoi para pak ditësh me titullin “Mirënjohje e Labërisë”, pas vdekjes.
Refati ishte një patriot e luftëtar besnik, pjesëmarrës dhe drejtues njësish partizane dhe në atë të punës për ndërtimin e vendit. E kam njohur Refat Barjamin si shok dhe bashkëluftëtar të babait tim. Në njësitë partizane që ai drejtoi, ku pjesëmarrës ka qenë xhaxhai, vëllai im si dhe 27 bij nga fshati Dukat. Të gjithë këta kanë ruajtur respekt e dashuri për këtë trim legjendë. Them legjendë pasi puna, aktiviteti dhe shembulli i tij ruhen me nostalgji nga gjithë ata që kanë luftuar e punuar me atë. Refat Barjam Veshaj u lind në Gumenicë më 10 shkurt 1911, në gjirin e një familjeje që u gjend në ballë të luftëtarëve ne Epopenë e Luftës së Vlorës me 1920. Qysh ne fillimet e LANÇ Refati u bë pjesë aktive e saj. Për aftësitë organizative, besnikërinë dhe guximin e treguar ne Çetën Plakë të Vlorës, më pas ai do të caktohej komandant i të parës çetë partizane “Halim Xhelo” që u formua me 7 prill 1943 në Mazhar, çetë që më 20 qershor 1943 u ngrit në nivelin e batalionit. Me 20 shtator 1943 ne Matogjin u krijua batalioni “Perlat Rexhepi” komandant i të cilit ishte Refat Barjami. Me krijimin Brigadës 12 sulmuese qe do te organizohej ne Dishnicë të Përmetit Refat Barjami së bashku me Qemal Klosin do të caktoheshin përkatësisht komandant dhe komisar te këtij formacioni luftarak. Për personalitete te tilla ka gjithmonë vend rishikimi e rivlerësimi i duhur.
