Rreziku nga uji i ndotur në plazhe dhe pishina 

Dita

Dermatologia Monika Fida thekson se rreziku për këtë grup patologjish qëndron në faktin se janë sëmundje ngjitëse. Ato mund të transmetohen lehtë nëse nuk respektohen kushtet higjieno-sanitare, të tilla si përdorimi i të njëjtit peshqir, përdorimi i veshjeve personale

Edhe gjatë këtij viti shumë pushues po përballen me infeksionet dhe mykun e lëkurës si shkak i frekuentimit të plazheve dhe pishinave, ku higjiena nuk është në nivelin e duhur. Shqetësime këto, të cilat hasen pothuajse tek të gjitha grupmoshat. D.SH.M, Monika Fida, mjeke dermatologe në QSUT, njëherësh edhe pedagoge në Universitetin e Mjekësisë, rekomandon që të bëhet shumë kujdes me përdorimin e sendeve personale të higjienës gjatë frekuentimit të plazhit dhe pishinave. Sipas saj, personat e prekur nga këto infeksione, duhet të shmangin frekuentimin e plazheve dhe pishinave deri në shërimin e tyre, kjo jo vetëm që të mos përkeqësojnë situatën dhe të parandalojnë komplikacionet e këtyre patologjive, por pakësojnë edhe rrezikun e përhapjes së këtyre patologjive tek individët e tjerë. Infeksionet dhe myku shfaqen atje ku gjejnë terren të përshtatshëm, në kushte të një higjiene personale jo të mirë dhe varet nga sistemi imunitar, i cili gjatë ekspozimit në temperatura të larta tenton të dobësohet dhe për pasojë individët preken më lehtë nga mikrobe të ndryshme, që qarkullojnë në mjedisin e jashtëm. “Infeksionet e lëkurës janë një grup patologjish që kanë një incidencë të shpeshtë dhe prekin një kontingjent të konsiderueshëm personash gjatë stinës së verës. Frekuentimi i plazheve publike dhe ndotja në këto ambiente, janë arsyeja kryesore e shfaqjes së këtyre patologjive. Kontakti i drejtpërdrejtë me faktorët shpërthyes: stafilokoku dhe streptokoku (mikrobe patogjenë), si dhe funge të ndryshëm, që ndodhen në ujin e detit e të pishinave, rërë apo shezlonge shoqërohet me rritje të rrezikut për shfaqjen e këtyre problemeve ne lëkurë”, thekson mjekja Fida.

Cilat janë këto grup sëmundjesh dhe çfarë rreziku mbartin?

Konkretisht, në këtë grup sëmundjesh do të përmendim infeksionet strepto-stafilokoksike, sëmundje mykotike të lëkurës (impetigo contagiosa, pitiriasis versicolor, etj) . Së pari, rreziku qëndron në faktin se janë sëmundje ngjitëse. Ato mund të transmetohen lehtë nëse nuk respektohen kushtet higjieno-sanitare, të tilla si përdorimi i të njëjtit peshqir, përdorimi i veshjeve personale dhe shapkave e sandaleve personale, përdorimi i të njëjtit shezlong, etj, dhe sigurisht nëse këta shkaktarë patogjenë gjejnë terren të përshtatshëm për t’u shfaqur. Veç kësaj, mund të ndodhë që sëmundja të përhapet dhe të japë komplikacione që kërkojnë trajtim më të gjatë dhe shenjat të bëhen më të rënda.

Kur duhet të marrim ndihmën e specializuar mjekësore?

Rekomandohet që tek mjeku specialist duhet të drejtoheni menjëherë, sapo shfaqen elementët e parë të sëmundjes në lëkurë, në mënyrë që të parandalohet përkeqësimi i sëmundjes, përhapja, të shmanget kronicizimi i saj, si dhe komplikacionet. Fillimi i terapisë shmang dhe transmetimin e infeksionit tek personat e tjerë.

Si duhet të veprojmë në kushtet e shfaqjes së infeksioni të kësaj natyre?

Foot-CareMjekimi për këtë grup sëmundjesh është kompleks në varësi të sëmundjes, shkallës së agravimit, përhapjes së saj dhe sigurisht trajtimi është individual, pasi ndikon shumë faza e kapjes së sëmundjes. Kështu nëse drejtohemi tek mjeku dermatolog në fazat kur sapo janë shfaqur elementët e parë, mjekimi bëhet vetëm lokalisht. Por, nëse gjendja është e përkeqësuar, mjekimi shoqërohet me përdorimin e antibiotikëve dhe antimykotikëve oral. Gjithsesi është vetëm mjeku specialist ai që përcakton skemën e mjekimit. Trajtimi jepet vetë pasi të jetë kryer vizita dhe të jetë bërë diagnostikimi i saktë i sëmundjes.

A shërohen keto patologji plotësisht?

Nëse këto sëmundje kapen dhe trajtohen në kohë, mund të kurohen mjaft mirë brenda pak ditësh. Por, nëse nuk eliminohen agjentët shkaktarë dhe nuk ruhet një higjienë e mirë, atëherë sëmundja mund të rishfaqet, të riakutizohet dhe të kërkojë trajtim nga e para. Këto janë grup-sëmundjesh që nuk lënë imunitet, prandaj duhet të tregohet një kujdes i vazhdueshëm sepse mund të përsëriten.

Çfarë këshillash mund të rekomandojmë për pushuesit që të shmangin sa më shumë që të jetë e mundur rreziqet e infeksioneve të lëkurës gjatë frekuentimit të plazheve dhe pishinave?

Këshillat përkojnë me shmangien sa më shumë të mikrobeve patogjenë që shkaktojnë këto grup sëmundjesh, pra stafilokok, streptokok si dhe funget që mund të hasen kryesisht në rërën e ndotur, në ujin e pishinave dhe detin e ndotur, shezlong, etj. Rekomandohet të përdoren peshqirët personalë në mënyrë që të shmanget kontakti i drejtpërdrejtë me rërën dhe shezlongëve me lëkurën. Peshqirët është mirë që të lahen çdo ditë pas frekuentimit të plazhit. Rekomandohet që sapo të dilni nga uji i detit, apo i pishinave, të shpëlani menjëherë trupin me ujë të pastër, të ëmbël dhe veçanërisht në shtëpi të aplikohet larja e trupit me sapun ose shampo trupi, pra jo vetëm me ujë të rrjedhshëm. Ekspozimi për një kohë të gjatë dhe i papërshtatshëm ndaj agjentëve shkaktarë shoqërohet me rritje të rrezikut për shfaqjen e këtyre sëmundjeve të lëkurës. Rekomandohet të shmanget frekuentimi i plazheve dhe pishinave në rast se shfaqen sëmundje në lëkurë, deri në shërimin e tyre dhe kjo jo vetëm që mos të përkeqësojmë situatën dhe të parandalojmë komplikacionet e këtyre patologjive, por pakësojmë edhe rrezikun e përhapjes së këtyre patologjive tek individët e tjerë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *