Mosrespektimi i orarit të marrjes së medikamenteve dhe abuzimi me ushqimin e tepërt, duke mos respektuar dietën, kanë bërë që shumë persona të gjatë këtyre javëve të përfundojnë në urgjencë, me ndërlikime të hipertensionit.
Bluzat e bardha të këtij shërbimi në QSUT, bëjnë me dije se: “Në Urgjencën e Sëmundjeve të Brendshme, çdo ditë paraqiten një numër i madh pacientësh, të cilëve u jepet menjëherë ndihma e parë. Një pjesë e mirë e këtyre pacientëve janë me probleme kardiake, duke përfshirë këtu problemet e çrregullimit të ritmit, problemet me luhatjet e tensionit arterial, problemet me sëmundjet ishemike të zemrës, etj.
Vlen të përmendet që ka shumë pacientë me hipertension, të cilët në shumicën e kohës kanë problem me shifrat e tensionit të cilat mbeten të padominuara nga mjekimi. Një nga shkaqet më kryesore për këto çrregullime është fakti se ata nuk e respektojnë siç duhet mjekimin dhe dietën e rekomanduar nga mjeku specialist, apo nga mjeku i familjes”. Sipas tyre pacientët që paraqiten, nuk e marrin mjekimin rregullisht çdo ditë, duke e harruar ta marrin atë në një vakt të caktuar, ose abuzojnë me dietën, duke marrë sasi më të larta ushqimi dhe kalorish se sa rekomandimet e dhëna nga mjeku.
“Moshat më të prekura nga këto probleme, janë ato mbi 40 vjeç. Por është vënë re që vijnë dhe pacientë në moshë shumë të re, ku paraqiten me luhatje të shifrave të tensionit, të cilët për shkaqe nga më të ndryshmet, të panjohura, apo të njohura shfaqin luhatje të tensionit në mënyrë sekondare. Gjithsesi, këta pacientë marrin ndihmën e parë në urgjencë dhe mbasi jepet kjo ndihmë, jepen këshillat përkatëse për mos neglizhimin e rregullsisë së marrjes së trajtimit mjekësor, si dhe terapisë se medikamenteve. Në rastin e moshave të reja kur mendohet se mund të ketë një shkak tjetër, pra është një hipertension sekondar, atëherë jepen rekomandimet përkatëse për t’u paraqitur pranë konsulentëve kompetentë që merren me menaxhimin e mëtejshëm të hipertensionit apo ekzaminimet e mëtejshme”, sqarohet nga bluzat e bardha të shërbimit të urgjencës. Sipas tyre tek këta pacientë ndikojnë negativisht edhe virozat e stinës.
Ndikimet më të mëdha janë tek pacientët që kanë probleme kronike kardiake, e sidomos tek ai grup pacientësh që kanë probleme me muskujt e zemrës. Pacientët që janë me zmadhim zemre në rastet kur preken nga një virozë, mund të bëjnë insuficiencë kardiake, vështirësi në frymëmarrje. Ndaj dhe duhet bërë shumë kujdes në respektimin e trajtimeve të rekomanduara nga mjeku.
