LSI ka dorëzuar mbrëmë e para listat e kandidatëve për deputetë në KQZ. Lista e LSI-së për kryeqytetin kryesohet nga vetë kryetari Ilir Meta, i cili pasohet nga kryetarja e LGI (forumit të gruas së LSI), Klajda Gjosha, ndërsa i treti renditet sekretari i Përgjithshëm, Luan Rama. I katërti në listë gjendet ish-drejtori i QSUT, Ilir Dashi.
Në qarkun e Elbasanit, listën e kryeson nënkryetari i LSI-së, Edmond Haxhinasto, ndërsa në Berat, i pari në listë do të jetë Nasip Naço. Kurse kreu aktual i grupit parlamentar të LSI, Lefter Koka do të kryesojë listën e kandidatëve për Qarkun e Durrësit, i pasuar në listë nga ish-ministri i Jashtëm, Edmond Panariti. Nga ana tjetër, anëtarja e kryesisë së LSI, Monika Kryemadhi kryeson listën e Qarkut të Lezhës.
Në listën prej 140 kandidatësh për deputetë, me të cilët LSI garon në zgjedhjet e 23 qershorit, bie në sy mungesa e profesor Shezai Rrokaj, aktualisht kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim për degën e Tiranës. Vetë Rrokaj është shprehur për GSH se e ka refuzuar ofertën e Metës për t’u kandiduar, me argumentin se preferon votëbesimin që i kanë dhënë profesorët duke e zgjedhur në postin e dekanit të Fakultetit të Histori-Filologji.
“Më mirë se sa ajo ofertë që më dha zoti Meta, preferova votëbesimin që më dhanë profesorët për momentin”, citohet Rrokaj nga GSH.
