Difekt tek Qytetari Dixhital, Berisha kalon në sistemin analog

Alqi Kociko

 

 

Pothuajse nuk ra fare në sy një difekt i rëndë që pësoi dy ditët e fundit sistemi i komplikuar dhe teknologjikisht i avancuar i Qytetarit Dixhital, që deputeti Sali Berisha ka vënë në funksionim për të denoncuar të pabërat e qeverisë neobllokmene.

Gojët e Liga mësojnë se Qytetari Dixhital ra në masë të enjten e kaluar, dhe iu dogj qarku bashkë me lavatriçen e familjes. Kjo bëri që qindra denoncime të vlefshme të digjeshin në faqen e bllokuar online të deputetit. Por pas një paniku të shkurtër fillestar, Berisha mblodhi veten dhe lëshoi kushtrimin: “Sa të rregullohet difekti, do kalojmë në sistemin analog, si qëmoti, o burra!”

Në këtë mënyrë, në vilën e një bamirësi anonim në Lalëz, ku deputeti i moshuar kalon këto ditë vere duke notuar nga 5 orë në ditë dhe ecur me vrap të lehtë për 5 orë të tjera, nisën të mbërrijnë disa makina.    Njerëzit zbrisnin prej andej me dosje e copa letrash dhe trokisnin në derën e Berishës.

Mësohet se i pari ishte zyrtari i përkushtuar Visho A., i cili pasi i puthi dorën, i la një copë letër dhe i përshpëriti disa fjalë Berishës. “Mirë, njerëz si ty na duhen”, i tha Berisha.

Në vijim, qytetarë të thjeshtë analogë si Jamarbër M, Lulzim B, Arben R, etj, depozituan të shqetësuar denoncimet e tyre pranë deputetit Berisha, duke iu lutur që ngrinte zërin edhe për ata, popullin e thjeshtë.

Denoncuesi i fundit, mësojnë Gojët e Liga, ishte një nëpunës i vogël i Pallatit të Ëndrrave, Bujar N, i cili nguli këmbë ta takonte medoemos Berishën personalisht. Por deputeti në ato kohë ishte duke vrapuar dhe nëpunësit iu desh të sforcohej tmerrësisht për ta ndjekur me vrap për t’i dorëzuar denoncimin. Bujar N, thonë burime të jodizuara në Lalz, është duke marrë veten pas dorëzimit të vështirë.

 

***

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike. Pra, merreni seriozisht   

Share This Article
10 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *